Sonja Caka
Ndryshimet penale, autori i krimit rrezikon nga 20 vjet burg deri në “burgim të përjetshëm”
“Kushdo që do të ngrejë dorë mbi gruan duhet ta dijë mirë se do të ketë një dënim nga 20 vjet burg deri në burgim të përjetshëm dhe duhet ta kuptojë mirë se s`ka për të shpëtuar askush për të marrë një dënim më të ulët se ai që parashikon Kodi Penal, duke u përjashtuar nga çdo lloj lehtësie”. Ky ishte deklarimi i bërë nga ministri i Drejtësisë ditën që ndryshimet penale hynë në fuqi. Vrasja e Valbona Çarçanit nga ish-bashkëshorti është i pari krim brenda familjes që kalon te Krimet e Rënda për hetim, në bazë të dnryshimeve në Kodin Penal. Për këtë krim të kryer, autori i saj, Genci Çarçani rrezikon dënim nga 20 vjet deri në “burgim përjetë”, ndërsa për këto lloj krimesh nuk parashikohet asnjë lloj lehtësie dhe se minimumi që duhet të japë gjykata është 20 vjet, jo më pak.
Ndryshimet
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal parashikojnë Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda si organet kompetente për hetimin dhe gjykimin e disa akuzave të rënda. Ndryshimet e fundit ligjore përcaktojnë se krimi në familje gjithashtu do të jetë kompetencë e kësaj gjykate. Çdo vrasje në familje me viktimë personin bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues, ish-bashkëjetues, gjini e afërt apo krushqi me autorin, kalon në kompetencën e prokurorisë e më tej të Gjykatës se Krimeve të Rënda. Deri tani, Krimet e Rënda kishin si kompetencë hetimin e 31 veprave penale që kanë të bëjnë kryesisht me aktet terroriste, financimin e terrorizmit, trafiqet e paligjshme, si dhe vrasjet për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Që prej fillimit të muajit qershor të këtij viti, vrasjet për gjakmarrje, krimi në familje, vrasja e dëshmitarëve apo kallëzuesit e korrupsionit, si dhe disa krime të tjera i kanë kaluar në kompetencë Krimeve të Rënda. Përveç 31 neneve që përfshijnë kryesisht krimin e organizuar, Krimet e Rënda tashmë do të kenë kompetencë hetimin dhe gjykimin e disa veprave të tjera që si minimum dënimi parashikojnë 30 vjet heqje lirie. Bëhet fjalë për shtimin e nenit 78/a për “vrasje me dashje për gjakmarrje”, e cila dënohet tashmë me burgim jo më pak se 30 vjet ose me burgim të përjetshëm. Për vrasje të kësaj natyre, në të gjithë vendin kompetenca për t’iu nënshtruar shqyrtimit gjyqësor do të jetë e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Po ashtu edhe në nenin 79/a, që parashikon vrasjen e një shtetasi që kallëzon një krim, apo edhe vrasja e dëshmitarit si dhe nëpunësit të shtetit, hetimi dhe gjykimi do të kryhen përkatësisht nga Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda. Ndryshimet në Kodin Penal u botuan në Fletoren Zyrtare më datë 21 maj dhe 15 ditë pas publikimit, ato hynë në fuqi, duke bërë kështu Krimet e Rënda kompetente për hetimin dhe gjykimin e këtyre krimeve.
Divorci
Gjykatë, çifti Çarçanu u ndanë dy vjet më parë
Dy vjet më parë, çifti Valbona dhe Genci Çarçani janë përballur në gjykatë për çështjen me objekt prishja e martesës. Iniciatore për këtë divorc mes tyre ka qenë Valbona, e cila para gjykatës ka argumentuar mes saj dhe bashkëshortit janë tronditur raportet bashkëhsortore, nuk shkojnë më dhe për këtë arsye duan të ndahen. “Nga hetimi gjyqësor dhe provat e administruara në gjykim, rezultoi se palët ndërgjyqësa janë bashkëshortë. Ata kanë lidhur martesë ligjore në datë 06.05.1988 dhe nga kjo martesë kanë dy fëmijë, të quajtur Giorgia Çarçani e dtl. 11.12.1993 dhe Barbara Çarçani e dtl. 02.06.1995” thuhet në vendimin e gjyqtarit Altin Abdiu. Sipas dekalrimeve të paditëses, martesa e tyre në fillimet e saj ka funksionuar normalisht. Gjatë jetës së përbashkët, kanë lindur kontradita të shumta për shkaqe të ndryshme si vështirësia ekonomike, vështirësia për të arritur në një vendim marrje të përbashkët, probleme komunikimi, grindje të vazhdueshme shkaqe këto të cilat kanë bërë që martesa midis tyre të tronditet thellë dhe të humbas funksionin e saj. “Për sa më sipër, për shkak mosmarrëveshje të shumta, grindjeve të vazhdueshme, vazhdimi i bashkëjetesës është bërë i pamundur. Duke patur një situatë konfliktuale në familje, martesa e ka humbur qëllimin e saj dhe të dy palët kanë qenë të ndërgjegjshëm se nuk mund të vazhdohej më në këtë gjendje” vijon gjykata në vendimin e saj. Në këto rrethana paditësia i është drejtuar gjykatës më padi për zgjidhjen e martesës dhe pasojave që rrjedhin nga zgjidhja e saj, pa i hyrë problemit të fajësisë. Duke qenë se marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur e nuk mund të gjejnë rregullim, paditësja Valbona Çarçani kërkoi zgjidhjen e kësaj martese, kërkesë e cila u pranua edhe nga pala e paditur. Gjykata çmoi nga tërësia e provave të marra gjatë gjykimit se kjo martesë ka humbur qëllimin për të cilin është krijuar, marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur thellë e nuk mund të gjejnë rregullim, prandaj duhet të pranohet kërkesa e paditëses dhe në mungesë të provave për fajësinë kjo martesë duhet të zgjidhet pa faj. Kështu, pasi tri seancash gjyqësore, më 2 maj të vitit 2011, gjykata vendosi të pranojë ëkrkesën për prishje të martesës. Në vendim, gjyqtari Abdiu përcaktonte se dy vajzat do rrinin me Valbona Çarçanin, e cila edhe pas divorcit mbajti mbiemrin e martesës, ndërsa babai duhej të paguante çdo muaj shumën e 10 mijë lekëve të reja për secilën vajzë. Gjithashtu, përcaktohej edhe koha kur Genci Çarçani duhej të takonte dy vajzat e tij.





