INTERVISTA/ Edi Paloka: Çfarë po ndodh në PD dhe pse opozita mban raporte të kushtëzuara me mazhorancën

Intervistoi: Florenc Drizari

 

“Serverat e Tatimeve”, Paloka: Do të kërkojmë edhe një herë në Parlament që ky komision të ngrihet

 

paloka2-867x1024Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, flet për risitë e procesit të anëtarësimet në PD dhe zgjedhjet e pritshme për strukturat e larta drejtuese. Në një intervistë për gazetën “Standard”, Paloka thekson se pas rrëzimit që Gjykata Kushtetuese i bëri vendimit të Kuvendit për mosngritjen e komisionit hetimor të kërkuar nga opozita lidhur me çështjen e serverave të Tatimeve, së shpejti e djathta pritet të paraqitet me një kërkesë të re, por me të njëjtin objekt si e para. Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, opozita do të vazhdojë të mbajë një marrëdhënie të kushtëzuar me shumicën parlamentare, deri në rikthimin e disa standardeve që, sipas tij, janë vendosur në parë në institucionin e Parlamentit, ndërkohë që komenton edhe vendimet e fundit të qeverisë në raport me institucionet e pavarura në vend. Paloka shpreh rezerva për punën e ekzekutivit në këta muaj qeverisjeje dhe kritikon ashpër Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

 

 

 

-Z. Paloka, në cilën fazë ndodhet procesi i anëtarësimeve të reja në Partinë Demokratike dhe kur pritet të fillojë procesi i zgjedhjes së strukturave të reja?

Edi Paloka: Siç e dini edhe ju, ne jemi angazhuar për një periudhë disamujore jo vetëm në anëtarësimet e reja në Partinë Demokratike, por edhe në bërjen e një verifikimi total të anëtarësisë së PD-së. Kjo, pasi humbja e 23 qershorit ishte një humbje jo e vogël, pavarësisht nga rrethanat dhe faktorët që sollën atë humbje dhe për këtë arsye, ne vendosëm të bënim verifikimet për të ditur me saktë se cila është anëtarësia e Partisë Demokratike sot, me ata që mund të jenë larguar apo mund të tregohen indiferentë në këto momente, pasi dihet që ndryshimi i pushtetit mund të ndryshojë edhe interesa. Unë vetë kam takuar disa demokratë që janë ende në punë dhe që vetëm për këtë shkak, duke ditur represionin që ekziston sot ndaj demokratëve, nuk duan të shfaqen që janë demokrat. Sa u përket anëtarësimeve të reja, unë nuk mund të rri pa shprehur një lloj habie pozitive, sepse mund të ndodh rrallë që një parti që sapo ka humbur zgjedhjet, të ketë një vërshim të tillë të anëtarësisë. Realisht, është një situatë pozitive dhe e paimagjinueshme që unë nuk e prisja të kishte kaq shumë kërkesa për anëtarësime të reja në Partinë Demokratike.

-A ka një afat se kur pritet të përfundojë ky proces?

Edi Paloka: Unë besoj se brenda pak muajve, pasi janë ende disa degë që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin, pasi këto verifikime dhe anëtarësime të reja janë bërë me një procedurë le të themi më burokratike, për të qenë sa më të saktë në të dhënat që kemi dhe pritet që disa degë të dorëzojnë të dhënat e tyre për të filluar më pas me procesin e analizave dhe zgjedhjeve në Partinë Demokratike.

-Në krye të koordinatorëve të PD-së janë vënë figura të larta drejtuese në qeverisjen e kaluar të PD-së, a është ky emërim i tyre një rikthim në PD?

Edi Paloka: Për të qenë i sinqertë nuk është se jam marrë në tërësi me këtë proces. Ata që janë caktuar si të dërguar të kryetarit të Partisë Demokratike, janë të dërguar për të vëzhguar këtë proces, pra procesin e anëtarësimeve dhe të verifikimit të anëtarësisë. Nuk ka ndonjë peshë tjetër, ndryshe nga grupet që ngrinim dikur nga Kryesia, që realisht kishin një peshë dhe mund të ndikonin edhe në zgjedhjen e anëtarësisë. Këta janë thjeshtë vëzhgues të kryetarit për të ndjekur procesin.

-Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese dha një tjetër vendim në “favor” të opozitës lidhur me rrëzimin e komisionit hetimor për serverat në Tatime. Për ju ky vendim tregon një aftësi juridike të përfaqësuesve të PD-së përpos atyre të majtë apo kjo mazhorancë duket se ka probleme me zbatueshmërinë e ligjit?

Edi Paloka: Sigurisht që është kjo e dyta. Që në momentin e parë që Rama u ul në karrigen e Kryeministrit e ka filluar me shkelje të Kushtetutës, të ligjeve dhe për fat të keq, ato institucione që duhet të ishin në kontrollin e ligjshmërisë, apo të paktën të ishin institucionet model në zbatimin e ligjit, janë bërë institucionet që rregullisht shkelin ligjin dhe Kushtetutën – e kam fjalën për qeverinë dhe Parlamentin ose për mazhorancën në Parlament. Siç thatë dhe ju që disa nga çështjet që ne kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese tashmë e kanë marrë vendimin e tyre dhe rezulton ashtu siç kemi thënë ne. Unë do t’i falënderoja juristët e Partisë Demokratike, por nuk është çështje e zotësisë së tyre, pasi duhet të them që shkeljen kushtetuese kanë qenë evidente dhe të bëra me qëllim nga kjo mazhorancë. Mendoj që edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë pasur shumë punë dhe dilema për të përcaktuar se nga qëndronte e drejta. Unë shpresoj që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe kërkesat që miqtë tanë ndërkombëtarë i bëjnë në mënyrë të vazhdueshme kësaj mazhorance për zbatuar ligjin dhe Kushtetutën, shpresoj të bëjnë sado pak që Rama të kthejë rrugën e tij dhe të niset në rrugën e ligjit dhe të kushtetutshmërisë.

-Ju si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, çfarë rruge do të ndiqni për komisionin hetimor që u rrëzua pak javë më parë në Kuvend dhe për të cilin Gjykata Kushtetuese mori një vendim kundër procedurave të ndjekura në Kuvend?

Edi Paloka: Ne do të kërkojmë edhe njëherë në Parlament që ky komision të ngrihet për të hedhur dritë për një nga skandalet më të mëdha të kësaj qeverie. Kjo në fakt është qeveri e skandaleve, por ajo që ndodhi me dokumentacionet, serverat e Tatimeve, është një nga skandalet më të mëdha jo vetëm të kësaj qeverie, por dhe në 20 e ca vite demokraci. Ne do të bëjmë edhe një herë kërkesën tonë dhe do të përpiqemi të hedhim dritë për publikun shqiptar bashkë me Prokurorinë që dihet se po heton mbi këtë çështje. Ne do të kemi pjesën tonë me komision hetimor.

-Pra do të keni një kërkesë të re?

Edi Paloka: Kërkesë të re, por me të njëjtin objekt, pasi arsyeja që nxori mazhoranca për të hedhur poshtë këtë komision, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Nuk është se mazhoranca në atë kohë kërkoi ndryshim objekti dhe kërkoi arsye të tjera, nxori thjeshtë argumentin ose justifikimin që meqë po heton Prokuroria, nuk ka nevojë për komision hetimor.

-Cili është qëndrimi juaj për deklaratat e Kryeministrit Rama, i cili ka thënë se nuk do ta presë gjatë opozitën për reformën administrativo-territoriale dhe se i ka votat e nevojshme për kaluar këtë reformë? Madje ka thënë se këto vota mund të rriten në ditët në vijim.

Edi Paloka: Këto janë deklarata të një njeriu të papërgjegjshëm si Rama dhe nuk është habi sikur të veprojë. Ashtu siç është shprehur ka treguar jo sot, por që nga momenti i parë kur ka hyrë në politikë se është tërësisht i papërgjegjshëm, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër që lidhet me psikikën e tij. Ne qëndrimet tona i kemi të përcaktuara dhe mazhoranca as nuk na imponohet nëpërmjet numrave dhe as nuk na impresionon, asnjë deklaratë apo qëndrim i Ramës. Përderisa ne jemi të bindur në drejtësinë e qëndrimeve tona, qoftë edhe për reformën territoriale, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë. Çfarë i ka kërkuar kryetari i Partisë Demokratike Edi Ramës? I ka kërkuar garanci që kjo marrëveshje, ndryshe nga marrëveshjet e tjera, do të qëndrojë në këmbë, sepse i gjithë qëndrimi ynë është bazuar në faktet e deritanishme. Rama ka treguar qartë se nuk di të mbajë marrëveshje dhe ligji për nëpunësin civil tregoi se mund të shkojë edhe më larg se kaq, pasi brenda pak muajve pasi erdhi në pushtet, hodhi poshtë një ligj që ishte kërkesë e Bashkimit Evropian dhe që ishte miratuar në Parlament me shumicë absolute. Pra, ky njeri ka treguar se nuk di të mbajë marrëveshje dhe është krejtësisht i papërgjegjshëm dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar garanci nga kjo mazhorancë që nuk do të shkelë më marrëveshjet.

-Disa javë më parë, kryetari i Partisë Demokratike dhe ju, si opozitë, keni vendosur të mbani një marrëdhënie të kushtëzuar me mazhorancën, ku disa procese votimi në Kuvend janë braktisur. A do të vazhdojë ky raport në ditët në vazhdim.

Edi Paloka: Marrëdhënia jonë e kushtëzuar me Parlamentin lidhet me qëndrimet që ka mbajtur mazhoranca në atë Parlament. Drejtësia e kërkesave tona për t’iu kthyer kushtetutshmërisë dhe ligjit në Parlament, janë konfirmuar edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi vërtetuar para publikut dhe opinionit ndërkombëtar që kërkesat tona nuk kanë qenë thjesht fasadë, apo siç është përpjekur ndonjëherë Rama apo Meta, si tentativa për të bllokuar apo si tentativa për të krijuar idenë se ai Parlament nuk funksionon, megjithëse realisht ai Parlament nuk funksionon. Ne do të vazhdojmë të ngulim këmbë për kthimin e Parlamentit në rrugën e kushtetutshmërisë dhe të ligjit. A do ta bëjë a jo kjo mazhorancë një gjë të tillë, kjo është çështje e tyre. Ne do të këmbëngulim në qëndrimin tonë, pasi nëse Parlamenti bëhet pjesë e lojës së kësaj mazhorance për të mos zbatuar ligjin dhe Kushtetutën, atëherë nuk e di se për çfarë shteti mund të flitet në këtë vend dhe si mund të bëhet opozita pjesë e kësaj loje të shëmtuar në Parlament.

Marrëdhënia e kushtëzuar presupozon jo thjesht se ne nuk votojmë në Parlament, por të bëjmë t’u bëjmë të qartë qytetarëve shqiptarë se kjo mazhorancë nuk është në rrugën e duhur dhe derisa të kthehet në rrugën e duhur, ne do të mbajmë qëndrimin tonë.

-Në media flitet për një draft që ende nuk është zyrtar, ku tregohen të dhëna për kushtëzimin e kompetencave të kreut të shtetit lidhur me emërimet në forcat e ushtrisë. Si e shikoni këtë lëvizje të ekzekutivit kundrejt Presidentit?

Edi Paloka: Në fakt, nuk kam njohuri për këtë draft. Edhe unë nga mediat e kam mësuar, por nuk ka nevojë të shoh drafte të tilla, pasi kjo mazhorancë ia ka marrë kompetencat Presidentit. Kemi disa raste, duke filluar nga ILDKP-ja, rasti i admiralit i cili u kërkua të pushohej nga ministrja e Mbrojtjes, e cila nuk e ka atë kompetencë, pra dy raste ku kjo qeveri ia ka marrë kompetencat Presidentit pa pasur as ligj dhe as bazueshmëri në Kushtetutë. Pikërisht për këtë ne flasim çdo ditë. Kjo mazhorancë me ato të ashtuquajturat një milion shuplakat që i pëlqejnë Ramës, mendon se ka ardhur për të mbretëruar, për të sunduar dhe jo për të drejtuar dhe për të qeverisur vendin në bazë të Kushtetutës. Një milion votat, pavarësisht siç janë marrë, nuk e bëjnë Ramën pronar apo skllavopronar të këtij vendi, ato i ka marrë për të qeverisur gjithmonë në bazë të ligjit. Nëse shkel ligjin dhe Kushtetutën, ato një milion vota do t’i kthehen në një milion shuplaka dhe shkelma më vonë.

-Si e cilësoni marrëdhënien mes Kryeministrit dhe kreut të SHISH-it? Pak ditë më parë, Rama ka thënë se ka më shumë besim tek ministri i tij i Brendshëm.

Edi Paloka: Është e ditur që Rama do t’i besojë Saimir Tahirit më shumë, sepse edhe Saimir Tahiri i beson më shumë Ramës, janë si një lolo i madh dhe një lolo i vogël që të dy kanë të njëjtin rol në atë qeveri. Nuk mund t’i them Saimir Tahirit ministër i Brendshëm. Mund t’i them thjesht një spurdhjak që nuk e di pse qëndron ende në atë karrige dhe qëndron në atë karrige, sepse ka mbështetjen e Ramës, sepse atij i duhet për të realizuar qëllimet e tij; që policinë ta mbushë me të paaftë dhe me njerëz me precedentë penalë. Për këtë Saimir Tahiri nuk lëvizet, sepse sa për rendin, janë dëshmitarë qytetarët shqiptarë se ç’po ndodh me rendin në Shqipëri.

-Po thoni që ministri i Brendshëm duhet të dorëhiqet referuar situatës së fundit me rendin?

Edi Paloka: Unë po them që nuk mund të konsiderohet as ministër i Brendshëm. Atë mund ta mbajë për ministër të Brendshëm Rama, por nuk besoj se ka qytetar shqiptar që të besojë se ka një ministër të Brendshëm sot në Shqipëri me këtë situatë të rendit. Sa për marrëdhëniet me shefin e Shërbimit Informativ, unë e kam deklaruar edhe para se të fillojë ky konflikt, që kështu siç e ka filluar kjo mazhorancë, do të vazhdojë ta shtrijë konfliktin me institucionet e pavarura hap pas hapi tek të gjitha institucionet. Nuk ka institucione të pavarura që nuk po ndiejnë përditë sulmet e kësaj mazhorance. Filloi me ILDKP-në, vazhdon me Presidentin, me SHISH-in, me prokurorin e Përgjithshëm, me KLD-në, pra çdo institucion i pavarur është vënën nën sulmin e kësaj mazhorance dhe me paturpësi, të gjitha dështimet e kësaj mazhorance kanë fytyrë dhe ua kalojnë këtyre institucioneve të pavarura. Njëherë akuzohet SHISH për dështimet e policisë, pastaj akuzohet Prokuroria, pastaj Gjykata e me radhë e me radhë. Asnjëherë nuk kanë faj Saimir Tahiri dhe Rama, gjithmonë kanë faj institucionet e pavarura. Kjo është pjesë e lojës së tyre dhe po e vazhduan, thjesht do të thyejnë këmbët, asgjë tjetër nuk mund të bëjnë!

 

Share it :