I dyshuar se i vuri tritol Dor Muçës gjykata pushon çështjen për Gjeçin

Elton Qyno

 

gjykata Vendimi i pushimit është marrë ditën e Vitit të Ri. Klajdi Gjeçi: Armën e ka pasur Anton Curri

 Zbardhet dëshmia e piktorit që shpëtoi nga dënimi me 2 vite burg të arrestuarin e policisë

 

 

Klajdi Gjeçi, i arrestuar nga policia e Tiranës si person i dyshuar për vendosjen e tritolit në banesën e nëndrejtorit të policisë së kryeqytetit Dorian Muça, është liruar nga të gjitha akuzat, duke përfituar lirinë ditën e Vitit të Ri. Gjeçi fillimisht është arrestuar si personi kryesor në vendosjen e tritolit në derën e shtëpisë së Muçës, por që më pas kjo akuzë nuk është mundur të provohet dhe për pasojë, ndaj tij policia ngriti vetëm akuzën e ”Armëmbajtjes pa leje”, pasi gjatë arrestimit në muajin dhjetor 2011 në banesën e të arrestuarit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë me mulli me numër KA 57344. Megjithëse në fillim Klajdi Gjeçi ka pranuar se ishte ai poseduesi i armës, më pas ai ka pretenduar në sallën e gjyqit se kishte pranuar të firmoste procesverbalin e policisë, nën efektin e dhunës fizike dhe asaj psikologjike të ushtruar në dhomat e shoqërimit në polici. Në sallën e gjyqit Klajdi Gjeçi ka treguar se poseduesi i vërtetë i pistoletës të sekuestruar nga policia ka qenë shoku i tij, shtetasi Anton Curri, i cili është me profesion piktor. Edhe ky i fundit gjatë marrjes në pyetje në seancat gjyqësore ka treguar se arma e sekuestruar është marrë në xhepin e xhaketës së tij, të cilën ai e kishte lënë në njërin nga dhomat e banesës së shtetasit Klajdi Gjeçi, që ndodhet në rrugën “Vëllezërit Kondi” në Tiranë. Nisur nga kjo situatë, gjyqtari i çështjes, Kreshnik Omari, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e prokurorit Gjon Kodra, për dënimin me dy vjet burg të Gjeçit, duke pushuar akuzën e “Armëmbajtjes pa leje”. Vendimi për mbylljen e dosjes është bërë në datën 31 dhjetor 2012, ndërkohë që mësohet se Prokuroria e Tiranës pritet ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit.

Pranimi i autorësisë

I pyetur menjëherë pas kontrollit të banesës, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, me procesverbal të datës 8.12.2011, ora 11:40, i pandehuri ka deklaruar: “U njoha me hetimin dhe me të drejtat e mia dhe unë kërkoj që të jap shpjegime në lidhje me ngjarjen në fjalë pa praninë e avokatit. Dua të them se jam i pa punë dhe sot rreth orës 04:00 në banesën time ka ardhur policia dhe unë kam qenë në banesën time së bashku me familjarët e mi, babain, nënën dhe dy motrat e mia, si dhe një miku i familjes i cili quhet Anton Curri. Dua të them se në dhomën e gjumit ku unë fle dhe që është dhoma ime personale, policia më gjeti pistoletën, të cilën e kam timen dhe e mbaja prej shumë kohësh. Dua të them se pistoletën e kam timen personale dhe e mbaj për vetëmbrojtje dhe unë me këtë pistoletë nuk kam kryer asnjë krim. Unë pistoletën e kam gjetur në afërsi të banesës time dhe e kam mbajtur vetë. Dua të them se dhe një sasi pluhuri që më është gjetur tek xhepi i xhaketës është lëndë helmuese për minjtë”.

Keqtrajtimi në polici

Pavarësisht nga ajo që kishte deklaruar në policinë e Tiranës, gjatë marrjes në pyetje, dy javë më pas i arrestuari Klajdi Gjeçi ndryshon thëniet duke ngritur si alibi se ato që kishte pohuar në polici nuk ishin të vërteta. Një fakt të tillë ai ja ka bërë me dije prokurorit të çështjes, ku me kërkesën me nr. 2010-7, datë 27 dhjetor 2011. Ndër të tjera në këtë kërkesë thuhet: “Z. prokuror, në shtëpinë time ka ardhur policia dhe ka bërë kontroll banese. Në dhomën e miqve, brenda në raft, në xhepin e një kostumi, kanë gjetur një armë dhe për shkak të saj është bërë ndalimi im. Në polici jam keqtrajtuar dhe më kanë detyruar të firmos letrat pa lexuar. Për këtë arsye kërkoj të ripyetem, pasi arma që është gjetur në shtëpinë time nuk është e imja, as e kam prekur ndonjëherë me dorë gjë që mund të provohet nga akti i ekspertimit. Kjo armë ka qenë e mikut të familjes tonë i cili ka ardhur nga Greqia për disa ditë, i quajtur Anton Curri. Për këtë arsye kërkoj të merret në pyetje ky person”.

Dëshmia e Anton Currit

Në orën 04:00 të mëngjesit është bërë kontroll në banesën e mikut tim Ndue Gjeçi, ku banoja dhe punoja prej dy muajsh. Në banesë ndodheshin babai Ndue Gjeçi, e shoqja Tereza, djali Klajdi si dhe dy vajzat e tij të mitura dhe unë, Anton Curri. Duke parë prangosjen e Klajdit babai i tij me tha: Në dhomën tënde, ku flije dhe në kostumin tënd Anton është gjetur një armë, na more në qafe”. Duke qenë një situatë e tillë dhe pas debatesh me Nduen, kam shkuar në polici po atë ditë së bashku me gruan e tij Terezën për të dhënë dëshmi. Nuk më ka pritur njeri. Kam shkuar në një zyrë noteriale ku kam deklaruar për ngjarjen. Kam punuar dhe jetuar prej 15 vitesh në Greqi. Jam kthyer para dy vitesh në Shqipëri dhe se prej dy muajsh punoja në shtëpinë e Ndue Gjeçit. Unë punoja me pune dekorimesh pasi jam piktor dhe po bëja një shatërvan te kopshti dhe gjëra të tjera.

 

Shpërthimi në apartamentin e Dorian Muçës

Krimet e Rënda pezulluan veprimet hetimore

 

Natën e 8 dhjetorit 2011, në banesën e nëndrejtorit të policisë së Tiranës, është vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli, nga shpërthimi i të cilës fatmirësisht ka pasur vetëm dëme materiale. Në momentin e shpërthimit, zyrtari i policisë, Dorian Muça, ndodhej brenda në banesë së bashku me familjen e tij. Teksa të gjithë anëtarët e familjes flinin, shpërthimi i fuqishëm ka sjellë tronditjen e fortë të tyre, por edhe të banorëve të tjerë të pallatit. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë dhe specialistë të hetimit të krimit, ndërkohë që në Tiranë, është ndërmarrë një fushata e gjerë arrestimesh të personave me precedentë penalë, që mendoheshin se kishin lidhje me vendosjen e tritolit në derën e apartamentit të nëndrejtorit të policisë Dorian Muça. Mes të arrestuarve ka qenë dhe shtetasi Klajdi Gjeçi, i cili tashmë ka shpëtuar nga akuzat e ngritura. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, në apartamentin ku banon Dorian Muça, kanë shkuar Prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët prej më se dy vjetësh që po hetojnë krimin, por deri më sot nuk ka pasur asnjë person të arrestuar. Aktualisht dosja është pezulluar dhe i është referuar policisë për hetime të mëtejshme. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje, dolën dhe pamjet filmike të personit që mendohet se kishte vënë tritolin por që në fakt, deri më sot ai nuk është arrestuar.

 

 

Noka: Shqipëria, jashtë hartës së transitimit të drogës

 

Në Tiranë është organizuar konferenca për menaxhimin e kufijve, organizuar nga Policia e Shtetit. Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka deklaruar se Shqipëria nuk është më një vend transit i drogës, duke shtuar se menaxhimi i kufijve është thelbësor për bashkëpunimin ndërkombëtar. “Që nga 2007 që u ngrit grupi për zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruar të kufijve ka pasur një sërë arritjesh. Menaxhimi i integruar i kufijve bëri të mundur që kufijtë tanë të jenë më të sigurt dhe Shqipëria të mos jetë vend transit i drogave të forta”, – është shprehur ministri i Brendshëm Noka. Me tej në fjalën e tij, ministri ka renditur një sërë masash të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, të cilat kanë ndikuar në uljen e trafikut të lëndëve narkotike. Më rezultat dhënësi ka qenë ligji për vendosjen e moratoriumit duke bllokuar një pjesë të madhe të barkave lundruese dhe gomoneve në detin Adriatik dhe Jon. Sipas ministrit Noka ka pasur raste të trafikimit të drogës, por këto raste kanë qenë sporadike dhe se në të shumtën e rasteve janë evidentuar nga ana e policisë duke sjellë dhe arrestimin e bllokimin e lëndës narkotike në sasi të ndryshme. Gjatë zhvillimit të konferencës, të pranishmit folën edhe për sa i përket uljes së numrit të klandestinëve dhe numrit të personave të trafikimit.

 

Burgaj: Në kufi u kapën 624 persona dhe shumë më tepër drogë

 

Drejtori i Policisë, Hysni Burgaj, ka deklaruar se janë kapur 624 persona të shpallur në kërkim, 380 mijë euro të padeklaruara si dhe 115 raste të falsifikimit të dokumenteve. Deklarata është bërë në punimet e konferencës së menaxhimit të kufijve, ku në të morën pjesë ministri Brendshëm Flamur Noka, ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi, si dhe shumë personalitete të tjera. Sipas Burgajt, “Policia e Kufirit dhe Migracionit është qartësisht e strukturuar brenda Policisë së Shtetit, me bazë ligjore të përafruar me legjislacionin e BE-së, me burime të mjaftueshme njerëzore, financiare e teknike. Ajo është e pajisur me infrastrukturë, sisteme dhe pajisje moderne, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit shtetëror”. Si rezultatet i këtyre përmirësimeve, tha Burgaj, strukturat e policisë kufitare kanë tregues shumë të mirë në luftën kundër krimit dhe veçanërisht krimit ndërkufitar. Ai bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar “janë kapur 50 kg heroinë më shumë se viti i 2011, 7000 kg marijuanë më shumë, 1.4 kg më shumë kokainë. Janë sekuestruar në kufi 68 armë zjarri ose 18 raste më shumë të trafikimit të armëve dhe armëmbajtje pa leje se një vit me parë. Janë sekuestruar mbi 380 mijë euro të padeklaruara në kufi ose 7 raste më shume se një vit me parë. Janë evidentuar 115 raste të falsifikimit të dokumenteve më shumë se një vit më parë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :