Sonila Mesareja
Pretendimet: Gjyqtarët e shkallëve të para të diskriminuar për emërimin në Gjykatën e Lartë, janë vendosur dy kritere ndaluese, si 5 vjet gjyqtar Apeli dhe mospasje konflikti interesi apo lidhje nepotike në gjyqtarë të gjykatave të zakonshme
Unioni i Gjyqtarëve ka depozituar tri muaj më parë një padi në Gjykatën Kushtetuese, ku konteston disa nga ndryshimet e bëra në ligjin për Gjykatën e Lartë. Gjyqi ka nisur tri ditë më parë dhe në seancën e parë janë përballuar me argumentat dhe kundërargumentat përfaqësues nga Unioni i Gjyqtarëve me juristë nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi. Përmes kësaj padie, Unioni kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm dy prej kritereve që u shtuan nga Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588 , datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” dhe pikërisht fjalët “nga të cilat, jo më pak se 5 vite si gjyqtar, pranë Gjykatës së Apelit”, të germës “b/i”, të pikës 1 të nenit 3 të ligjit, si dhe germa “b/ii”, e pikës 2 të nenit 3 të këtij ligji, me këtë përmbajtje: “ii. të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike me gjyqtarë të gjykatave të juridiksionin të zakonshëm”. Sipas gjyqtarëve përfaqësues në këtë proces, Gerd Hoxha, Petrit Çomo dhe Luan Hasneziri, këto janë kritere kufizuese dhe përjashtuese, që nuk mbështeten në shkaqe objektive dhe meritokraci, duke qenë kështu, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe me aktet ndërkombëtare në këtë fushë. Për këto arsye, ata kërkuan nga Gjykata Kushtetuese të shfuqizohen si antikushtetuese këto ndryshime. Gjatë përballjes juridike mes palëve, për pikën një të kërkesës së gjyqtarëve për shfuqizim, juristët e Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave kërkuan të rrëzohet, ndërsa për pikën dy të padisë, aty ku flitet për mospasjen e konfliktit të interesit apo lidhjet nepotike, e pranuan që nuk kishte sens duke rënë dakord me atë që kërkonin gjyqtarët.
Argumentat për pikën e parë
Para anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët që përfaqësonin kolegët e tyre në këtë padi parashtruan argumentat e tyre pse duheshin shfuqizuar këto dy ndryshime, pra përcaktimi 5 vjet gjyqtar Apeli para se të kalosh si gjyqtar në Gjykatën e Lartë dhe mospasje konflikti interesi apo lidhje nepotike mes një gjyqtari të Gjykatës së Lartë dhe një gjyqtari të gjykatës së zakonshme. Ndryshimi i ligjit për Gjykatën e Lartë përcakton se zgjidhesh gjyqtar në Gjykatën e Lartë nëse “je gjyqtar për jo më pak se 13 vjet, nga të cilat të paktën 5 vite pune si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit”. Nga ky përcaktim konstatohet lehtësisht se dy janë kategoritë e profesioneve që kanë të drejtën për t’u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë: naga radhët e gjyqtarëve dhe nga radhët e juristëve të tjerë, të cilët, nuk janë pjesë e sistemit gjyqësor, në momentin e përzgjedhjes së tyre. Nga përmbajtja e këtij ligji rezulton se, përzgjedhja e një gjyqtari për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë, bëhet vetëm, ndërmjet atyre gjyqtarëve, të cilët, në momentin e përzgjedhjes, kanë më shumë se 13 vjet punë si gjyqtar, nga të cilat 5 vjet si gjyqtarë në gjykatat e apelit. Domethënë, përzgjedhja reduktohet, vetëm nga gjyqtarët që janë të emëruar gjyqtarë të gjykatave e apelit ose përndryshe, të qenit gjyqtar në gjykatën e Apelit, është kusht “sine qua non”, për t’u zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë. Sa më sipër, sipas Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë arrihet në përfundimin se, gjyqtarëve të tjerë, edhe pse kanë më shumë se 13 vjet punë si gjyqtarë në gjykatat e shkallës së parë, edhe pse mund të kenë më shumë vjetërsi në profesion, edhe pse nuk janë ndëshkuar asnjëherë me masa disiplinore; edhe pse mund të kenë tregues më të lartë shkencorë, profesionalë apo, moralë, padrejtësisht e në mënyrë diskriminuese, u mohohet e drejta për të konkurruar, për t’u përzgjedhur si anëtarë të Gjykatës së Lartë, pasi nuk janë pjesë e trupave gjykuese të gjykatave të apelit. Në lidhje me këtë kriter, ligji Për Gjykatën e Lartë, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 151 të vitit 2013, kishte parashikuar që, një person të emërohej si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, duhej të kishte punuar jo më pak se 10 vjet, si gjyqtar, pa e specifikuar, nëse, kjo vjetërsi në punë duhej të ishte në gjykatën e shkallës së parë apo në gjykatën e apelit. Sipas UGJSH-së, kriteri sipas të cilit, për t’u emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, duhet që kandidati të ketë punuar jo më pak se 5 vjet në Gjykatën e Apelit, nga totali, prej jo më pak se 13 vitesh si gjyqtar, vjen në kundërshtim edhe me parimin e sigurisë juridike, si një nga elementët më të rëndësishëm të shtetit të së drejtës. Gjyqtarët e shkallës së parë, e kanë fituar të drejtën për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë, me ligjin organik të kësaj Gjykate të vitit 2001, i cili përcaktonte që, një ndër kushtet ligjore për t’u emëruar si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, ishte puna si gjyqtar, jo më pak se 10 vjet. Gjithashtu, rezulton që, gjyqtarë me kohë qëndrimi të madhe në detyrë dhe me tregues profesionalë dhe moralë më të lartë se, gjyqtarët e tjerë të Republikës që punojnë në gjykatat e apelit, aktualisht nuk kanë të drejtën të konkurrojnë, për t’u përzgjedhur si anëtarë të Gjykatës së Lartë, vetëm për shkak të mungesës së vendeve në Gjykatën e Apelit apo si rrjedhojë e mosmarrjes së miratimit të tyre nga anëtarët e KLD-së, për t’u caktuar si gjyqtarë apeli. Prandaj, në përfundim të argumentave të tyre, gjyqtarët konkludojnë se, një parashikim i tillë ligjor, sipas të cilit, për t’u emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, duhet që kandidati të ketë punuar, jo më pak se 5 vjet në Gjykatën e Apelit, nga totali prej jo më pak se 13 vitesh si gjyqtar, vjen në kundërshtim edhe me 138 të Kushtetutës së Shqipërisë, në të cilin parashikohet: “Koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet e tjera të tyre nuk mund të ulen”.
Argumentat për pikën e dytë
Mungesa i hierarkisë në pushtetin gjyqësor, është pjesë e pavarësisë së brendshme ose organizative të këtij pushteti, pavarësi, e cila, është e parashikuar në mënyrë të shprehur, në pikën 1 të nenit 145 të Kushtetutës së vendit, sipas të cilës gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Për këtë arsye, sipas UGJSH-së, kriteri ndalues që ka vendosur gërma “b/ii”, e pikës 2 të nenit 3 të ligjit “Për Gjykatën e Lartë”, sipas të cilës gjyqtari i Gjykatës së Lartë, nuk duhet të ketë konflikt interesi ose lidhje nepotike me gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, është një kriter antikushtetues dhe cënon pa të drejtë, interesat e ligjshme të gjyqtarëve, për t’u ngritur në karrierë. Sipas tyre, vendosja e një kriteri të tillë, cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë, pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor. Kjo për faktin se, duke qenë se, parandalimi i konfiktit të interesit dhe lidhjeve nepotike është, tipike dhe parashikohet nga ligji, vetëm për nëpunësit e administratës publike, të cilët, funksionojnë mbi baza hierarkike, parashikimi i një kriteri të tillë edhe për pushtetin gjyqësor do të nënkuptonte që, edhe ky pushtet, funksionon mbi baza të tilla, pra, mbi baza hierarkike. Qënia e dy gjyqtarëve me lidhje gjaku (vëlla ose motër, ose vëllezër ose motra) ose me lidhje krushqie (burrë dhe grua), në gjykatat e shkallës së parë ose në gjykatat e apelit, nuk mund të përbëje një përligje objektive dhe të arsyeshme, sipas nenit 18/3 të Kushtetutës, që, asnjëri prej tyre, të mos ketë mundësinë që të konkurojë dhe më pas të emërohet si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, vetëm për këtë fakt. Sipas gjyqtarëve, lidhja e gjakut ose e gjinisë, që mund të kenë këta gjyqtarë me njëri-tjetrin, nuk i pengon ato që të ushtrojnë profesionin e tyre, sipas legjislacionit në fuqi, në gjykatat e të njëjtit nivel, madje as brenda së njëjtës gjykatë, siç edhe ka raste nga praktika. Më anë të këtij kufizimi antikushtetues, ligjvënësi, praktikisht, nuk ka mbrojtur asnjë interes publik dhe të ligjshëm, pasi siç u tha më lart, nepotizmi dhe konflikti i interesit, nuk ekzistojnë në pushtetin gjyqësor, por, nga ana tjetër, ka cënuar të drejtat e ligjshme të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë apo të apelit, që kanë lidhje gjaku ose krushqie me njëri-tjetrin, që, minimalisht, të kenë të drejtën që të konkurrojnë, për t’u emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Siç mund të konstatohet, kjo ndërhyrje që ka bërë ligjvënësi, duke kufizuar të drejtën e gjyqtarëve që të konkurojnë dhe të emërohen si anëtarë të Gjykatës së Lartë, për shkak të lidhjeve të gjakut ose krushqisë, që mund të kenë ata me njëri-tjetrin, është në kundërshtim me gjendjen që e ka diktuar vendosjen e këtij kufizimi.
Dy pikat për të cilat kërkohet shfuqizimi
“…nga të cilat, jo më pak se 5 vite si gjyqtar, pranë Gjykatës së Apelit”, të germës “b/i”, të pikës 1 të nenit 3 të ligjit;
…germa “b/ii”, e pikës 2 të nenit 3 të këtij ligji, me këtë përmbajtje: “ii. të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike me gjyqtarë të gjykatave të juridiksionin të zakonshëm”.
Vlorë
Trafiku i drogës, kapet një gomone në grykëderdhjen e Vjosës
Policia e Vlorës ka gjetur dje në mbrëmje një gomone të braktisur në grykëderdhjen e Vjosës. Sipas të dhënave të policisë, bëhet fjalë për një gomone të kamufluar, rreth 8 metra e gjatë, me dy motorë me 150 kuaj fuqi. Të njëjtat burime hedhin dyshime se kjo gomone mund të përdoret për trafik droge edhe pse konfirmojnë se brenda mjetit nuk është gjetur drogë. Polica e Vlorës sakaq bën me dije se në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, rreth orës 02:00, është pikasur një mjet i tillë, dhe dyshohet se bëhet fjalë pikërisht për këtë gomone.




