Gjyqi i Arben Frrokut/ Përplasjet prokurorë-avokatë, dështon dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur

Sonila Mesareja

 deshmitar i mbrojtur Fatmir VladiFatmir Vladi pret 4 orë për të dëshmuar në një nga sallat e Gjykatës, shtyhet seanca. Prokurorët do të sjellin marrëveshjen e firmosur mes tyre dhe dëshmitarit kyç, që vuri Frrokun pas hekurave

Dëshmitari i mbrojtur nga drejtësia, i cili akuzon biznesmenin Arben Frroku si autor të vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, jo vetëm nuk është zhdukur, por edhe është paraqitur dje për të dëshmuar te Krimet e Rënda. Por, seanca dje ka dështuar, edhe pse të ashtuquajturit A. Ndoka dhe të identifikuar më pas nga i pandehuri me identitetin Fatmir Vladi, i është dashur të qëndrojë katër orë në mjediset e Gjykatës, në pritje të ballafaqimit me Frrokun pa mundur të realizohet. Kanë qenë përplasjet prokurorë-avokatë-i pandehur dhe trupë gjyqësore që sollën dështimin e seancës dhe shtyrjen për të mërkurën e ardhshme të këtij ballafaqimi, me argumentin se duhet dorëzuar marrëveshja e firmosur mes Vladit dhe prokurorëve para se të nisë dëshmia. Për këtë marrëveshje, ballafaqimi do të duhet të presë edhe një javë, ndërsa Gjykata ka qenë dje e rrethuar dhe nën masa të rrepta sigurie për ruajtjen e dëshmitarit kyç të çështjes.

 

Procesi

Katër orë i është dashur dëshmitarit të mbrojtur të qëndrojë në një sallë të Gjykatës në pritje të nisjes së videokonferencës, ku do të ballafaqohej me të pandehurin Arben Frroku. Me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie, filloi seanca e djeshme, por pa mundur të realizohet ballafaqimi mes tyre. Pas debateve të shumta, trupa gjyqësore vendosi që seanca të shtyhet për javën e ardhshme, ku pritet që Prokuroria t’i dorëzojë Gjykatës një kopje të marrëveshjes së firmosur me dëshmitarin e mbrojtur. Pasi ka dalë nga salla e gjyqit, avokati Genc Gjokutaj akuzoi prokurorin për shkeljen e procedurës ligjore në lidhje me marrjen e dëshmisë së Vladit, që tashmë ruhet 24 orë nga forcat e policisë së bashku me familjen. Ndërkohë, më 15 shtator, makinës së dëshmitarit, që pretendon se e ka parë Arben Frrokun në vendin e vrasjes së Dritan Lamajt, i është vendosur një pako eksploziv, që për fat të mirë nuk ka shpërthyer.

 

Reagimi i avokatëve

Pas daljes nga seanca, avokatët mbrojtës të Arben Frrokut thanë se e gjithë seanca, e cila zgjati mbi katër orë, u shoqërua me debate mes akuzës dhe mbrojtjes për shkak të shkeljeve procedurale që mbrojtja pretendon se ka pasur gjatë marrjes së dëshmisë paraprake. “Dua të sqaroj. U bënë disa seanca që debatohet për këtë çështje. Janë konstatuar shkelje të rënda për procedurën që e bëjnë të pavlefshme dëshminë e tij. Ai nuk ka ardhur, pasi është insistuar të rregullohet baza procedurale, mbi të cilën ai do pyetet. Ligji kërkon që një dëshmi të merret në formë të caktuar nga ligji. Ne kemi konstatuar shkelje të rënda të Kodit të Procedurës Penale dhe në këtë rast procesi hyn në një rrugë pa krye”, – reagoi avokati Genc Gjokutaj jashtë mjediseve të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Më tej, në reagimin e tij, përfaqësuesi ligjor i Arben Frrokut shtoi se Prokuroria ka një dëshmitar, por “ai dëshmitar ka 3-4 seanca që nuk vjen, pasi është shkelur ligji”.

 

 Vendimi/ Këshilli i Prokurorisë voton 7 me 0 për shkarkimin e prokurorit Prençi

Këshilli i Prokurorisë ka votuar dje unanimisht, përkatësisht 7 me 0, në favor të shkarkimit të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Pukë, Pëllumb Prençi, ndaj të cilit po zhvillohet gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuar në nenin 319/ç të Kodit Penal. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Prokurorëve ka dëgjuar dhe versionin e Thoma Janos, kreut të Auditit në Prokurori, pasi ky i fundit një ditë më parë u denoncua nga Prençi si personi që ka ndërhyrë në procesin ku në emër të parasë shitej drejtësia. Këshilli i Prokurorisë bën me dije se është në fazën e shqyrtimit të të dhënave, sipas të cilave zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme mund të ketë luajtur rolin e negociatorit ndërmjet ish-drejtuesit të Prokurorisë Pukë dhe të pandehurit në atë proces gjyqësor, P. Pjetri, lidhur me mosmarrëveshjet që duket se kishin me njëri-tjetrin. Së bashku me prokurorin Prençi, për skandalin e Pukës u arrestuan dhe disa persona të tjerë, mes tyre dhe ish-drejtuesi i Gjykatës së Pukës Shtjefën Lleshi, edhe ky i fundit i përjashtuar nga togat e zeza me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përfundimi i këtyre hetimeve do të vendos dhe ngritjen apo jo të akuzës ndaj kryeaudituesit Jano, i cili është pezulluar nga kreu i akuzës Adriatik Llalla menjëherë pas denoncimit të prokurorit të Pukës.

 

 Prokurori e Përgjithshme/ Transferohen prokurorët që hetuan deputetët, Ndoka njihet me akuzën

Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur dje të transferojë prokurorët që hetuan deputetët e PS-së dhe atë të PD-së. Prokurori Artur Selmani, i cili hetoi dosjen ndaj Arben Ndokës dhe Pjerin Ndreut është transferuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe është komanduar si prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa dosja do të ndiqet në vijimësi në Gjykatën e Lartë nga prokurori Adnan Xholi. Po kështu është transferuar edhe prokurorja Alma Muça, e cila hetoi dosjen e deputetit Astrit Veliaj. Ndoka dhe Ndreu akuzohen për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës, ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri. Selmani është komanduar prokuror në Prokurorinë e Tiranës kurse Muça, në Drejtorinë e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas burimeve zyrtare, transferimi është bërë për shkak të ngarkesës që ata kanë pasur në punë. Ndërkohë deputeti Arben Ndoka është thirrur në prokurori për t’u njohur me akuzën me të cilën do të përballet në procesin gjyqësor të Gjykatës së Lartë. Mësohet se deputeti Ndoka ka refuzuar të firmosë akuzën e ngritur.

 

Tiranë/ Kërcënohet dhe dhunohet në prani të familjes, farmacisti përfundon në spital

Një 31-vjeçar është sulmuar dje nga tre persona, të maskuar dhe të armatosur, duke i shkaktuar fraktura të rënda. Sipas burimeve, 31-vjeçari me inicialet D. Miloti ka qenë në shoqërinë e gruas dhe djalit të mitur, kur 3 persona i kanë dalë para banesës së tij në lagjen Shkozë, duke e kërcënuar për jetën dhe duke e dhunuar. Kanë qenë ulërimat e gruas dhe fëmijës që i kanë shpëtuar jetën 31-vjeçarit Miloti, por jo dhunës së ushtruar nga tre personat, njëri prej të cilëve i drejtoi edhe armën. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, ndërsa i riu është shoqëruar për në spital, ku ka marrë edhe ndihmën e parë. Gjithashtu, inspektorët kanë marrë dëshminë e tij dhe të gruas për të zbardhur identitetin e autorëve të kësaj dhune. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së 31-vjeçarit, një nga personat e ka pyetur nëse ishte personi që kërkonin dhe më pas filluan ta dhunonin. Gruaja ka shpjeguar para policisë se ka nisur të kërkojë ndihmë, çka bëri që personat të largoheshin me shpejtësi. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje, ka mbledhur dëshmi të tjera, ndërsa ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë, që ndodheshin në subjektet private pranë vendit të ngjarjes. Bashkëshortja e Milotit, por edhe vetë i dhunuari kanë shpjeguar për blutë e komisariatit nr. 1 se nuk kishin konflikte me njeri.

 

 

Share it :