Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve

Florenc Drizari

pensionistetKryeministri Berisha: Rritja e rrogave dhe pensioneve do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve

 

Nga 1 korriku hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Vendimi i qeverisë është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave më datën 13 maj të këtij viti, dhe shtyrja në kohë e hyrjes në fuqi të aktit normativ u bë për shkak të periudhës zgjedhore në të cilën kaloi vendi. Edhe pse qeveria në ikje mund të mos e ketë legjitimitetin për të marrë përsipër barrën financiare për të rritur pagat dhe pensionet, për faktin se në shtator konstituohet qeveria e re e dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, vendimi është parë disa javë më parë në kuadër të politikave sociale që ka ndjekur qeverisja e demokratëve në dy mandatet e saj.

Në mbledhjen e 13 majit Kryeministri Berisha ka thënë se vendimi do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe se rritja e pagave dhe pensioneve nuk vjen si një politikë elektorale e qeverisë, por si ndjekje e vazhdueshme e politikave fiskale të përcaktuara më parë në buxhetin e shtetit.

Më herët Berisha ka thënë se vendimi i qeverisë vlen vetëm për pagat e ulëta dhe mesatare, duke përjashtuar nga rritja pagat e larta.

“Vendimi do të hyjë në fuqi natyrisht pas zgjedhjeve sepse është në standardin e  etikës që kur ka vit elektoral, vendimi shtyhet dhe problemi është se duhet të mblidhet parlamenti për të votuar këtë akt të rëndësishëm, por natyrisht asgjë s’mund të pengojë rritjen e rrogave në masën e parashikuar në buxhetin e shtetit, një rritje që shkon nga 0 për rrogat e larta, edhe këtë vit ne jemi të përcaktuar që të mos rrisim rrogat më të larta, deri tek 6 % për rrogat e tjera. Po kështu edhe për pensionet. Rritja e rrogave dhe pensioneve do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve”.

Duke shpjeguar modalitetet e hyrjes në fuqi të iniciativës së qeverisë, për faktin se ai përjashton sitën e komisioneve parlamentare dhe votën e Kuvendit,(në kohën kur Kuvendi është i mbyllur për shkak të përfundimit të mandatit të tij), kreu i qeverisë ka thënë se Këshilli i Ministrave ka shfrytëzuar disa privilegje dhe detyrime që i përcakton Kushtetuta dhe ligjet në fuqi për marrjen e atij vendimi.

“Ka një modalitet pak të vështirësuar për shkak të parlamentit, por qeveria ka të drejtën me kushtetutë të aktit normativ dhe qeveria do të shfrytëzoje në këtë rast të drejtën kushtetuese të aktit normativ për të dekretuar dhe futur në fuqi rritjen, e cila natyrisht kalon në parlament. Kjo do të skedulohet në mënyrë që javën e parë ose 10 ditshin e parë të parlamentit të ri, të mund të shqyrtohet. Ka një afat kohor për shqyrtimin, ka një afat kohor për dërgimin në parlament. Kështu që të gjitha modalitet janë konsultuar me specialistët kështu që bëjnë të mundur vazhdimin e asaj politike, të cilën ne e kemi shpallur si politike konstante të kësaj qeverie, rritjen e vazhdueshme të rrogave dhe pensioneve”, – ka deklaruar Kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë më 13 majit.

Ndërkaq, sipas vendimit të qeverisë, 840 mijë familje shqiptare do të marrin një rritje page dhe pensioni dy herë më të madhe se sa rritja  e inflacionit.

 

 

 

Rritja e pagave dhe pensioneve:

Pagat e larta rriten 1%

Pagat e ulëta rriten 5 %

 

Pagat në vlerë, Ishte – Bëhet

Paga minimale 21 mijë – lekë 22 mijë lekë

Paga mesatare 51.3 mijë lekë – 52. 8 mijë lekë

Arsimtarët e mesëm 59.4 mijë lekë – 61. 2 mijë lekë

Arsimtarët e 9 vjeçares 56.7 mijë lekë – 58. 4 mijë lekë

Paga mesatare mjek 55.7 mijë lekë – 57. 9 mijë lekë

Paga mesatare Infermierë 36.7 mijë lekë – 38.1 mijë lekë

 

 

 

Rritja e pagave dhe pensioneve i kushton buxhetit të shtetit 2.5 miliardë lekë

Punonjësit dhe pensionistët do të përfitojnë një shtesë në të ardhurat mujore, duke nisur nga 6 mujori i dytë i vitit. Pagat dhe pensionet do të rriten që nga data 1 korrik e në vijim.  Rritja e pagave dhe pensioneve pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 2.5 miliardë lekë. Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë hartuar një projekt-vendim, ku janë përcaktuar rritjen e pagave si dhe pensioneve sipas sektorëve dhe kategorive, rritje e cila pritet të jetë nga 1 deri në 5 %. Sipas projektit, pagat e larta do të rriten vetëm me 1%, ndërsa pagat e ulëta 5 %. Nga kjo rritje nuk do të përfitojë asnjë nga drejtuesit e lartë të shtetit, nga Presidenti, Kryeministri deri tek pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm në çdo ministri.

Efekti financiar i rritjes së pagave dhe pensioneve është parashikuar me miratimin e buxhetit të vitit 2013, në zërat “politika të reja pagash” më vlerë 1 miliardë lekë, dhe politika të reja pensionesh në vlerë 1.5 miliardë lekë.

Sipas skemës së Ministrisë së Financave, paga minimale nga 21 mijë lekë do të shkojë në 22 mijë lekë duke pësuar një rritje prej 5 %. Paga mesatare që tani është 51.3 mijë lekë do të arrijë në 52. 8 mijë lekë, duke pësuar një rritje prej 3%.

Sektori i Arsimit dhe Shëndetësisë pritet sipas këtij projekt-vendimi të kenë rritjen më të madhe të pagës, kjo rritje është parashikuar të jetë 3-4 %. Sipas projekt-vendimit, të hartuar nga Ministria e Financave paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm nga 59.4 mijë lekë do shkojë në 61. 2 mijë lekë.

Paga mesatare e arsimtarit, në arsimin 9-vjeçar nga 56.7 mijë lekë do të shkojë në 58. 4 mijë lekë. E njëjta logjikë do të ndiqet edhe në shëndetësi.

Paga për mjekët dhe infermierët do të rriten mesatarisht me 4 %. Kështu paga mesatare e mjekut nga 55.7 mijë lekë që është aktualisht do të shkojë në 57. 9 mijë lekë, paga mesatare e infermierëve nga 36.7 mijë lekë që është tani do të shkojë 38.1 mijë lekë.

Po sipas këtij projekti, pensionet pritet të rriten mesatarisht me 3 %. Indeksimi i pagave pritet të rrisë të ardhurat e disponueshme për buxhetorët dhe pensionistët të cilët në 6 muajt e fundit janë përballur me rritjen deri në 2.6 % të çmimeve të mallrave të konsumit.

 

 

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :