Greqi/ Dhunë dhe elektroshok, gjendet i vdekur Ilir Kareli

Anxhela Tato

 

I dënuari u transferua për izolim në Nigritas, kishte shenja dhune në trup, refuzoi dërgimin në urgjencë

 Autopsia: 40-vjeçari ka thyerje të dërrasës së kraharorit, i është nënshtruar elektroshokut 24 orë para transferimit

 

ilir kareli tranferimiGjendet i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas i dënuari shqiptar Ilir Kareli, i cili sapo ishte transferuar pasdite për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje. Ilir Kareli ishte kthyer nga Prokuroria, pas marrjes në pyetje në lidhje me krimin e ndodhur më 25 mars, kur i dënuari shqiptar vrau me thikë një gardian grek. Sipas dëshmive, i dënuari shqiptar kishte shenja dhune dhe gërvishtje në trup, por nuk ka pranuar që të transferohej në urgjence. Ai ka qëndruar tërë kohës i shtrirë deri në momentin kur shefi i gardianëve ka konstatuar se nuk po shfaqte më shenja jete. Ka qenë pikërisht ky momenti kur i dënuari është dërguar për mjekim në spital, por çdo gjë ka qenë e kotë pasi 40-vjeçari ishte i vdekur. Nga rezultati i autopsisë u konstatua se i dënuari ka thyerje të dërrasës së kraharorit, çka i ka shkaktuar komplikacione në aparatin respirator, hemorragji të brendshme. Në mungesë të një ndërhyrjeje kirurgjikale në kohë i dënuari ka vdekur në dhomën e izolimit. Sipas mjekut Kareli është dhunuar dhe torturuar me sende të forta para 48 orësh. Nga ekspertiza rezulton se Karelit i janë dhënë goditje me elektroshok. Ndërsa nga ana e stafit të burgut nuk është dërguar për mjekim më të specializuar në spital. Ndonëse shenjave të dukshme të dhunës, shefi i gardianëve nuk e ka dërguar për mjekim për shkak të refuzimit të vetë 40-vjeçarit. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë greke është kërkuar nisja e hetimeve për zbulimin e autorëve të dhunës makabër mbi të dënuarin si dhe shkeljet që mund të jenë bërë nga stafi i burgut. Vdekja e Karelit mund të jetë një shenjë hakmarrje për vrasjen e gardianit grek mesditën e 25 marsit.

 

Rezultatet e autopsisë

 Rezultatet e autopsisë së trupit të 40-vjeçarit shqiptar Ilia Kareli tregojnë se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet. Rezultatet e autopsisë konfirmojnë se 40-vjeçari kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para më shumë se 24 orësh dhe jo me duar, por me mjete te tjera. Ndërkohë për tv SKAI mjeku ligjor ka deklaruar se veç thyerjeve e goditjeve të shumta, Kareli duhet të jetë torturuar. Në pëllëmbë kishte shenja tronditjeje, që po interpretohen në media si shenja të elektroshokut. Trupi i shqiptarit pritet të kthehet nga Selaniku në Nigrita për t’u marrë nga të afërmit e tij.

 

Vdekja e shqiptarit

 Ilia (Ilir) Kareli, shqiptari që vrau rojën në burgun grek të Malandrinos, u gjet mbrëmë para mesnate i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas në Serres, ku ishte transferuar pasdite për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Rreth orës 23:30, gardiani i shërbimit vërejti se Kareli prej një kohe të gjatë nuk jepte shenja jete. U njoftua menjëherë urgjenca dhe Kareli u dërgua në spitalin e Serresit. Ndërkaq në pamjet e kamerave të sigurisë, i dënuari dukej se nuk ka qenë i qetë në momentet përpara se të jepte frymën e fundit. Kamerat e tregojnë 40-vjeçarin shtrirë në shtrat, merr frymë thellë e me vështirësi. Ministria e Drejtësisë urdhëroi fillimin e hetimeve të menjëhershme rreth kësaj ngjarjeje.

 Dëshmia/ Shefi i gardianëve: Iliri kishte shenja dhune, por nuk u ankua, na kërkoi një litar

 Më herët mediat greke botuan dëshmi të zyrtarëve të burgut, sipas të cilëve, kur Kareli mbërriti në burg të enjten rreth orës 16:00, kishte shenja goditjeje në trup, gërvishtje dhe hematoma. Ai nuk u ankua për dhimbje dhe kur i kërkuan që ta dërgonin në ambulancë nuk pranoi por bërtiti: “Më sillni një litar!” Sipas shefit të rojeve të burgut, Kareli që nga momenti i mbërritjes në burgun e Nigritas deri në momentin kur ndërroi jetë, nuk pati kontakt me asnjë të dënuar apo zyrtar në burg. Qelia e izolimit u krijua posaçërisht për të, ishte e survejuar me kamera dhe çdo lëvizje e tij është e regjistruar. Vlen të theksohet se faqja e internetit “Indimedia” kishte shkruar më herët, se i dënuari Ilia Kareli është rrahur gjatë transferimit nga burgu i Malandrinos në Nigrita. Në rrugë zyrtare Ministria greke e Drejtësisë pohoi: “I pandehuri, 40-vjeçari Ilia (Ilir) Kareli u transferua të enjten në burgun Nigritas (27 mars), për arsye të sigurisë personale. Është vendosur në një dhomë për të sapoardhurit dhe u veçua nga të burgosurit e tjerë në orën 18:30, kështu që nuk ka pasur monitorim të vazhdueshëm nga stafi i burgut. Më tej njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë thekson se rreth orës 23:30, zyrtarët të institucionit të paraburgimit vunë në dukje se Ilir Kareli u zhvendos dhe qëndroi për orë të tëra në shtrat. Pastaj hyri në qeli dhe ka pasur mungesë të vetëdijes. Kontaktoi me ambulancën, e cila erdhi për 17 minuta dhe u transportua në spital, ku edhe vdiq.

 

 

Tensione në disa burgje nga të dënuarit shqiptarë

 Ndërkaq në burgjet e Malandrinos, Patras, Dhomoks dhe Trikalas ka pasur tensione të shkaktuara nga të dënuarit shqiptarë, të cilët janë zemëruar pas vdekjes së Ilir Karelit në burgun e Nigritas. Megjithatë, bëhet e ditur se pas disa orësh situata u vu nën kontroll pa incidente të mëdha dhe autoritetet janë në gatishmëri të plotë.

 

Federata e punonjësve të burgjeve: Keqardhje për çdo jetë të humbur

 Në një deklaratë, Federata e punonjësve të Burgjeve, shpreh keqardhjen për vdekjen e të dënuarit shqiptar në qeli dhe deklaron se humanizmi nuk i lejon të bëjnë dallim për jetët e humbura, qofshin ata punonjës apo të dënuar. “Në kërkojmë burgje, ku të mos ketë humbje jete nga asnjë palë dhe dënojmë çdo formë shpagimi apo hakmarrjeje, sepse vlerat universale të jetës janë drejtuesi ynë”, – thuhet në deklaratë.

 

Ish-zv.ministri Kreshnik Çollaku: Qeveria të mos heshtë, të kërkojë sqarime

 Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku ka reaguar për vrasjen e dyshuar të shqiptarit Ilia Karelit, i burgosur në Greqi. “Ministria e Jashtme dhe Ambasada Shqiptare në Athinë nuk mund e nuk duhet të heshtin ndaj kësaj vrasje barbare nga autoritet zyrtare. Shteti nuk mund të barazohet as me atë që bën krimin”, – ka thënë Çollaku. Sipas Çollakut, ky është rast flagrant i shkeljes së çdo ligji me të drejtë ndërkombëtare. “Shtetasi i vrarë në burgun grek, nga gardianë grek, është shqiptarë dhe është detyrë e qeverisë shqiptare të ngre zërin e kërkojë sqarime e qëndrime pa komplekse e droje për rastin”, – thuhet në reagimin e ish-ministrit të Jashtëm, Kreshnik Çollakut.

 

Avokati i Popullit: Ministri Bushati të ndjekë nga afër situatën

 Avokati i Popullit, Igli Totozani, i kërkon ministrit të Punëve të Jashtme që të ndjekë nga afër zhvillimet që kanë të bëjnë me hetimin e vdekjes së shtetasit shqiptar Ilia Kareli në burgun e Malandrionos në Greqi. Përmes një letre drejtuar ministrit Bushati, Avokati i Popullit thekson se “një rol aktiv i Ministrisë së Punëve të Jashtme në sqarimin e rrethanave të vdekjes së shtetasit shqiptar Ilia Kareli, do të ishte i domosdoshëm dhe domethënës në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të shtetasve shqiptar kudo që ata ndodhen”.

 

AK: Kryeministri të mos heshtë, emigrantët nuk mund të ndihen jetimë

 Aleanca Kuqezi ka reaguar për vrasjen e Ilia Karelit. Sipas AK, shtetasi shqiptar u vra në mënyrë barbare. Duke i shprehur ngushëllime të sinqerta familjarëve, AK bëri me dije se: “Greqia nuk mund t’i trajtojë shqiptarët si skllevër. Policia greke i theu kraharorin Ilia Karelit”, – thotë AK. “Kryeministri Rama të mos heshtë, pasi emigrantët shqiptarë nuk mund të ndjehen jetimë”, – thuhet në reagimin e Aleancës Kuqezi.

Share it :