Integrimi europian dhe realiteti i kostos së lartë të jetesës në Shqipëri
Procesi i integrimit europian është paraqitur si një histori suksesi, me theks të veçantë në përshpejtimin e mbylljes së kapitujve të integrimit.
Në planin administrativ, Shqipëria po përparon në përafrimin me standardet e Bashkimit Europian. Por integrimi europian nuk është vetëm harmonizim legjislacioni.
Ai është edhe harmonizim i standardit të jetesës. Për qytetarët, integrimi matet me fuqinë reale të pagës dhe me koston e shportës së përditshme.
Çmimet janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat:
Në vitin 2016, niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri ishte rreth 45% e mesatares së BE-së.
Në vitin 2024 ka arritur në 64%. Pra, brenda tetë viteve çmimet janë afruar me BE-në me 19 pikë përqindjeje.
Në të njëjtën periudhë, të ardhurat reale për frymë kanë kaluar nga 16% në vetëm 21% të mesatares së BE-së.
Rritja është vetëm 5 pikë përqindjeje.
Kjo do të thotë se çmimet janë rritur pothuajse katër herë më shpejt se të ardhurat.
Sot Shqipëria ka çmime në 64% të BE-së, por të ardhura vetëm 21%. Diferenca prej 43 pikë përqindjeje është më e larta në rajon. Serbia ka 61% nivel çmimesh dhe 34% të ardhura; Mali i Zi 59% çmime dhe 41% të ardhura. Shqipëria rezulton ndër më të shtrenjtat në Ballkan, por me të ardhurat më të ulëta relative.
Ushqimet: pothuajse në nivelin e BE-së
Situata bëhet edhe më domethënëse kur analizohen ushqimet. Në vitin 2024, kategoria “Food” në Shqipëri është 99.6% e mesatares së BE-së. Pra, ushqimi paguhet pothuajse me çmime të njëjta me BE-në. Në disa kategori Shqipëria është mbi mesataren e BE-së:
Qumësht, produkte bulmeti dhe vezë: 132.5%
Sheqer, ëmbëlsira dhe desserts: 124.7%
Pije joalkoolike: 118.3%
Në kategori të tjera diferenca është shumë e vogël në krahasim me çmimet mesatare në BE:
Mish: 94.8%
Peshk: 95.4%
Fruta: 94.8%
Vajra dhe yndyrna: 98.6%
Perime: 85.1%
Bukë dhe drithëra: 82.1%
Këto janë produkte baze, jo mallra luksi. Kur pjesa më e madhe e ushqimeve janë mbi ose afër mesatares së BE-së, ndërsa paga është 21% e BE-së, presioni mbi familjen është i qartë.
Struktura e buxhetit e përforcon presionin
Një tregues i qartë i nivelit të mirëqenies është mënyra se si familjet shpërndajnë të ardhurat e tyre. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve (INSTAT), në vitin 2024 rreth 39.6% e buxhetit të familjeve shqiptare shkon për ushqime dhe pije joalkoolike. Në BE-27 kjo peshë është 13–15%.
Kjo do të thotë se familjet shqiptare shpenzojnë pothuajse trefishin e peshës europiane për produkte baze. Në këtë strukturë, çdo rritje çmimi ka efekt të menjëhershëm dhe shumëfishues mbi mirëqenien. Në një ekonomi ku 40% e të ardhurave shkojnë për ushqim, çdo rritje çmimi ka efekt të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë mbi mirëqenien.
Integrimi formal dhe integrimi real
Mbyllja e kapitujve është proces teknik. Por integrimi real matet me aftësinë e qytetarëve për të përballuar jetesën me dinjitet. Nëse çmimet afrohen me Europën shumë më shpejt se pagat, atëherë kemi një përafrim formal, por jo një përafrim real të standardit të jetesës.
Diferenca e lartë midis çmimeve dhe të ardhurave, e kombinuar me peshën e lartë të ushqimeve në buxhet, krijon:
Dobësim të fuqisë reale blerëse
Kufizim të kursimeve dhe investimeve familjare
Presion mbi shtresën e mesme
Shtim të emigracionit ekonomik si alternativë e vetme për përmirësim të mirëqenies
Në këtë kontekst, integrimi europian nuk mund të matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por edhe me nivelin real të jetesës së qytetarëve. Shqipëria po afrohet me BE-në në planin institucional dhe në nivel çmimesh. Por në planin e mirëqenies reale, hendeku mbetet i thellë. Ushqimi është pothuajse në nivelin e BE-së, madje mbi BE-në në disa kategori, ndërsa të ardhurat mbeten një e pesta e standardit europian. Integrimi europian nuk mund të jetë vetëm proces administrativ. Ai duhet të jetë përmirësim konkret i jetës së qytetarëve.
Europa fillon në standardin real të jetesës. /Monitor




