Florenc Drizari
Flamur Noka, Tahirit: Ke apo jo dijeni që baza e Gjadrit është përdorur për trafik droge dhe janë ulur avionë?
Ministri i Brendshëm: Gjadri nuk ka det. Radarët që përmenda janë për monitorimin e detit
Përfshirja e mundshme e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionet e drogës vijon të shkaktojë përplasje mes pozitës dhe opozitës në vend. Një ditë më parë opozita foli për një fakt konkret, edhe pse kërkoi sërish përgjigje nga autoritetet shqiptare. Zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, iu drejtua ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, nëse ka dijeni për që baza ajrore e Gjadrit është përdorur për trafik droge kohët e fundit. Me këtë pyetje deputeti i opozitës ngriti shqetësimin për përdorimin e avionëve për trafiqet e drogës.
“I kërkova ministrit të Brendshëm të na thotë, ka apo s’ka dijeni që baza e Gjadrit është përdorur për trafik droge dhe janë ulur avionë aty apo jo? Kaq. Kjo është shqetësuese. Ne jemi të shqetësuar për një fakt që e kemi bërë publik”, – theksoi deputeti Noka. Deklarata e tij u shoqërua me debate, ku kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i kërkoi ministrit të Brendshëm që të mos i përgjigjet pyetjes së deputetit të opozitës, për faktin se ajo ishte jashtë rendit të ditës në mbledhje. Nga ana e tij ministri i Brendshëm nuk dha detaje për pyetjen e deputetit Noka, por ironizoi duke thënë se në pritjet që ai ka me qytetarët, mund të shkojë edhe deputeti e të informohet.
“Kam një përgjigje. Gjadri nuk ka det. Radarët që përmenda unë, janë për monitorimin e detit. Unë kam pritje me popullin, zotëria mund të vijë dhe të interesohet atje se do t’i jap sqarime. Këtu në këtë Komision jam për tjetër çështje”, – deklaroi Tahiri.
Pas debateve me përfaqësuesit e mazhorancës, deputetët e opozitës u çuan nga mbledhja në formë proteste, por edhe në kuadër të marrëdhënieve të kushtëzuar që kanë vendosur me Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkaq, më herët ka qenë ish-ministri i Mbrojtjes, Imami, i cili e ka ngritur këtë çështje në seancën e fundit plenare dhe që prej asaj dite, deputetët e opozitës kanë kërkuar vazhdimisht sqarime nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, por edhe nga Kryeministri Rama, nëse strukturat e Forcave të Armatosura janë përfshirë apo jo në transportin e lëndëve narkotike. Lidhur me këtë çështje mësohet se ministrja e Mbrojtjes ka depozituar edhe dy kallëzime penale në Prokurori, por që ende nga organi i akuzës nuk ka një qëndrim zyrtar për fillimin apo jo të hetimeve. Ndërkaq, çështja e implikimit apo jo strukturave të Forcave të Armatosura në trafiqet e drogës pritet të rikthehet sërish në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozitat pritet ta ketë si kauzën kryesore përballë mazhorancës, duke kërkuar sërish shpjegime nga krerët e qeverisë, por edhe pse jo, për të publikuar të tjera fakte për të cilët deputetët e PD-së janë shprehur se i disponojnë.
Zbardhje debatesh në Komisionin e Sigurisë Kombëtare
Flamur Noka: A mendoni (Saimir Tahirit) se ka ardhur koha që duhet të rikthehet moratoriumi, sepse po bëhet i pamundur kontrolli i detit?
Paulin Stërkaj: Me hek edhe makinat që vijnë prej Kukësit tani për të ardh në Tiranë sepse bëjnë aksidente.
Flamur Noka: I keni hekur tani, njerëzit vijnë me autobuza.
Saimir Tahiri: Me statistikë mund t’ju them që moratoriumi që ishte në fuqi nuk ka pasur efekt për trafikun e lëndëve narkotike, sepse unë besoj edhe zoti Flamur.
Flamur Noka: Mos m’u drejto mua zoti Flamur sepse nuk jam shoku yt.
Saimir Tahiri: Jo, shok nuk je, sepse thashë zoti, shok nuk mund të jesh.
Flamur Noka: Ta kesh përherë parasysh, sepse unë nuk jam shoku yt.
Saimir Tahiri: Deputet Flamur pra.
Spartak Braho: Ç’është ky muhabet?!
Flamur Noka: Të mësohet të flasë, sepse s’jam shok më atë.
Saimir Tahiri: Pra, me statistikë moratoriumi nuk ka ndikuar në ndalimin e trafikut të lëndëve narkotike, për sa kohë që edhe në kohën e moratoriumit, ngarkesa mbërrinin në vende fqinje.
Flamur Noka: Zoti ministër, a keni dijeni që baza ajrore e Gjadrit është përdorur për trafik droge kohët e fundit?
Spartak Braho: Një minutë, të lutem, të lutem! Jo, mos iu përgjigj (Saimir Tahirit).
Flamur Noka: I kërkova ministrit të Brendshëm të na thotë, ka apo s’ka dijeni që baza e Gjadrit është përdorur për trafik droge dhe janë ulur avionë aty apo jo? Kaq.
Spartak Braho: Të lutem shumë! Keni gjë për ligjin apo jo? S’jemi mbledhur për Gjadrin këtu. Për Gjadrin është pikë tjetër.
Flamur Noka: Z. Kryetar, ai është ministër i Brendshëm dhe unë dua një përgjigje, ka dijeni apo s’ka dijeni? Kjo është shqetësuese. Ne jemi të shqetësuar për një fakt që e kemi bërë publik.
Saimir Tahiri: Kam një përgjigje. Gjadri nuk ka det. Radarët që përmenda unë, janë për monitorimin e detit. Unë kam pritje me popullin, zotëria mund të vijë dhe të interesohet atje se do t;i jap sqarime. Këtu në këtë Komision jam për tjetër çështje.
Paulin Stërkaj: Shoku Flamur na lë radhën edhe neve.
PD: Droga e kapur në Itali, medalje e re në gjoksin e Tahirit
Partia Demokratike theksoi një ditë më parë se një tjetër sasi droge i ka kaluar autoriteve shqiptare, duke bërë përgjegjës strukturat kontrollit në pikat kufitare. Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, tha se 1.4 tonë drogë ka kaluar nën hundën e autoriteteve të kontrollit të kufirit shqiptar dhe se kjo vërteton edhe një herë shqetësimin e opozitës dhe të opinionit publik në Shqipëri, se segmente të rëndësishme të shtetit dhe anëtarët e qeverisë janë përfshirë në këtë trafik, duke e kthyer edhe një herë vendin tonë në listën e zezë të drogës.
“Droga e kapur dje në Itali, si një medalje e re në gjoksin e Tahirit, konfirmon gjithashtu mashtrimin me shifrat qeveritare dhe të vërtetën e përkeqësimit të treguesve të rendit dhe lëshimit skandaloz të punës nga drejtuesit e policisë. Kjo medalje, por edhe medaljet e tjera që dalin nga mesazhi i Edi Ramës për Saimir Tahirin, e bëjnë edhe më urgjente rritjen e koshiencës për situatën. Ngjarja e fundit e bën edhe më urgjente thirrjen e Ministres së Mbrojtjes për të dëshmuar në Komisionin e Sigurisë lidhur me informacionet që ekzistojnë për përdorimin e forcave të armatosura në trafikun e narkotikëve, cka mund të rezultojë një medalje e re edhe për ministren në fjalë. Droga e kapur dje në Itali është në serinë e këmbanave të alarmit, dhe kjo dukuri po shqetëson tashmë jo vetëm vendet fqinje, por gjithë Europën”,-deklaroi Ristani në një deklaratë për mediat. Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit që të marrë masa të menjëhershme dhe të ndalojë këtë trafik droge. Sipas deputetit të opozitës, ky trafik nuk mund të zhvillohet pa dijeni dhe pa bekimin e tij dhe të ministrave të tij. Akuzat e PD-së ndaj qeverisë vijnë në kohën kur opozita kërkon shpjegime nga krerët e qeverisë për një implikim të mundshëm të strukturave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në trafiqet e drogës.




