Anxhela Tato
Kallëzimi nga djali i pacientit F. Ndroqi, u infektua nga mungesa e higjienës në sallën e operacionit
Mosmarrja e masave nga mjeku rëndoi gjendjen shëndetësore të F. Ndroqit, mjekët e Spitalit Ushtarak i prenë këmbën për t’i shpëtuar jetën
Infeksioni në sallën e operacionit dhe neglizhenca në mjekim i kanë shkaktuar një dëmtim të rëndë pacientit F. Ndroqi, të cilit për t’i shpëtuar jetën i është prerë këmba. Prokuroria e Korçës dërgon si të pandehur para togave të zeza mjekun Koço Mati, nën akuzë për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm. Nga hetimet e akuzës ka rezultuar se pacienti, pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale në spitalin e Korçës, ka vijuar të shfaqë shqetësime dhe në gjendje të rënduar është transportuar për në Spitalin Ushtarak. Pas analizave është konstatuar një vatër infeksioni e përhapur dhe në gjendje të rënduar, e cila mund t’i rrezikonte jetën F. Ndroqit. E vetmja formë shpëtimi ishte një ndërhyrje e dytë kirurgjikale, për t’i prerë këmbën. Për këtë ngjarje ka qenë djali i F. Ndroqit, i cili ka bërë kallëzim në Prokuroi. Nga hetimet është zbuluar një lloj infeksioni në sallën e operacionit në Korçë, e cila në formë indirekte ndikoi në gjendje shëndetësore të F. Ndroqit. Përgjegjësia bie mbi mjekun Koço Mati, i cili nuk u përkujdes, duke neglizhuar mundësinë e infektimit në sallën e operacionit.
Kallëzimi
Në datën 28.10.2013, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë është paraqitur shtetasi A. Ndroqi, i cili ka paraqitur kallëzimin penal për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” në ngarkim të mjekut Koço Mati lidhur me mënyrën se si ai ka mjekuar babain e tij, shtetasin F. Ndroqi. Nga aktet e administruara në këtë material ka rezultuar se në datën 17.1.2013, babai i kallëzuesit nga rrëshqitja në akull ka thyer këmbën e djathtë dhe për këtë shkak është çuar menjëherë për t’u trajtuar në spitalin rajonal Korçë. Pasi është konsultuar me rastin konkret, mjeku Koço Mati vlerësoi se ishte e nevojshme kryerja e një ndërhyrjeje kirurgjikale, që konsistonte në vendosjen e një pllake metalike në këmbë. Pas përfundimit të ndërhyrjes, pacientit i ënjtej vazhdimisht këmba dhe nuk kishte asnjë lloj përmirësimi. Për këtë arsye ai është shtruar disa herë në spital dhe mandej, për shkak të infeksionit të rëndë, i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje tjetër për heqjen e pllakës metalike, e cila i ishte ngjitur me kockën. Pavarësisht prej të gjitha ndërhyrjeve, babai i kallëzuesit nuk kishte asnjë lloj përmirësimi dhe për këtë arsye djali ka vendosur që ta çojë pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Mjekët T. Ç. dhe E. N., pasi e kanë konsultuar rastin, kanë dalë në përfundimin se gjendja e këmbës ishte tejet e rënduar, për shkak të infeksionit të pamjekuar. Për shkak të mjekimit të kryer nga mjeku Koço Mati, mjekët e Spitalit Ushtarak kanë dalë në përfundimin se e vetmja mënyrë për mospërhapjen e infeksionit në trup ishte prerja e këmbës. Organi procedues, pasi ka sekuestruar të gjitha kartelat klinike të thjeshta dhe ato kirurgjikale, shoqëruar edhe me kartelat infermierore përkatëse si dhe grafitë e pacientit F. Ndroqi pranë spitalit rajonal Korçë dhe pranë Spitalit Ushtarak Tiranë, meqenëse për përcaktimin e llojit të mjekimit dhe ndërhyrjeve të realizuara kanë qenë të nevojshme njohuri të posaçme në fushën ka përpiluar vendimin për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor.
Ekspertiza
Akti i ekspertimit mjekoligjor nr. 1207, i përpiluar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë, ka konkluduar: Duke iu referuar kartelave klinike dhe infermierore tek pacienti F. Ndroqi rezulton se gjatë trajtimit mjekësor të këtij shtetasi konstatohen shkelje në fazën post-operatore që konsiston në mostrajtimin me medikamentet e duhura për infeksionin e kockës, shkaktuar gjatë operacionit. Mënyra e realizimit të ndërhyrjes kirurgjikale ka qenë korrekte. Nga personeli infermieror rezulton të jenë zbatuar detyrat e lëna nga mjeku kurues. Shkeljet mjekësore të konstatuara janë konsumuar nga mjeku që është marrë me trajtimin e këtij shtetasi. Për shkaktimin e infeksionit nga “pseudomonas aeurginosa” që ka infektuar sallën operatore mbajnë përgjegjësi drejtuesit e klinikës së kirurgjisë dhe të spitalit rajonal Korçë. Aktualisht gjendja shëndetësore e pacientit F. Ndroqi është e stabilizuar. Si pasojë e shkeljeve mjekësore gjatë trajtimit mjekësor këtij pacienti nuk i është rrezikuar jeta, por i është shkaktuar dëmtim i rëndë i shëndetit.
Dëshmia e mjekut
I pyetur lidhur me faktet objekt hetimi, shtetasi F. Ndroqi ka dhënë shpjegime të detajuara për të gjithë itinerarin e mjekimeve të ndjekura nga ana e tij sipas rekomandimit të mjekut Koço Mati. Edhe mjeku Koço Mati ka shpjeguar në mënyrë të detajuar të gjithë protokollin e mjekimeve të kryera nga ana e tij, lidhur me pacientin F. Ndroqi, duke saktësuar edhe mjekimet e ndjekura për secilën fazë të shtrimit të këtij pacienti. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje penale, prej organit procedues janë kryer edhe veprimet hetimore të nevojshme për të saktësuar edhe veprimet administrative të kryera prej spitalit rajonal Korçë në kuadër të pastrimit të sallës operatore prej mikrobit “pseudomonas aeurginosa”. Në vlerësim të organit procedues shkeljet e konsumuar në formën e mosmarrjes së masave të duhura për pastrimin e sallës operatore janë shkelje, të cilat nuk kanë sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë ardhjen e pasojës, por në kushtet kur pacienti ka qenë nën trajtimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të mjekut Koço Mati kanë qenë veprimet (trajtimet) e gabuara dhe mosmarrja e masave të përshtatshme mjekuese faktori që ka sjellë dëmtimin e rëndë të shëndetit të pacientit F. Ndroqi.




