UEFA ka deklaruar në një njoftim zyrtar se ndeshja është pezulluar, pasi në fushë kanë hyrë tifozë
Një përballje e madhe dhe historike u përcaktua nga mediat gjithë kjo ndeshje. Një sfidë që kishte brenda edhe karakter historik dhe politik. Mirëpo për serbët ka qenë më shumë se kaq. Ndeshja filloi me shumë presion teksa lojtarët tanë nuk arrinin dot të dëgjonin as himnin për ta respektuar. Më pas filloi edhe sfida, e cila nuk ishte e qetë dhe që u pasua nga shumë përballje fizike në fushë. Ishin serbët, të cilët duke përfituar edhe nga efekti fushë u hodhën përpara për të sulmuar. Sulmet nga krahët ishin më të shpeshta dhe më të mëdha. Ishte i pari Tosiç ai që provoi të rrezikonte portën e Berishës. Teksa sulmuesi serb tentoi përsëri pak minuta më vonë. Një presion i skuadrës serbe që kuptohej duke pasur parasysh se janë në fushën e tyre. Kuqezinjtë arrijnë të mbroheshin mjaft mirë dhe mbulojnë hapësirat duke mos u dhënë shumë raste. Është Ivanoviç ai që ka rastin më të pastër duke dalë ballë përballë me portën po gabon. Loja e kundërshtarëve bëhet e lexueshme dhe pastaj fillon edhe pika e kthimit nga kuqezinjtë. Një ndeshje e cila mori rrymë tjetër, pasi me disa instruksione të De Biazit loja ndryshoi. Lenjani, Xhaka apo dhe Abrashi ishin mjaft të lëvizshëm dhe zbërthyen mjaft mirë mesfushën serbe. Bala edhe i vetëm në sulm arrinte të mbulonte mjaft mirë hapësirat e tij dhe të hapte probleme. Këtu do të fillonin edhe rastet për skuadrën tonë që do të viheshin rrezikshëm para portës. Pas disa topash nga krahët dhe krosesh, është Mavraj ai që ka shanin e parë të pastër. Pas një gjuajtjeje të lehtë të Abrashit, mbrojtësi e shoqëron topin lehtë me këmbë, por që përfundon në duart e portierit serb. Ndërsa nuk do të vononin as rastet e tjera të rrezikshme, pasi pak më vonë do të ishte Cana ai që do të provonte shanset. Kapiteni i kuqezinjve do të fluturonte mbi mbrojtjen serbe, por nuk do të arrinte të shënjestronte në mënyrën e duhur portën. Pak më vonë provon edhe shanset e tij Lenjani, por pa rezultat. Gjithçka fillon të prishet në momentin kur nga një goditje këndi jona tifozeria serbe gjuan me mjete në drejtim të Ansi Agollit, duke sjellë edhe nxehjen e gjakrave. Pas kësaj do të vinte edhe skenari i dytë që do të prishte edhe gjithë lojën. Stadiumi i Beogradit do të shpërthente në momentin kur një avion i vogël me flamurin shqiptar që mbante Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin dhe hartën e madhe të Shqipërisë etnike me shkrimin “autoktonë”. Një banderolë e cila do të prishte gjithçka dhe tifozeria e kundërshtarëve do të hidhej në sulm për të ushtruar dhunë në drejtim të lojtarëve, duke hedhur sende apo duke shkuar dhe vetë brenda. Përplasja midis lojtarëve të skuadrave e nxehu dhe më shumë gjendjen, çka solli edhe vendimin e arbitrit anglez që të ndërpriste ndeshjen dhe pas disa përplasjeve të lojtarëve kuqezi me tifozët arritën që të futeshin në dhomat e zhveshjes. Është pritur për 30 minuta derisa është marrë vendimi dhe nga UEFA që e ka parë të nevojshme mbylljen e ndeshjes, për shkak të ngjarjeve që ndodhen. Një vendim i drejtë, duke parë se ne fushë nuk mund të flitej më për futboll apo respektim të kundërshtarit.
Një sërë fotosh dhe videosh treguan atë se çfarë ndodhi në stadiumin e Beogradit
Një përleshje e madhe që kaloi çdo dimension sportiv. Nuk flitej për futboll, por për dhunë dhe racizëm. Një atmosferë që vërtetoi edhe një herë se në Serbi nuk mund të mbyllej një ndeshje në mënyrën e duhur. Një sfidë e cila ishte shumë e fryrë mediatikisht dhe që tifozët serbë e shkatërruan atë lojë që për aq sa u zhvillua ishte një ndeshje e bukur. UEFA ka ndërprerë çdo gjë, duke parë se situata ka qenë e papërballueshme dhe nuk ka pasur më vend për të luajtur futboll. Një zbarkim i tifozëve në fushë që janë munduar që të sulmojnë lojtarët shqiptarë të cilët menjëherë u vunë në mbrojtje të banderolës së ngritur më avionin e vogël. Një avion që sipas raportimeve mendohet të jetë bërë nga fanatikët e Shkupit që nëpërmjet një postimi në Facebook kanë deklaruar se janë ata që e bënë gjithë këtë veprim për t’i dhënë zemër kombëtares shqiptare. Tifozët shqiptarë kanë qenë të vendosur pak metra larg stadiumit teksa kanë vënë në punë edhe atë ide mjaft të bukur. Ndërkohë që njoftohet se këta persona janë vënë në kërkim nga policia serbe.
Cana dhe Balaj luftojnë për Flamurin
Pas marrjes së flamurit nga lojtarët shqiptarë kanë ardhur dhe sulmet e tifozerisë, teksa një fanatiks ka kafshuar dhe ka goditur Bekim Balën. Pa kësaj ka qenë Lorik Cana ai që ka tërhequr tifozin, duke e shtrirë në tokë dhe është përleshur me të. Vlen të theksohet se punonjësit e sigurisë serbë treguan që janë aq joprofesionalë, aq sa një prej tyre ka tentuar të godasë kapitenin e kombëtares.
Kombëtarja dhe stafi në gjendje të mirë
Pas futjes së kombëtares kuqezi në dhomat e zhveshjes është dhënë edhe një njoftim nga sekretari i FSHF, Ilir Shulku, i cili ka deklaruar se të gjithë janë shëndoshë e mirë dhe nuk ka pasur asnjë problem për asnjë nga lojtarët e skuadrës që u përleshën dhe fizikisht. Burimet nga Federata Shqiptare brenda ekipit kombëtar raportojnë se dy lojtarë mund të jenë të lënduar nga incidenti që ndodhi në fushë gjatë ndeshjes ndaj Serbisë. Njoftohet nga brenda ekipit kombëtar se dy lojtarë mund të jenë të lënduar nga incidenti kur ultrasit serbë hynë në fushë dhe sulmuan kapitenin legjendar Lorik Cana dhe sulmuesin Bekim Balaj. Raportohet se kombëtarja shqiptare është larguar nga stadiumi dhe se të gjithë janë të sigurt nga ekipi. Ndërkohë që më vonë ka ardhur njoftimi se edhe gazetarët dhe personat e tjerë që ishin aty për kombëtaren shqiptare janë të sigurtë dhe janë vënë nën mbikëqyrje për t’u mbrojtur. Personat që duhet të ktheheshin në Shqipëri kanë qenë të izoluar në ambientet e stadiumit.
Xhaka: Mos e prekni flamurin e Isa Boletinit
Taulant Xhaka dhe Andi Lila ishin dy “heronjtë” tanë kryesorë, të cilët ishin të parët që e mbrojtën flamurin tonë krenarë. Xhaka ka shkruar në Facebook: “Flamuri Kuq e Zi dhe Isa Boletini valvitet në fushë, dhe vrapova e kapa nuk e lash shkavin ta prekë”.
Delegati i UEFA-s: Nuk e di kush është fajtori
Delegati për ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, Harry Been, ka thënë se akoma nuk mund të komentojë se kush është fajtor për ndërprerjen e ndeshjes. “Pas të gjithë asaj që pamë, nuk mundëm ta vazhdonim ndeshjen. Nuk mund të komentoj se kush ishte fajtor, këtë do ta vendosë Komisioni Disiplinor i UEFA-s, pas raportit tim, si edhe raportit të mbikëqyrësit special për siguri”, – ka deklaruar holandezi.
Cana dhe Ivanoviç vendosin paqe
Ndërkohë që pas gjithë ngjarjeve ka ndodhur një takim midis dy kapitenëve që kanë rënë dakord për vendimin. Mbrojtësi i Çelsit dhe i kombëtares serbe është shprehur se skuadra distancohet nga këto veprime, pasi janë jashtë çdo rregulli dhe futbollit. Ndërkohë që kthimi i kombëtares u njoftua se do të behej në 01:30 në Tiranë.
Rama: Keqardhje, por fqinjët lanë nam botërisht!
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka përshëndetur ndeshjen e kombëtares sonë për aq kohë sa kishte lojë, siç thekson ai, ndërsa shpreh keqardhje për fqinjët, që sipas Ramës lanë nam botërisht për dhunën e ushtruar. Përmes një postimi në Twitter, Kryeministri komenton incidentin e paprecedentë në Beograd çka solli edhe ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes. “Krenar per Kuqezinjte qe per sa pati futboll fituan me loje e me raste / Keqardhje per fqinjet qe lane nam boterisht me shfaqjen e shemtuar.” shkruan Rama.
Basha: Përpara shqipe
Lidhur me incidentin ka reaguar dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili me anë të një mesazhi në rrjetin social Facebook i ka dhënë mbështetje kombëtares shqiptare. “Përpara shqipe”, – citohet në mesazhin kuptimplotë të Bashës.
Bushati: Futbolli të mos merret peng nga ekstremizmi
Një tjetër zë i politikës shqiptare që ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Beograd ka qenë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Me anë të një reagimi në rrjetin social Twitter ka theksuar se ndihet i zhgënjyer nga kjo ngjarje. “Të mos merret peng nga ekstremizmi. Krenar për ekipin tonë, tregoi maturi”, – citohet në mesazhin e Bushatit.
Mediat e huaja: Turp Serbisë
Mediat e huaja, si ato britanike, ashtu edhe gjermane, e kanë cilësuar si të turpshëm veprimin e tifozëve dhe organizatorëve të ndeshjes Serbi – Shqipëri.
“Skandaloze”, “E pabesueshme” është mediumi gjerman “Bild” ai që e ka cilësuar incidentin në Beograd.
Të gjitha mediat botërore e cilësojnë këtë si një skandal dhe keqorganizim nga Serbia, ku lojtarët shqiptarë u sulmuan.
Shqipëria, sipas të gjitha gjasave, do të fitojë tri pikët ose ndeshja do të përsëritet pa shikues!
Probleme në Mitrovicë
Ndërkohë që kjo ndeshje ka hapur edhe plagët e vjetra. Në Urën e Ibrit në Mitrovicë ka pasur një numër të madh forcash policore nga të dyja krahët. Kjo pasi ka pasur tifozë në afërsi të urës.
Ministria e Brendshme kontakton me homologët serbë, sigurohet jeta e shqiptarëve
Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Samir Tahiri, i ka dërguar mesazh Ministrisë së Brendshme Serbe, duke i thënë se për sigurinë e jetës së lojtarëve të kombëtares shqiptare është përgjegjëse qeveria serbe. Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë ka kontaktuar me zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme Serbe, të cilëve u është përcjellë mesazhi i ministrit Tahiri se “qeveria serbe mban përgjegjësi për sigurinë e jetës dhe shëndetit të lojtarëve dhe stafit teknik të kombëtares shqiptare të futbollit, ashtu si edhe për sigurinë e jetës së çdo mbështetësi dhe qytetari shqiptar në stadiumin e Beogradit”.
Festime në rrugët e Tiranës dhe të Prishtinës
Ndërkohë që gëzimi për kurajon e treguar nga lojtarët tanë dhe për mënyrën se si rrodhën ngjarjet sollën edhe festën e kuqezinjve. Kjo, pasi me këto ngjarje më shumë siguri do të mund të marrin trepikëshin dhe kjo na mban në vendin e parë. Një vendim, i cili nuk na penalizon, por vetëm na favorizon. Një vendim që duhet pritur për vendimin zyrtar, por duke parë atë çfarë ndodhen probabiliteti që të marrin tri pikë është i madh.




