Gratë në Irak përdhunohen dhe shiten për 150 dollarë

grate ne irakAnëtarja e vetme Yazidi (grup etnik) e Parlamenti irakian thotë se situata e të drejtave të njeriut në vendin e saj është duke u përkeqësuar. Vian Dakhil thotë se militantët e Shtetit Islamik rrëmbejnë, përdhunojnë dhe shesin gra Yazidi.

“Ato janë ende pa strehë, flejnë në rrugë. Situata nuk është e mirë dhe dimri është afruar”, – thotë Dakhil. Dakhil ka qenë fituese e Çmimit Anna Politkovskaya për vitin 2014. Ajo tani është duke u shëruar nga plagët që ka pësuar nga rrëzimi i helikopterit më 12 gusht në malin Sinjar, në veri të Irakut. Thotë se militantët kanë detyruar gratë e krishtera të largohen nga shtëpitë, porse gratë Yazidi kanë fat edhe më të keq.

“Vetëm gratë Yazidi rrëmbehen. Nuk e dimë pse pikërisht gratë Yazidi janë në shënjestër”, – thotë Dakhil.

Sipas saj, nga më shumë se 500,000 banorë Yazidi në Irak, rreth 25,000 vajza janë rrëmbyer nga Shteti Islamik.

“Ne nuk e dimë saktësisht se ku janë të gjitha ato, por disa mbahen në burgje të ndryshme këtu në Irak dhe disa janë dërguar në Siri. Ato përdhunohen dhe shiten – 150 dollarë për një vajzë”, – tregon Dakhil, duke bërë thirrje edhe për ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

“I bëj thirrje secilës qeveri, jo vetëm tonës, që të ndërmarrin masa për t’i shpëtuar këta njerëz, sepse situata është vërtet e keqe. Ajo çfarë ndodh këtu nuk mund të zgjidhet vetëm nga Qeveria e Irakut. Jam e sigurt”, thotë Dakhil. Ajo ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare në muajin gusht, ku ka folur në vaj para Parlamentit irakian për banorët Yazidi të bllokuar në malin Sinjar, i cili ka qenë i rrethuar nga militantët e Shtetit Islamik. Ajo e ka përshkruar gjendjen atje si gjenocid.

“Familja ime po theret, irakianët po vriten… edhe sot banorët Yazidi janë duke u therur. Vëllezër, larg nga të gjitha mosmarrëveshjet politike, ne duam solidaritet humanitar. Flas këtu në emër të njerëzimit. Na shpëtoni”, – u ka thënë ajo deputetëve më 5 gusht. Kryetari i parlamentit i ka ndërpretë fjalimin, ndërsa të tjerët kanë heshtur. Ky fjalim ka tërhequr edhe vëmendjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili i është referuar deputetes Dakhil, kur ka njoftuar për sulmet ajrore të SHBA-së kundër Shtetit Islamik në Irak, më 7 gusht.

“Këtë javë, një irakiane ka qarë para botës, se askush nuk iu ndihmon. E pra sot, Amerika po vjen për të ndihmuar”, – ka thënë Obama.

Share it :