Integrimi u bllokua për dosjet e Ramës”, Berisha nga samiti i PPE: Masat ndëshkuese për qeverinë po rriten
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se mbështetja ndërkombëtare për opozitën shqiptare është në rritje, ndërsa sipas tij po shtohen edhe masat ndëshkuese ndaj qeverisë, pas pjesëmarrjes në samitin e Partia Popullore Europiane (PPE).
Sipas tij, samiti, i zhvilluar pas 50-vjetorit të PPE-së, u fokusua në çështjet më të rëndësishme globale, përfshirë krizën energjetike të lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, si dhe luftën në Ukrainë, për të cilën u riafirmua mbështetje e plotë ndaj Ukraina përballë agresionit rus.
Gjatë qëndrimit në samit, Berisha tha se ka zhvilluar takime me kryeministra dhe drejtues të PPE-së, ku ka prezantuar situatën politike në Shqipëri.
Ai i cilësoi zhvillimet në vend si “dramatike”, duke akuzuar qeverinë e Edi Rama për deformim të proceseve demokratike.
Berisha: Mora pjesë në punimet e samitit të Partisë Popullore, në të cilin ishin të pranishëm kryetarët e shteteve, kryetarët e qeverive dhe kryetarët e partive opozitare të të gjitha vendeve anëtare të BE dhe vendeve në proces integrimi, në të cilën një ndër to është PD si një parti e asociuar në Partinë Popullore Evropiane.
Ky samit që zhvillohet pas festimit të 50-vjetorit, një ngjarje jashtëzakonisht e veçantë për PPE, parti e cila me anëtarësinë e saj ka ndërtuar Evropën e sotme, samiti u përkushtua temave më të mprehta aktuale.
Zhvillimet në Shqipëri janë zhvillime dramatike të cilat në çdo aspekt e nxjerrin Shqipërinë jashtë hapësirës evropiane. Pra, Shqipëria me këto zhvillime spostohet diku nga Maghrebi ose më thellë në hapësira të tjera. Besoj se ishte edhe një rast për të shprehur falënderimin për misionin faktmbledhës që solli PPE në Shqipëri, por edhe Parlamenti Evropian.
Në ktë aspekt mendoj se është bërë një punë shumë e madhe eficente për të bërë prezent realitetin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, regjimit të Edi Ramës, i cili tani pas shndërrimit të zgjedhjeve në një farsë elektorale, dhe e pranuar kjo universalisht. Ju besoj se e dëgjuat se dje, një nga institucionet më prestigjioze në botë të vlerësimit të standardeve të demokracisë, Videm, e klasifikoi Shqipërinë autokraci elektorale. Autokraci elektorale do të thotë diktaturë autoritare.
Pra, në këtë kuadër, Shqipëria e Edi Ramës është bërë famëzezë. Dhe dua të garantoj shqiptarët se gjithnjë e më shumë mbështetja për opozitën shqiptare bëhet më e madhe dhe dënimi dhe masat ndëshkuese për qeverinë vijnë në rritje.




