Hidrovoret dhe kanalizimet jashtë funksionit/ Përmbytjet i kushtojnë shtrenjtë ekonomisë së vendit

Hidrovoret dhe kanalizimet jashtë funksionit/ Përmbytjet i kushtojnë shtrenjtë ekonomisë së vendit

Që prej viteve 1950 deri në ditët e sotme është regjistruar një rënie e lehtë e reshjeve mesatare vjetore, por nga ana tjetër, përmbytjet janë shtuar dhe janë shndërruar në rrezikun më të shpeshtë klimatik në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit.

Dokumentet shkencore të Ministrisë së Mjedisit tregojnë se nga mesi i shekullit të kaluar deri në fillim të kësaj dekade, reshjet vjetore kanë rënë me rreth 2–5%, por nga ana tjetër, nga vitet 1990 Shqipëria ka përjetuar dhjetëra ngjarje përmbytjeje me ndikim të konsiderueshëm, me të paktën 1–2 përmbytje të mëdha në vit në nivel kombëtar, teksa dëmet nga ky fenomen natyror vlerësohen në 2.3 miliardë dollarë.

Ndryshimet klimaterike mund të kenë ulur sasinë e reshjeve, por kanë rritur intensitetin e tyre në njësinë e kohës, duke shtuar rrezikun e përmbytjeve.

Përmbytjet e këtyre ditëve gjithashtu kanë krijuar dëme të mëdha në ekonomitë e familjeve, bujqësi në zona urbane si Durrësi, Lezha, Vlora dhe Gjirokastra dhe, bashkë me dëmet, kanë nxjerrë në pah defektet dhe mungesën e profesionalizmit, së paku në minimizimin e rrezikut.

Alket Kumaraku, inxhinier hidroteknik, profesor në Universitetin Politeknik, tha se nevojitet një angazhim rutinë i vazhdueshëm për uljen e rrezikut në zonat urbane, që nga planifikimi urban në qytetet e mëdha, mirëmbajtja e rrjeteve të kullimit dhe kolektorëve, deri tek investimet dhe ndërhyrjet në menaxhimin e rrjedhave të mëdha që vijnë nga lumenjtë.

Një ish-anëtar i Komitetit të Digave, që zgjodhi të komentonte në kushtet e anonimatit, tha se përmbytjet janë fenomene natyrore, të cilat edhe në Europë po menaxhohen me vështirësi, për shkak të ndryshimeve klimatike, por sipas tij, më shumë se rreth 30% e dëmeve mund të minimizohen nëse do të bëhej mirëmbajtja rutinë e veprave kulluese, kolektorëve dhe hidrovoreve nga strukturat përgjegjëse.

Më tej, ish-zyrtari i lartë tha se ndërtimi i hidrocentraleve të Skavicës, Bushatit dhe thellimi i Bunës do të lehtësonte gati tërësisht dëmet në zonën e Shkodrës dhe Lezhës.

Në Durrës, nevojitet hapja e një kanali të ri në mes të qytetit që të rrisë shkarkimet në det. Inxhinieri, i cili punoi për shumë vite në strukturat qeverisëse të vendit, tha se bordet e kullimit, punonjësit në bashkitë e vendit dhe ata të ujësjellësve kanë mungesë të lartë profesionalizmi.

Pasi, sipas tij, mirëmbajtja rutinë e sistemeve kulluese, kolektorëve, heqja e mbeturinave, mbajtja në punë e hidrovoreve dhe dragave në grykëderdhjet e lumenjve do të reduktonin rrezikun nga përmbytjet së paku me 30%. Kjo përqindje, sipas tij, do të ishte e mjaftueshme për të kursyer miliona euro dëme.

Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria trashëgon studime shkencore shumë cilësore nga koha e komunizmit, të cilat vetëm sa duhen zbatuar me korrektësi, tha ai.

Reshjet e ditëve të fundit duket se kanë ndryshuar profilin e dëmeve, duke ekspozuar zona të tilla si Durrësi me rrethina që nuk ishin kaq problematike sa në ngjarjet e shkuara.

Ardian Zhamo, inxhinier në sistemet hidrike në Durrës, ka analizuar se përmbytjet e fundit në qytet janë në pjesën më të madhe gabime njerëzore. “Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim.

Kanalet sekondare nuk përcjellin ujë, sepse janë të bllokuara nga gëlqere, dhera dhe tombino të ndërtuara nga persona të paautorizuar ose nuk ekzistojnë më. Kanali tek Ura e Dajlanit, nga me dy tuba me diametër 800 mm, tani është një ‘hinkë’.

Kanali pas shkollës ‘Beqir Çela’ është i bllokuar totalisht. Kanali që kalon përpara Ofiçinës së Marmitave ka zvogëluar me rreth 70% tërheqjen e ujit dhe, si pasojë, kjo zonë përmbytet edhe me shiun më të vogël”, u shpreh për mediat inxhinieri Zhamo, i cili fajësoi njerëzit dhe jo natyrën për dëmet e fundit.

U shmangën investimet e mëdha kundër përmbytjes

Ish-anëtari i komitetit të digave tha se HEC-et e Bushatit dhe Skavicës, projekte që në kohën e komunizmit, përveç sigurisë energjetike, kishin qëllim mbrojtjen e Shkodrës dhe Lezhës nga përmbytjet.

Ai tha se Skavica do të shërbente si rezervuar i madh në rrjedhën e sipërme të Drinit dhe do të shërbente si një “tampon” hidrologjik gjatë reshjeve të forta. Rezervuari mund të mbajë një pjesë të prurjeve dhe t’i lëshojë më vonë, duke ulur presionin mbi prurjet kumulative për t’i çliruar më vonë. Ky hidrocentral ulte presionin e ujit në zonat e ulëta që lidhen me sistemin Drin–Bunë.

Ndërsa zgjidhja që do të shmangte tërësisht përmbytjet ishte ndërtimi i Hidrocentralit të Bushatit poshtë kaskadës së Drinit, më pranë fushës së Nënshkodrës, i cili mund të ndihmonte duke rregulluar shkarkimet në momente kritike dhe duke e shkarkuar ujin në toka larg qytetit të Shkodrës. Inxhinieri tha se efekti i HEC Bushat ishte më shumë menaxherial sesa “magazinues”.

Ai tha se këto dy investime ishin të rekomanduara nga inxhinierët e talentuar shqiptarë, si Farudin Hoxha, me rëndësi të dyfishtë, si në prodhimin e energjisë ashtu edhe në minimizimin e përmbytjeve.

Ka pasur përpjekje për ndërtimin e këtyre dy objekteve, por kanë dështuar. Në tetor të vitit 2020, qeveria nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit me kompaninë amerikane Bechtel për hidrocentralin e Skavicës.

Marrëveshja, ndër të tjera, parashikonte që Bechtel të gjente financimin e një linje kredie që do të shlyhej më pas nga KESH. Kostoja e projektit llogaritet rreth 1 miliard euro, por projekti ka ngecur në procedura, mungesë financimi etj.

HEC-i i Bushatit, që kishte zanafillën që në kohën e komunizmit, ridoli si projekt në vitet 2004, i cili do të ndërtohej nga kinezët për 140 milionë euro.

Ky projekt ka qenë i diskutueshëm për dëmet që mund të krijonte baseni në tokat bujqësore, por ekspertët pohojnë se ka pasur vend për rishikime që mund ta kthenin atë në një rregullator që të kishte më shumë përfitime sesa dëme.

Thellimi i Bunës dhe dragat e lumenjve

Profesor Kumaraku thotë se rimodelimi në grykëderdhjet e lumenjve do të lehtësonte ndjeshëm dëmet në rast prurjesh të mëdha. Ish-anëtari i komitetit të digave tha se thellimi dhe mirëmbajtja e lumit Buna do të minimizonte dëmin në zonën e Shkodrës.

Buna ndikohet shumë nga rrjedhja e ujit mbrapsht, nga rritja e nivelit të Liqenit të Shkodrës, nivelit të detit dhe valët e stuhive, si dhe nga sedimentimi; këto ditë uji në Bunë nisi rrjedhën mbrapsht.

Inxhinieri tha se thellimi i Bunës është ndër ndërhyrjet më të vështira në inxhinierinë e lumenjve, sepse Buna është lumë me sedimentim të lartë dhe me nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, pra nuk bëhet një herë dhe mbaron.

Ai tha se duhet një modelim hidrologjik, hidraulik për të ditur se ku realisht ulet niveli i ujit. Sedimentimi rikthehet edhe nëse e thellon dhe kërkon cikle mirëmbajtjeje me logjistikë të rëndë.

Në grykëderdhjet e lumenjve në vendin tonë, edhe gjatë periudhës së komunizmit dhe pas, janë përdorur dragat, mjete për të hequr sedimentet që grumbullohen aty ku rrjedha e ujit ngadalësohet dhe përplaset me ndikimin e detit.

Dragat funksiononin si makineri thithëse nënujore. Ato instaloheshin në fundin e lumit ose të grykëderdhjes dhe, përmes një tubi të madh, thithnin sedimentin e përzier me ujë.

Ky material më pas pompohet drejt bregut ose në një zonë të caktuar depozitimi në det. Inxhinieri tha se në grykëderdhje si ajo e Bunës, ku sedimenti është kryesisht i imët, kjo metodë është më efikase, sepse lejon pastrim të shpejtë dhe të vazhdueshëm të shtratit pa ndërhyrje të rënda strukturore.

Për lumenjtë e tjerë më të vegjël, inxhinierët rekomandojnë argjinatura, kanale dhe riparime lokale, dhe dredhja si operacion i madh nuk është dokumentuar si praktikë standarde në burimet publike.

U prishën dhe u dëmtuan kanalet kulluese

Një kanal i madh kullues në Lezhë u ndërtua në kohën e komunizmit, mblidhte ujërat dhe rrjedhat nga malet dhe i nxirrte jashtë qytetit.

Edhe kur kishte reshje të mëdha, uji nuk e përmbyste kurrë zonën urbane, por tokat bujqësore përreth, duke minimizuar dëmet e mëdha, shpjeguan inxhinierët. Kanale të tilla të mëdha funksiononin në qytetet me rrezik përmbytjesh për të mbrojtur qytetet.

Por tani të gjitha këto kanale janë shkatërruar nga ndërtimet e jashtëligjshme, ndërtimet pa kriter në zonat urbane dhe nga investimet e gabuara. Shumë nga këto kanale janë mbuluar tërësisht ose janë vendosur tombino me çerekun e kapacitetit të përcjelljes.

Këto vite është ndërtuar pa menduar infrastrukturën e furnizimit me ujë, përmbytjeve, tërmeteve etj., ndaj pasojat dhe dëmet vetëm do të rriten, lajmërojnë inxhinierët.

Ish-anëtari i Komitetit të Digave tha se tani ka zgjidhje, të tilla si stacione të mëdha pompash që të nxjerrin ujin nga qendrat e mëdha urbane, por këto kanë kosto të lartë dhe shmangen.

Në fund të zinxhirit hidrologjik, përrenjtë dhe lumenjtë urbanë luajnë rol vendimtar në përballimin e prurjeve të larta. Inxhinieri tha se grumbullimi i inerteve, mbetjeve dhe ndërtimeve të pakontrolluara në shtratin ose brigjet e tyre e ka ulur ndjeshëm kapacitetin e rrjedhjes dhe rrit rrezikun e daljes së ujit nga shtrati.

Pastrimi sistematik dhe rikthimi i seksioneve natyrore të rrjedhës rrisin aftësinë e tyre për të përballuar prurje ekstreme. Teknikisht, kjo masë redukton rrezikun nga përmbytjet, sidomos në zonat ku rrjetet urbane përfundojnë pikërisht në këto trupa ujorë.

Inxhinieri tha se shumë grykëderdhje janë ngushtuar nga ndërtime pa kriter, mbrojtje të forta betoni ose struktura infrastrukturore që kanë prishur dinamikën natyrore të lumit.

Ai tha se duhen rimodeluar derdhjet e lumenjve, duke rikthyer hapësirat për rrjedhën, duke rikonfiguruar brigjet ose duke krijuar zona tampon që e lejojnë lumin të shtrihet gjatë prurjeve të larta pa shkaktuar dëme.

Nuk janë menaxhuar kanalet, kolektorët dhe hidrovoret

Në Shqipëri, përmbytjet nuk lidhen vetëm me reshjet intensive, por kryesisht me mënyrën se si menaxhohet infrastruktura ekzistuese e kullimit dhe e mbrojtjes nga uji.

Kanalet parësore, dytësore, kolektorët dhe hidrovoret formojnë një sistem të ndërlidhur, ku mosfunksionimi i një elementi bën të pavlefshme edhe investimet në pjesët e tjera, tha zoti Kumaraku.

Edhe inxhinierët e tjerë bien dakord se puna për mirëmbajtjen duhet të nisë nga kanalet parësore, të cilat janë arteriet kryesore që transportojnë ujin nga zonat e gjera drejt lumenjve ose detit.

Këto kanale duhet të mirëmbahen periodikisht, duke i pastruar, duke larguar sedimentet dhe inertet. Në shumë raste në Shqipëri, kanalet parësore kanë humbur gjerësinë dhe thellësinë funksionale për shkak të mungesës së pastrimit dhe ndërhyrjeve informale në brigje.

Kanalet dytësore janë po aq kritike, sepse ato mbledhin ujin nga tokat bujqësore dhe zonat e banuara dhe e dërgojnë drejt kanaleve parësore.

Përmbytjet shpesh nisin pikërisht këtu, sepse këto kanale bllokohen më shpejt nga mbeturinat, sedimentet dhe mungesa e mirëmbajtjes. Menaxhimi efektiv kërkon pastrim më të shpeshtë, por edhe kontroll të vazhdueshëm për ndërtime apo mbushje të paligjshme.

Në rastin e Durrësit, si kanalet parësore ashtu edhe ato dytësore nuk po funksionojnë, duke bërë që uji të mbetet në parcela dhe lagje, duke shkaktuar dëme të drejtpërdrejta ekonomike.

Inxhinierët thanë se kolektorët urbanë në qytetet e mëdha përbëjnë hallkën më të rëndësishme, por janë projektuar shpesh për reshje me intensitet më të ulët sesa realiteti aktual klimatik dhe humbin shpejt kapacitetin për shkak të sedimentimit dhe mbetjeve urbane.

Sipas ekspertëve, hidrovoret janë pika kyçe në zonat e ulëta, veçanërisht në fushat bregdetare dhe ato pranë lagunave e deltave. Ato janë linja e fundit e mbrojtjes nga përmbytjet, sepse sigurojnë shkarkimin e ujit kur rrjedha natyrore nuk është e mundur.

Në Shqipëri, shumë hidrovore janë të amortizuara, funksionojnë me kapacitet të reduktuar ose aktivizohen vetëm gjatë emergjencave.

Këto objekte kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme mekanike dhe elektrike. Nëse një hidrovore nuk funksionon në momentin kritik, e bën të pavlefshëm gjithë sistemin e kanaleve përreth, thanë inxhinierët.

Minimizimi i dëmeve nga përmbytjet kërkon përgjegjësi më të qarta dhe koordinim mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Aktualisht, fragmentimi i kompetencave shpesh çon në situata ku askush nuk mban përgjegjësi të plotë për mirëmbajtjen e sistemit.

Decentralizimi i pushtetit vendor ka bërë lëmsh kompetencat edhe në rastin e mirëmbajtjes së sistemeve ujore.

Inxhinierët thanë se rreziku i përmbytjeve ulet ndjeshëm nëse bëhet funksionale infrastruktura aktuale.

Si mund të reduktohen përmbytjet në qytete

Një nga faktorët kryesorë që përkeqëson përmbytjet urbane është mbulimi i qyteteve me beton dhe asfalt, të cilat nuk lejojnë infiltrimin e ujit në tokë.

Inxhinieri Alket Kumaraku tha se ulja e sipërfaqes së papërshkueshme, përmes shtimit të hapësirave të gjelbra dhe përdorimit të materialeve të përshkueshme në trotuare, sheshe apo zona parkimi, ndikon drejtpërdrejt në uljen e sasisë së ujit që përfundon menjëherë në rrjetin e kanalizimeve.

Sipërfaqet e përshkueshme funksionojnë si një rezervuar i përkohshëm, duke lejuar infiltrimin ose mbajtjen e ujit në shtresat nën to dhe duke ulur presionin mbi tubacionet ekzistuese, të cilat shpesh janë projektuar për reshje më të ulëta se ato që po përjetohen sot, tha ai.

Vendosja e depozitave ose grumbulluesve nëntokësorë për ujërat e shiut

Depozitat apo grumbulluesit nëntokësorë janë zgjidhje teknike që synojnë të mbajnë ujin e reshjeve në pika strategjike të qytetit, përpara se ai të hyjë në rrjetin e kanalizimeve.

Z. Kumaraku tha se gjatë reshjeve intensive, një pjesë e ujit devijohet dhe ruhet përkohësisht në këto struktura, duke parandaluar tejkalimin e kapacitetit të tubacioneve.

Uji më pas shkarkohet gradualisht, kur rrjeti ka kapacitet të lirë, ose përdoret për qëllime të tjera teknike. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme në zona të dendura urbane, ku zgjerimi i rrjetit ekzistues është i vështirë ose shumë i kushtueshëm.

Këto depozita veprojnë si amortizatorë hidraulikë që reduktojnë rrezikun e daljes së ujit mbi sipërfaqe dhe përmbytjes së rrugëve apo ndërtesave.

Pastrimi dhe mirëmbajtja e kolektorëve në qendrat e banuara

Pastrimi i kolektorëve mbetet një element thelbësor në menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, tha z. Kumaraku.

Me kalimin e kohës, tubacionet dhe kolektorët mbushen me sedimente, mbetje urbane dhe inerte, duke ulur ndjeshëm kapacitetin e tyre hidraulik, duke bërë që edhe në reshje të zakonshme uji të rrjedhë mbi sipërfaqe.

Pastrimi periodik dhe mirëmbajtja sistematike rrisin kapacitetin efektiv të rrjetit ekzistues pa pasur nevojë për investime të mëdha infrastrukturore.

Në kushtet e ndryshimeve klimatike, ku intensiteti i reshjeve po rritet, mirëmbajtja e rrjetit është një masë minimale, por e domosdoshme për të shmangur përmbytjet urbane, tha ai.

Ndërgjegjësimi dhe integrimi i mbledhjes së ujërave të çative në projektim

Një masë shpesh e nënvlerësuar është krijimi i kulturës së mbledhjes së ujërave të çative, si në ndërtesat ekzistuese ashtu edhe në projektet e reja.

Uji i reshjeve nuk shkarkohet automatikisht në rrjet, por grumbullohet në depozita individuale ose kolektive për përdorim të mëvonshëm, ose për shkarkim të kontrolluar.

Sipas z. Kumaraku, integrimi i kësaj qasjeje që në fazën e projektimit të ndërtesave ul ndjeshëm prurjet që përfundojnë në sistemin publik gjatë reshjeve intensive.

Në shumë vende europiane, lejet e ndërtimit kushtëzohen nga parashikimi i masave të tilla, duke e bërë menaxhimin e ujit pjesë të projektimit urban dhe jo një problem që trajtohet vetëm pas përmbytjeve.

Tarracat e gjelbra dhe blu, si pjesë e infrastrukturës blu-gjelbër

Tarracat e gjelbra dhe ato blu janë një element kyç i infrastrukturës blu – të gjelbër, të promovuara edhe nga politikat dhe direktivat europiane për menaxhimin e ujërave atmosferike.

Inxhinieri Kumaraku tha se, në aspektin teknik, këto zgjidhje mbajnë një pjesë të reshjeve në nivelin e çatisë, duke vonuar shkarkimin e tyre drejt rrjetit.

Tarracat e gjelbra kombinojnë ruajtjen e ujit me avullimin dhe thithjen nga vegjetacioni, ndërsa tarracat blu synojnë kryesisht magazinimin e përkohshëm të ujit dhe lirimin e tij të kontrolluar.

Kjo ul ndjeshëm ngarkesën e menjëhershme mbi kolektorët gjatë reshjeve të forta. Përveç ndikimit në reduktimin e përmbytjeve, këto sisteme kontribuojnë edhe në uljen e temperaturave urbane dhe përmirësimin e mikroklimës, por nga pikëpamja hidraulike, vlera kryesore qëndron te vonesa dhe kontrolli i prurjeve.

Masat kundër përmbytjes, Shqipëria e vonuar

Pas vitit 1990, Shqipëria është përmbytur thuajse çdo vit, por ndërkohë planet dhe strategjitë kundër reduktimit të rrezikut kanë mbetur në letër. Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria hodhi për konsultim Planin Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP 2026–2036).

Dokumenti thekson se rreziku nga përmbytjet nuk mund të ulet vetëm me argjinatura ose punime në lumenj, por kërkon ndërhyrje të koordinuar në nivel baseni ujëmbledhës, territori dhe institucionesh.

Plani parashikon masa që synojnë fillimisht parandalimin dhe menaxhimin e rrezikut, përmes hartëzimit të detajuar të zonave që përmbyten, modelimit hidrologjik dhe përfshirjes së rrezikut klimatik në planifikimin urban dhe territorial.

Këto masa kanë për qëllim që përmbytjet të mos trajtohen më si ngjarje të papritura, por si rrezik i parashikueshëm, për të cilin vendimmarrja publike dhe investimet duhet të përshtaten që në fazën e planifikimit.

Paralelisht, dokumenti kërkon forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe rritjen e kapaciteteve institucionale në nivel qendror dhe vendor, pasi mungesa e koordinimit është identifikuar si një nga dobësitë kryesore në përballimin e përmbytjeve.

Një shtyllë tjetër qendrore e planit janë masat e bazuara te natyra, të cilat synojnë të ulin kulmet e prurjeve dhe të rrisin aftësinë thithëse të territorit. Këtu përfshihen restaurimi i brigjeve të lumenjve, rikthimi i fushave aluvionale që janë zaptuar nga ndërtimet, mbrojtja e ligatinave dhe pyllëzimi i baseneve ujëmbledhëse.

Logjika është që uji të ketë më shumë hapësirë për t’u shpërndarë në mënyrë të kontrolluar, në vend që të përqendrohet me forcë në shtratin e ngushtuar të lumenjve dhe të shkaktojë përmbytje të menjëhershme në zonat e banuara.

Vetëm një pjesë më e vogël e masave lidhet me ndërhyrjet infrastrukturore klasike, si ndërtimi ose forcimi i argjinaturave, stabilizimi i shtratit dhe brigjeve të lumenjve, përmirësimi i sistemeve të kullimit dhe mbrojtja e zonave urbane më të ekspozuara.

Plani e bën të qartë se këto ndërhyrje janë të domosdoshme, por nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me planifikim dhe masa parandaluese, pasi përndryshe rreziku thjesht zhvendoset nga një zonë në tjetrën.

Në lidhje me investimet, dokumenti vlerëson se zbatimi i plotë i masave të përshtatjes kërkon rreth 9.8 miliardë dollarë amerikanë, ose afërsisht 8.4 miliardë euro, deri në vitin 2042.

Pjesa më e madhe e kësaj kostoje lidhet me masat e bazuara te natyra dhe me ndërhyrjet planifikuese e institucionale, ndërsa investimet infrastrukturore zënë një pjesë më të vogël të totalit, por me kosto të larta.

Kjo shpërndarje tregon se ulja e rrezikut nga përmbytjet nuk mbështetet kryesisht te ndërtimi i veprave të reja, por te transformimi i mënyrës se si menaxhohet territori dhe uji.

Plani thekson gjithashtu se financimi aktual mbulon vetëm një pjesë shumë të vogël të këtyre nevojave, rreth 7%, duke krijuar një hendek financiar prej afro 93%.

Plani i ri sugjeron se zbutja reale e rrezikut nga përmbytjet kërkon masa të thella dhe të koordinuara, si dhe investime shumë më të mëdha sesa ato që po realizohen aktualisht. Pa këtë shkallë ndërhyrjeje dhe financimi, përmbytjet do të vazhdojnë të jenë një problem i përsëritur dhe gjithnjë e më i kushtueshëm për Shqipërinë.

Investimet në 2025, të ulëta dhe të fragmentuara

Sipas të dhënave nga thesari në Ministrinë e Financave, janë investuar në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit rreth 6 miliardë lekë gjatë periudhës 2023 – tetor 2025.

Tabela e projekteve të financuara nga janari në tetor 2025 tregon për 860 milionë lekë investime nga 1.2 miliardë lekë për të gjithë vitin. Fondet e vitit 2025 ishin më të ulëta se ato të dy viteve të shkuara, ku u alokuan nga 2.4 miliardë lekë për secilin vit.

Të dhënat nga tabela e investimeve të këtij viti në programin “Menaxhimi i ujitjes dhe kullimit”, të zbatuara nga bordet rajonale të kullimit në Durrës, Fier, Korçë dhe Lezhë, tregojnë një portofol investimesh që varion nga disa milionë deri në mbi 100 milionë lekë për projekte të veçanta.

Ndërhyrjet ndahen qartë në dy grupe kryesore, projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e rrezikut nga përmbytjet dhe projekte me fokus kryesisht bujqësor, me ndikim të kufizuar ose indirekt.

Projektet me peshën më të madhe për përmbytjet janë ato të mbrojtjes nga gërryerjet dhe përmbytjet e lumenjve.

Në këtë kategori hyn, ndër të tjera, mbrojtja e lumit Buna, me vlerë rreth 100 milionë lekë, si dhe ndërhyrje në lumenjtë Vjosë, Shushicë, Mat, Drin, Osum dhe Shkumbin, me projekte që zakonisht variojnë nga 7–30 milionë lekë dhe, në disa raste, arrijnë deri në 50 milionë lekë.

Këto investime që u kryen në vitin 2025 synuan stabilizimin e brigjeve, ndërtimin ose riparimin e argjinaturave dhe mbrojtjen e zonave të banuara dhe bujqësore nga dalja e lumenjve nga shtrati.

Një peshë të konsiderueshme zënë edhe projektet për rikonstruksionin e hidrovoreve dhe veprave të marrjes, si në Grethë, Synej, Orikum apo zona të tjera në Fier dhe Durrës, me vlera që shkojnë nga rreth 20 milionë deri në mbi 135 milionë lekë për projekt.

Në vitin 2025, pjesa më e madhe e projekteve dhe fondeve shkoi për rehabilitimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, përfshirë kanale kryesore dhe dytësore në Lezhë, Fier, Korçë dhe Durrës, me vlera nga 4–15 milionë lekë, deri në 30–50 milionë lekë në raste të veçanta.

Këto investime janë të rëndësishme për funksionimin e përditshëm të sistemit të ujitjes dhe për zbutjen e problemeve lokale. Megjithatë, në raport me shkallën e rrezikut nga përmbytjet, ato nuk mund të konsiderohen të mjaftueshme.

Shuma të shpërndara në shumë projekte të vogla, shpesh nën 20–30 milionë lekë, nuk janë të afta të ulin ndjeshëm rrezikun në basene të mëdha ujore si Buna, Drini, Vjosa apo Shkumbini, ku dëmet potenciale maten në qindra milionë euro.

Kronologji e përmbytjeve madhore në Shqipëri

1962–1963

Konsiderohet përmbytja më e madhe historike në Shqipëri. Reshje shumë të forta dhe të zgjatura gjatë dimrit sollën rritje ekstreme të prurjeve në Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. U përmbytën dhjetëra mijë hektarë tokë bujqësore në Ultësirën Perëndimore, ndërsa qytete si Shkodra dhe Lezha u prekën drejtpërdrejt. Kjo ngjarje shërben ende si pikë reference hidrologjike.

1970–1971

Përmbytje të mëdha, por më të lokalizuara, kryesisht në ultësirën bregdetare dhe zonat bujqësore. U evidentua për herë të parë nevoja për menaxhim më të koordinuar të baseneve ujore, por ndërhyrjet mbetën kryesisht mbrojtëse dhe lokale.

1983

Episode reshjesh intensive çuan në përmbytje në disa zona të Shqipërisë qendrore dhe veriore. Dëmet ishin më të kufizuara krahasuar me vitin 1963, por ngjarja konsiderohet si një paralajmërim i hershëm për rritjen e variabilitetit klimatik.

1996–1997

Një seri përmbytjesh në fund të viteve ’90, që shënojnë fillimin e periudhës moderne të përmbytjeve të shpeshta. Urbanizimi i pakontrolluar dhe degradimi i sistemeve kulluese e rritën ndjeshëm ekspozimin ndaj rrezikut.

2002–2004

Përmbytje të përsëritura, veçanërisht në Shkodër, Lezhë, Fier dhe Berat. Kjo periudhë shënon kalimin nga përmbytje episodike në fenomen pothuajse vjetor, me dëme të përsëritura në bujqësi dhe infrastrukturë.

2009–2010

Një nga episodet më të rënda pas viteve 2000. Përmbytjet në Shkodër dhe zonat përreth Drinit dhe Bunës ishin të gjera dhe afatgjata. U vu në qendër të debatit roli i menaxhimit të kaskadës së Drinit, argjinaturat dhe kapacitetet e shkarkimit.

2015–2018

Përmbytje të shpeshta, por më të fragmentuara, të lidhura me reshje shumë intensive në periudha të shkurtra.

2020–2023

Ngjarje më të lokalizuara, por me intensitet të lartë dhe ndikim urban (përmbytje të shpejta, rrugë dhe lagje nën ujë). Pothuajse çdo vit shënon të paktën një episod me dëme ekonomike./Monitor

Share it :
Çështja për të cilën BE-ja nuk bën kompromis me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë Dy ligje në Mal të Zi, që janë kontroverse prej perspektivës së Brukselit, amendamentet e ligjeve në sektorin e gjyqësorit në Serbi dhe dështimi për t’ia hequr imunitetin parlamentar ish-zëvendëskryeministres në Shqipëri, i kanë kthyer këto tri shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian sërish para testit kryesor për pranim, atij për sundimin e ligjit. Përparimi në të gjithë kapitujt që duhen mbyllur para anëtarësimit nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse vendet kandidate stagnojnë apo shënojnë kthim mbrapa në Kapitujt 23 dhe 24, të cilët, sipas metodologjisë evropiane të integrimit, hapen të parët dhe mbyllen të fundit. “Reformat e pakthyeshme në këto fusha janë kusht që partnerët e zgjerimit të përparojnë në rrugët e tyre të pranimit, duke i përmbushur standardet specifike”, ka rikujtuar Shërbimi për media i Komisionit Evropian në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë. “Reformat nuk janë vetëm për letër, shtetet duhet të demonstrojnë zbatimin e tyre dhe duhet të garantojnë besueshmëri përmes rezultateve të prekshme”, është thënë mes tjerash në përgjigje. Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të listës për t’u bërë anëtarë të rinj të bllokut evropian. Në këtë drejtim, Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka folur me kryeministrin malazez, Millojko Spajiq javën e kaluar në Podgoricë. Ju duhet të keni patjetër një gjyqësor të pavarur, që ka kapacitet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe të keni media të pavarura pasi ne nuk do të bëjmë kurrë kompromis në këto çështje”. Pse dy ligje po ia vështirësojnë Malit të Zi rrugën drejt BE-së? Ambiciet e autoriteteve në Mal të Zi që të bëhen vendi i 28-të anëtar i BE-së janë komplikuar pas miratimit të dy ligjeve kontroverse. Bëhet fjalë për amendamente në Ligjin për Çështje të Brendshme dhe Ligjin për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. Sipas Komisionit Evropian, këto amendamente nuk janë në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Direktivën për Zbatimin e Ligjit. Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave është ligj që përcakton se si mblidhen dhe ruhen të dhënat e individëve në Zonën Ekonomike Evropiane. Ajo i forcon të drejtat për privatësi, vendos obligime serioze për organizatat dhe vlen për të gjitha kompanitë në botë që procesojnë të dhëna të banorëve të BE-së. Direktiva për Zbatim të Ligjit rregullon mënyrën se si autoritetet e policisë dhe gjyqësorit në BE i procesojnë dhe mbrojnë të dhënat personale të individëve, sidomos të viktimave, dëshmitarëve dhe të dyshuarve për shkelje penale. Opozita malazeze dhe shoqëria civile i kritikojnë ndryshimet e bëra në Ligjin për Çështje të Brendshme pasi besojnë se ato i rrisin kompetencat e ministrit të Brendshëm, sidomos në emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të policisë, dhe kështu më pas hapet rruga për ndikim politik në punën e policisë. Sa i përket Ligjit për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, kritika më e shpeshtë ka të bëjë me dispozitat që lejojnë qasjen në bazat e të dhënave të organeve dhe institucioneve shtetërore, në disa raste pa vendim gjykate. Ndërkohë, Mali i Zi pritet të emërojë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, trupit kryesor të gjyqësorit, anëtarët e të cilit mund të emërohen dhe shkarkojnë gjyqtarë. Pse janë ligjet e reja problematike për rrugën e Serbisë në BE? Në rastin e Serbisë, BE-ja ka qenë e qartë. Pas miratimit të ligjeve të gjyqësorit, me nismë të partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq, kritikat kanë qenë të shpejta nga Brukseli, përfshirë prej Komisionares për Zgjerim, e cila ka vlerësuar se këto ligje kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe, sipas mendimit të saj, përbëjnë kthim mbrapa. Vuçiq është përgjigjur duke thënë se nuk e kupton për çfarë kthimi mbrapa bëhet fjalë, meqë Serbia ka stagnuar në rrugën drejt BE-së që katër vjet. Më 2021, Serbia e ka hapur grupin e kapitujve për agjendë të gjelbër dhe lidhshmëri të qëndrueshme, mirëpo përparim nuk është arritur. Ligjet në gjyqësor që kanë nisur të zbatohen, janë duke e shtyrë vendin në drejtim të kundërt me standardet evropiane. Bashkimi Evropian pati kërkuar që ligjet të mos miratoheshin dhe pasi Vuçiqi i ka nënshkruar ato, Brukseli ka thënë se zbatimi i tyre duhet të pezullohet derisa të ketë një opinion prej Komisionit të Venecias. Florian Biber, profesor për histori dhe politikë dhe drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit ka thënë se në një konstelacion të tillë politik, Serbia nuk ka shanse që t’iu afrohet strukturave evropiane. “Nuk ka të bëjë vetëm me sundimin e ligjit, por me mungesën e respektit për rregullat demokratike bazike. Është e qartë se regjimi aktual nuk është i interesuar në anëtarësim në BE, apo të garantojë se Serbia është shtet demokratik”, ka thënë Bieber. Sfidat e Shqipërisë Në vitin e kaluar, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt negociues, pavarësisht problemeve në sektorin e sundimit të ligjit. Sikur edhe me vendet tjera kandidate, Komisioni Evropian e ka përmendur në Raportin e Progresit, në tetor të vitit të kaluar se shqetësimet kryesore për Shqipërinë përfshijnë rritjen e presionit politik në gjyqësor, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe lirinë e kufizuar të medias. Sfida e fundit ka të bëjë me refuzimin e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e akuzuar për korrupsion. Deputetët nga Partia Socialiste në pushtet kanë refuzuar t’ia heqin asaj imunitetin dhe vendimi është mirëpritur prej vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Parlamenti ka bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”. Brukseli nuk është pajtuar me deklaratën e Ramës se kërkesa për heqje të imunitetit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën. Radio Evropa e Lirë ka mësuar që diçka e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezistencën e disa vendeve anëtare që t’ia garantojnë Shqipërisë një të ashtuquajtur IBAR pozitiv. IBAR është shkurtesë për Raportin mbi Vlerësimin e Përkohshëm të Standardeve ku vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, për Kapitujt kyç 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit. Derisa vendet e BE-së të mos e miratojnë në mënyrë unanime IBAR-in, Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve. Mali i Zi, për shembull, është dashur të presë për IBAR pozitiv, i cili është miratuar në qershor të vitit 2024, në mënyrë që të nisë mbylljen e kapitujve. Para këtij vendimi, hera e fundit që ka mbyllur kapituj ka qenë vitit 2017. A mund të mbyllet njëri sy? Pranimi i anëtarëve të rinj pa të drejtën e vetos, që aktualisht e kanë të 27 vendet anëtare të BE-së, është diçka për të cilën kanë avokuar, edhe Edi Rama, edhe Aleksandar Vuçiq në një artikull të përbashkët muajin e kaluar në të përditshmen gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, i cili i ka shtuar spekulimet se shtetet e Ballkanit Perëndimor “mund ta mbyllin njërin sy”. Florian Bieber beson se brenda këtij kuadri ligjor është e pamundur të ndahen konsideratat politike nga kriteret e sundimit të ligjit. “Sigurisht, elitat politike në Mal të Zi dhe Shqipëri e njohin momentumin politik dhe kanë prirje të jenë më pak të rrepta në lidhje me zbatimin. Megjithatë, në fund të fundit, nevojitet pëlqimi i 27 shteteve anëtare, i cili është larg të qenit i garantuar”, paralajmëron Bieber në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë. Komisionarja Kos ka folur në këtë drejtim në Parlamentin Evropian në fillim të marsit, duke e theksuar se statusi i liderit në këtë proces nuk garantohet përgjithmonë. Ajo u ka thënë Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë që “përparimi duhet të arrihet përmes reformave”. A mund të ndihmojnë “mekanizmat mbrojtës”? Mekanizmat mbrojtës nuk janë diçka e panjohur në proceset evropiane. Kur Bullgaria dhe Rumania janë pranuar në BE më 2017, Komisioni Evropian pati vendosur të miratojë anëtarësimin e tyre, pavarësisht reformave të papërfunduara në fushën e sundimit të ligjit, me kusht që dobësitë të vazhdojnë të adresohen pas anëtarësimit përmes të ashtuquajturit Mekanizëm Bashkëpunimi dhe Verifikimi, i cili mundësoi monitorimin pas anëtarësimit dhe vlerësimin e rregullt të progresit në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Ky mbikëqyrje pas anëtarësimit zgjati plot 16 vjet dhe përfundoi në vitin 2023. Për Florian Biberin, ekzistojnë zgjidhje për dilemat e mundshme të shteteve anëtare, dhe sipas tij, zgjidhja qëndron në një periudhë kalimtare që do t’u lejonte anëtarëve të rinj t’i zbatonin reformat pas anëtarësimit. Sipas tij, pranimi i Malit të Zi dhe ndoshta i vendeve të tjera në rajon do të sinjalizonte se ka një të ardhme për rajonin në BE. “Një projekt i tillë politik duhet t’i bindë skeptikët midis shteteve anëtare dhe duhet të përfshijë gjithashtu mekanizma të qëndrueshëm për të siguruar që anëtarët e ardhshëm do të respektojnë sundimin e ligjit”, vlerëson Biber. Megjithatë, ai beson se edhe nëse ndonjë anëtar i ri i plotëson të gjitha kriteret, nuk ka garanci se nuk do të ketë pengesa. Diçka e tillë ka ndodhur në Hungari, Poloni ose Sllovaki disa vjet pas anëtarësimit në BE, kur problemet me pavarësinë në gjyqësor dhe sundimin e ligjit dolën në pah në këto vende, sepse autoritetet shpesh përpiqeshin të ndikonin në gjykata, të kufizonin liritë e medias dhe të zvogëlonin kontrollin mbi institucionet e pavarura. /REL