Anxhela Tato
Sms-ja e fundit në celularin e së resë nga ish-i dashuri: “Dil nga jeta ime!” 20-vjeçarja pranoi se ndarja ishte motivi
Dëshmia e ish-të dashurit para oficerëve: U ndava se nuk do shkatërroj familjen time, jam i martuar dhe baba
Ndërhyrja e menjëhershme e mjekëve ka shpëtuar një vajzë 20-vjeçare, e cila ka prerë damarët pas ndarjes nga i dashuri. E reja me inicialet K. I. ka shfrytëzuar orët e para të mëngjesit duke u kyçur në dhomën e saj me një brisk në dorë. Vajza ka prerë venat dhe ka humbur ndjenjat nga gjakderdhja, duke u rrëzuar në tokë. Fatmirësisht, prindërit janë zgjuar nga zhurma dhe janë drejtuar për në dhomën e vajzës. Kanë shqyer derën dhe kanë gjetur 20-vjeçaren e gjakosur. Menjëherë e kanë transportuar për në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se e reja ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja është raportuar edhe në komisariatin numër 3, të cilët kanë nisur nga hetimet. Nga të dhënat e bluve bëhet me dije se motivi i vetëflijimit ishte ndarja nga i dashuri. Me sa duket, e reja nuk ka mundur dot të kapërdijë vendimin e të dashurit të saj për t’i dhënë fund lidhjes intime, duke zgjedhur t’i jap fund jetës. Në një gjendje të rënduar emocionale pas një debati për disa orë me ish-të dashurit, 20-vjeçarja nuk ka përballuar presionin dhe mungesën e pranisë së njeriut të zemrës në jetën e saj. Në këto momente kaq delikate e reja ka vendosur të vetëflijohet, por tentativa e saj ka dështuar saj ndërhyrjes së prindërve. Sipas policisë, tentativa ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit të djeshëm, kur prindërit kanë denoncuar ngjarjen.
Policia
Nga hetimet e bluve mësohet se e reja ka këmbyer gjatë gjithë kohës sms me ish-të dashurin, duke insistuar që lidhja e tyre të mos merrte fund. Ndonëse përpjekjes së të resë për të qenë bashkë me të dashurin, ai ka qenë i prerë në vendimin e ndarjes. Sipas policisë, ka qenë sms-ja e fundit ajo që ka tronditur 20-vjeçaren. Në tekstin e kësaj sms-je shkruhej: “Dil nga jeta ime!” Kjo sms ka mbyllur bisedën dhe gjendja psikologjike e 20-vjeçares është përkeqësuar. E tronditur, e tmerruar, zemërthyer dhe e mërzitur, e reja nuk e ka parë më të arsyeshme që të vijonte jetën e saj. Ajo është kyçur në dhomë me një brisk në dorë duke prerë damarët. E pyetur nga ana e oficerëve të policisë 20-vjeçarja ka pohuar se motivi ka qenë pikërisht ndarja nga i dashuri. Për këtë çështje është thirrur edhe ish-i dashuri i saj, i cili ka deklaruar të njëjtin version. Para bluve ai është shprehur se nuk mund ta vijonte më këtë histori dashuri, pasi nuk mund të lejonte shkatërrimin e jetës dhe familjes së tij, duke qenë se ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Ndonëse, me sa duket, ky fakt nuk ka qenë pengesë në fillim për krijimin e lidhjes, por ai nuk ka mundur dot më të vijojë, pasi po i cenohej mirëqenia familjare.
Ksamil, tenton të vrasë të dashurën me thikë, qëllon edhe veten
Debati mes një çifti të rinjsh nga Saranda për pak sa nuk ka përfunduar në një tragjedi. Një 21-vjeçar ka tentuar të vrasë me thikë të dashurën e tij 15-vjeçare, ndërsa në gjendje të rënduar psikologjike ka tentuar të vetëvritet, duke qëlluar veten me të njëjtën thikë. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së enjtes në Ksamil. Klodian Oruci shkoi në banesën e familjes së të dashurës, dhe në debat e sipër goditi me thikë të dashurën adoleshente. Dy të rinjtë kanë marrë plagë të rënda ku fillimisht u dërguan në Spitalin e Sarandës, ndërsa më pas u transportuan me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Tiranë/ Dështon fëmijën 13 javësh, i kërkon djalit ta groposë
Fetusi i groposur i një fëmijë 13-javësh ka alarmuar policinë, të cilët pas denoncimit nga banorët kanë nisur nga puna hetimore. Blutë e komisariatit numër 4 kanë mundur që të zbulojnë nënën e fëmijës, e cila është 22-vjeçarja nga Lezha me inicialet M. R. Vajza mësohet se ka qenë shtatzënë dhe ka dështuar fëmijën në banesë, duke mos pasur mundësi për të shkuar në spital. E pafuqishme dhe në gjendje të vështirë ekonomike e reja i ka kërkuar djalit të saj 4 vjeç që të shkonte e të groposte foshnjën 13-javëshe. Fëmija është afruar tek reparti 3700 në zonën e Kinostudios dhe ka tentuar që të hapë një gropë për fetusin. Por, me sa duket, i trembur dhe mosha e mitur ka bërë që të mos arrinte ta groposte tamam, duke u pikasur trupi i pajetë i foshnjës nga banorë. Ndërkohë që para oficerëve të Policisë Gjyqësore 22-vjeçarja ka deklaruar se ngjarja ka qenë aksidentale, pasi ajo ka humbur fëmijën duke e dështuar. Për shkak të hemorragjisë dhe dhimbjeve ajo e ka dështuar fëmijën në banesë dhe nuk ka pasur se si të shkonte në spital. Madje, e reja është në gjendje shumë të vështirë ekonomike, duke mos pasur mundësi që t’i bënte një varr foshnjës. Ndërkaq, priten rezultatet mjekësore të fetusit dhe të nënës për të kuptuar arsyen e dështimit dhe atë çka ka ndodhur.
Këshilli i Konferencës Gjyqësore/ “Shqetësim për akuzat, përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit”
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore ka reaguar dje duke u shprehur shqetësim për akuzave pa dallim gjyqtarëve, por edhe mbështetjen për reformën në sistemin e drejtësisë. KEKGJ është mbledhur ditën e djeshme me nismë të 1/3 të anëtarëve për të shqyrtuar situatën e krijuar kohët e fundit. KEKGJ shpreh shqetësimin e të gjithë gjyqtarëve për deklarata e qëndrime publike të ditëve të fundit, të cilat i drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve. “Deklarata të tilla vetëm sa e përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme të gjyqtarëve. Nuk duhet harruar se shumica e gjyqtarëve në ushtrim të funksionit të tyre janë të përgjegjshëm e punojnë me përkushtim e integritet, duke përballuar tensionet e një pune delikate e voluminoze, pavarësisht se përballë kanë persona me rrezikshmëri të lartë”, – thuhet në reagimin e KEKGJ.




