Grusht shteti në Egjipt, ushtria arreston Presidentin Morsi Presidentin Morsi e kanë mbyllur në një kazermë që e kanë rrethuar me tela me gjemba

egjiptNë Egjipt ka nisur një “grusht shteti” që prej orës 17:00 të ditës së djeshme. Sipas mediave “CBC” e “Al Hayat”, në orën 19:25, mediat e huaja raportuan nga Kajroja se Presidentin Morsi e kanë mbyllur në një kazermë që e kanë rrethuar me tela me gjemba. Gjithashtu, ata kanë rrethuar edhe ndërtesën e partisë “Vëllezërit Myslimanë”. Presidentit i është ndaluar kështu arratisja nga Egjipti. Po kështu, korrespondentët e huaj thonë se kanë parë ushtarakë të pozicionohen pranë xhamisë Baba Adauea, ku me dhjetëra mijëra militantë të “Vëllezërve Myslimanë” janë mbledhur për të kërkuar respektimin e Kushtetutës. Këto media shprehen: “Uashingtoni thotë jemi “tepër të shqetësuar” prej situatës në vend. Sipas Shtëpisë së Bardhë, nuk ka propozime të mjaftueshme në fjalimin e Morsit”. Ultimatumi i ushtarakëve që kërkuan dorëheqjen e Presidentit Morsi skadoi në orën 17:00 të ditës së djeshme. Minutat e fundit të ultimatumit, komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Egjiptiane, Abdel Fattah-al Sissi, hyri në një takim me disa autoritete fetare dhe politike në pritje të dorëheqjes së Presidentit. Por, ky i fundit, deklaroi në profilin e tij në Facebook rreth 30 minuta para skadimit të ultimatumit: “Nuk do ta jap dorëheqjen, por jam i gatshëm të bëj qeveri koalicioni”. Tanke dhe autoblinda janë vendosur në pika strategjike të Kajros dhe pranë Presidencës, përfshirë televizionin shtetëror. Opozita egjiptiane ka publikuar në internet një orë dixhitale të quajtur “Morsi Timer”, e cila shfaq minutat e fundit të skadimit të kohës për dorëheqjen e Presidentit. “Sot (dje) duhet të dorëhiqet Mohamed Morsi nga pushteti ose do të mobilizohet ushtria”, – thuhet në komunikatën e fundit të liderëve ushtarakë në Egjipt. Sot është dita më e rëndësishme për Egjiptin pas rrëzimit të Hosni Mubarakut në vitin 2011, shkruajnë mediat e huaja. Populli egjiptian është ndarë në dy pjesë: në një anë, me Presidentin janë mijëra mbështetës të Vëllazërisë Myslimane dhe nga ana tjetër, qytetarët e pakënaqur nga revolucioni i “Pranverës Arabe” që rrëzoi Hosni Mubarakun për një sistem më të mirë.

Ku ndodhet Presidenti? 
Ndërsa gjithë bota ka kthyer sytë tek situata në Egjipt, dilemat janë pas skadimit të ultimatumit që vendosi ushtria, ku ndodhet morsi. është larguar nga pallati presidencial apo jo.
Disa thonë që ai ndodhet ende aty, ndërsa mediat të ndryshme shprehen se morsi fshihet në një kazermë. Po sipas mediave ushtria e ka rrethuar kazermën me tela me gjemba dhe mban në arrest. Ndërkohë që tubimi i turmave në Kajro vazhdon, bilanci i viktimave u rrit në 16 të vdekur dhe mbi 200 të plagosur në përleshjet që ndodhën pranë Universitetit të Kajros. Siç është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë, persona të paidentifikuar sulmuan një grup mbështetësish të Presidentit egjiptian Mohamed Morsi.

Dorëhiqet qeveria

Protestat popullore kundër Presidentit Mohamed Morsi kanë lënë pasojat e fundit politike. Ministrat e Turizmit, Telekomunikacionit, Ambientit, Burimeve Hidrike dhe Marrëdhënieve me Parlamentin do të paraqesin me shkrim dorëheqjen e tyre. Lajmi bëhet i ditur nga burime të mediave të huaja pranë qeverisë egjiptiane, ndërsa agjencia “Menea” raporton se ministrat janë bashkuar për të plotësuar letrën e dorëheqjes së tyre ku do të shpjegojnë motivin se janë kundër politikave të qeverisë dhe se do të bashkohen me manifestuesit kundër Morsit.

“Zhduku!”

Fushata e opozitës Tamarod (nga arabishtja ‘rebelim’), e cila pretendon se ka mbledhur më shumë se 22 milionë nënshkrime kundër Presidentit, e vlerësoi fjalimin e Morsit si një “thirrje për luftë civile”. Gjithashtu, edhe turma e njerëzve e mbledhur në sheshin “Tahrir” në Kajro reagoi me zemërim dhe bërtiti: “Zhduku! Ne nuk të duam!” Lëvizja e protestës e kritikon Presidentin Morsi kryesisht për shkak të stilit të tij autoritar, islamizimit progresiv në vend dhe gjithashtu për shkak të përkeqësimit dramatik të gjendjes ekonomike. Ndërkaq, ithtarët e Presidentit Morsi e shohin konfliktin kryesisht si luftë për pushtet ideologjik – për ose kundër Islamit. Ushtria tashmë ka plane të gjithanshme në rast se Morsi nuk heq dorë, thonë ata. Agjencia e lajmeve “Reuters” ka mësuar nga burime ushtarake se ajo do të shfuqizojë kushtetutën dhe do të shpërndajë parlamentin e dominuar nga islamikët. Deri në miratimin e një kushtetute e re, vendi do të udhëhiqet nga një Këshill Tranzitor, i cili do të përbëhej kryesisht nga civilë, nga përfaqësues të grupeve politike dhe ekspertë. Kushtetuta do të duhej të ndryshohet brenda disa muajve. Pastaj duhet të zgjidhet një president i ri. Zgjedhjet për Parlamentin e ardhshëm duhet të bëhen vetëm atëherë kur të ekzistojnë rregulla të rrepta për përzgjedhjen e kandidatëve.

 

Një çift në Gjermani u dënua për spiunim për Rusinë

Një gjykatë në Shtutgart të Gjermanisë dje e ka dënuar një çift bashkëshortor lidhur me akuza për spiunim për Rusinë. Çifti Andreas dhe Hidrun Anschlag, janë dënuar përkatësisht me gjashtë vjet e gjysmë dhe pesë vjet e gjysmë burg dhe janë gjobitur me 500 mijë euro. Burri dhe gruaja, që pretendojnë se janë austriakë me prejardhje nga Amerika Jugore, kanë jetuar në Gjermani prej viteve ‘80, ndërsa dyshohet se kanë përdorë dokumente të falsifikuara. Ata dje janë shpallur fajtorë për transmetimin e materialeve sekrete të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në Shërbimin e inteligjencës së jashtme ruse. Raportohet se ata kishin dërguar informata nëpërmjet Internetit, me komunikime satelitore ose në vendet e fshehura. Ata ishin arrestuar në tetor të vitit 2011 dhe në janar janë paraqitur para gjykatës.

 

 

BERZH jep 75 milionë euro për Ballkanin Perëndimor

Vendet e Ballkanit pritet të përfitojnë nga një fond për efikasitetin e energjisë dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme. Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim ka zbuluar se plani që përfshin vende si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia ka një fond prej 75 milionë euro, transmeton “Shekulli online”. Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, me këtë rast është shprehur se çmimi i energjisë po rritet dhe se, “përmirësimi i efikasitetit të saj dhe rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme është një përgjigje efektive për këtë sfidë”.

 

Share it :