Ina Jano
Kryeministri referuar deklaratës së Metës: Nëse e dinit se do të ndodhte, duhet ta kishit parandaluar
Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme Kryeministri Berisha doli në konferencën e parë për shtyp duke folur edhe për ngjarjen e Laçit, ku gjatë mëngjesit të datës 23 qershor mbeti i vdekur një prej simpatizantëve të LSI-së. I prerë kreu i qeverisë nga selia e Partisë Demokratike deklaroi se prokuroria duhet që ta çojë deri në fund hetimin për këtë ngjarje, ndërsa tha se çifti Rama dhe Meta kërkojnë që të përfitojnë kapital politik me këtë incident që ka ndodhur. Lideri i demokratëve kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të marrin për bazë deklaratat e bëra nga Meta dhe Rama në lidhje me këtë çështje dhe u shpreh se nëse ata e dinin se kjo do të ndodhte atëherë duhet që ta kishin parandaluar, por në fakt nuk bënë asgjë në lidhje me këtë gjë. Kryeministri shtoi se ata janë dy nekropolitikanë që kërkojnë të përfitojnë nga situata dhe që për më tepër nuk ngushëlluan as familjen e viktimës, apo ti uronin shërim të shpejtë kandidatit demokrat. “Nuk mund të mos lë pa dënuar me përçmim për qëndrimin e nekropolitikanëve, që renden me vrap dhe unë po i dëgjoja me vëmendje, te shprehin ngushëllime familjes së viktimës, vetëm ato nuk i dëgjoja. Dëgjova që ti uronin shërbim të plagosurve, por nuk e bënë. Rendën që të krijonin kapital politik me një ngjarje të hidhur dhe të rëndë, madje, u shprehën se dinin mirë që mbrëmë se kjo ngjare do ndodhte. I kërkoj Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të administrojë çdo deklaratë. Ata që dinin se krimi do të ndodhte duhet të binin gjithçka për të parandaluar”, deklaroi Berisha. Ky i fundit i ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, Gjon Pjetër Gjoni si dhe i ka uruar shërbim të shpejtë kandidatit Mëhill Fufi dhe kushëririt të tij Kastriot Fufi Berisha i ka kërkuar Policisë së Shtetit që të hetojnë me përparësi ngjarjen e rëndë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. “Dua ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës së ndjerë, uroj që të gjejë forcë për të përballuar dhimbjet. Uroj nga zemra shërbim të shpejtë kandidatit Fufi dhe të afërmit të tij, ky i fundit mori plumb në kohë. Kërkoj nga organet e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme të hetojnë me përparësi këtë ngjarje, të nxjerrin të vërtetën për të gjitha rrethanat e ndodhjes së ngjarjes dhe përgjegjësinë. Këtë presin gjithë shqiptarët dhe miqtë tanë”, – u shpreh Berisha. Kryeministri i cilësoi ‘të shpëlara’, deklaratat e kreut të PS-së Edi Rama kundra Policisë së Shteti, ndërkohë që i ka bërë thirrje komisionerëve të presin votuesit me qytetari siç e kanë bërë. “Të shpëlara absurde sulmet e kreut te s nga policisë, të mos harrojmë se tensioni më kryesor në proces është tek komisionerët dhe policët tanë. Dëshpërimin nuk e ka nga policia, por nga frika se do korrësh atë që ke mbjellësh. Thirrja ime për komisionerët të mbajnë dyert hapur dhe të presin me njerëzi siç kanë bërë sot zgjedhësit shqiptar”, – bëri thirrje Berisha.
Laç
Rama e Meta: Policia bashkëpunim me krimin
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta nga qendra e votimit ku ndodhi incidenti i rëndë në Laç akuzuan policinë e këtij qyteti se po bashkëpunon me krimin. Megjithatë sipas kreut të PS-së asgjë nuk e ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve. “Policia e Shtetit nuk është në krye të detyrës, forcat kriminale me mbështetjen e policisë kanë nisur një operacion për përhapjen e frikës dhe terrorit me armë.
Jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, asgjë se ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve, ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë. Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të diktuar një vullnet që s’mund t’i kundërvihet atij të popullit shqiptar”, – tha Rama. Më tej kryesocialisti shtoi se kërcënimet e kriminelëve nuk mund të ndalin popullin të votojë. Ndërkaq, edhe kreu i LSI-së Meta ishte në të njëjtën linjë me kreun e PS-së Rama, teksa akuzoi policinë e Laçit për bashkëpunim me krimin. Meta e ftoi policinë të distancohet nga kjo ngjarje dramatike. “Dje në mesnatë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të LSI-së, të cilët janë sulmuar me armën dhe me mjete të forta nga banditë të Partisë Demokratike në zonën e Laçit. Po dje (të shtunë) kam takuar Drejtorin e Policisë së Lezhës së bashku me Spartak Brahon dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Burgaj, ku i kam njohur me këto zhvillime dramatike si pjesë e një skenari të dhunshëm dhe i kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet, por të marrë masa për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot. Sidomos në Laç, në Mamurras, në Fushë Kuqe absolutisht banditët dhe kriminelët, të cilët janë aktualisht tani që po flasim ne përpara qendrave të votimeve të Mamurrasit dhe po u bëjnë presion qytetarëve për të treguar votën, janë me mbështetjen e policisë dhe segmenteve të policisë këtu dhe në kupolën e lartë të policisë së Shtetit. Ne kemi fakte që Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve dhe të mbrojtjes së kriminelëve dhe banditëve të PD-së, të cilët dalin me armë këtu e gjakosen dhe vranë një qytetarë të pafajshëm këtu sot para kësaj KZAZ-je”, – tha ai. Sipas Metës, Berisha nuk mund ta mbajë më pushtetin me dhunë!
Kryeministri: Fitore e shkëlqyer, gati të pranojmë verdiktin e qytetarëve shqiptarë
Shefi i selisë blu, pa asnjë mëdyshje ka deklaruar se është i bindur tek fitorja e Partisë Demokratike, dhe ajo do të jetë një fitore e shkëlqyer dhe tërësisht e merituar. Gjithashtu ai u shpreh se forca politike që ai drejton do të respektojë pa asnjë hezitim verdiktin e sovranit, ndërsa në këtë drejtim ka nënvizuar se një garanci të tillë nuk e ka dëgjuar që të deklarohet nga ana e kryesocialistit Rama. Madje ai ka shkuar më tej duke shtuar se këtë garanci ai nuk ja u ka deklaruar as ndërkombëtarëve, gjë që është e habitshme, pasi në të gjithë daljet publike të tyre edhe ambasadorët por edhe eurodeputetët janë shprehur se rezultati duhet pranuar, cilido qoftë ai. Sipas Berishës duhen respektuar votuesit që presin në radhë në këto temperatura të nxehta ndaj u bëri thirrje komisionerëve të mbajnë hapur qendrat e votimit, deri në votuesin e fundit. “Jam këtu për të përshëndetur të gjithë qytetarët shqiptarë që me një shkallë të lartë përgjegjësie bënë këtë proces me një pjesëmarrje më masive gjer sot. Komisionerët kanë qenë në lartësinë e duhur, keqkuptimet janë zgjidhur brenda në harku kohor të pranueshëm. Sot procesi i votimit po shkon drejt finalizimit, por unë kam një thirrje për të gjitha komisionerët. Të mbajnë të hapura qendrat e votimit përderisa para derës së tyre ka njerëz që presin të votojnë. Nuk e kanë pasur të lehtë sot njerëzit, shumë kanë ikur dhe në plazh, të moshuarit kanë pritur në një orë të papërshtatshme dhe duam ti nderojmë, të presim të votojnë. Pra është në detyrimin ligjor dhe moral i komisionerëve të forcave politike që të mbajnë hapur qendrat e votimit përderisa para qendrave të votimit ka njerëz që presin të votojnë”,- tha Berisha gjatë një konference për shtyp. Ndërsa i pyetur se gjatë fushatës ka rënduar fjalorin me akuza, kryeministri përdori një shprehje të urtë popullore “më thoni me kë rri të të them si je. Unë Ramën kisha përballë”.
Vorpsi: Çifti Rama-Meta aventurierë politike
Partia Demokratike reagoi rreth mesditës në lidhje me ngjarjen tragjike të Laçit. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e selisë blu Laura Vorpsi, se ngjarja në Laç ndodhi pas kërkesës së mbështetësve të saj për mos blerje të votës. Zonja Vorpsi theksoi se PD-ja dënon çdo akt dhune dhe fton qytetarët të votojnë të qetë, të marrin pjesë të gjithë në këto votime që janë të një rëndësie jetike për zhvillimin dhe integrimin në BE. “Këta persona thirrjes së kandidatit tonë largohuni mos ndani lekë këtu i janë përgjigjur me armë duke plagosur kandidatin e PD-së dhe të afërmin e tij, Kastriot Fufi. PD i shpreh ngushëllime familjes së viktimës dhe i uron një shërim të shpejtë kandidatit për deputet, Mëhill Fufit dhe të afërmit të tij” – tha Vorpsi. Gjithashtu PD-ja i cilësoi si të papërgjegjshme deklaratat e dy liderëve të së majtës sot në Laç. “PD dënon me ashpërsi cinizmin, papërgjegjshmërinë dhe thirrjen për dhunë të çiftit Rama-Meta, që të etur për pushtet shpallin se janë të gatshëm me çdo mjet që të përmbysin qeverinë demokratike. PD ju kujton këtyre aventurierëve politik se vota e lirë e shqiptarëve do të respektohet me çdo çmim dhe se me çdo mjet tjetër, përveçse votës së lirë për të marrë pushtetin, ka vetëm një përgjigje ligjore: Dështimin e plotë dhe total të aventurës dhe aventurierëve të saj” – shtoi Vorpsi. Gjithashtu në fund të deklaratës së saj, zëdhënësja e selisë blu theksoi se PD-ja falënderon përzemërsisht të gjithë zgjedhësit shqiptar për pjesëmarrjen e lartë në votime dhe fton të gjithë qytetarët që të votojnë sot në këtë ditë vendimtare për 4 vitet e ardhshme.





