Gjykata Kushtetuese/ Shfuqizon vendimin e Kuvendit për refuzimin e komisionit hetimor të PD-së për Tatimet

Florenc Drizari

 

“Deklarimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr. 66, datë 24.12.2013 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore”

 

gjykata kushtGjykata Kushtetuese shfuqizoi dje vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për refuzimin e kërkesës që iu bë një grupi deputetësh nga Partia Demokratike disa javë më parë për ngritjen e një komisionin hetimor për kontrollimin e zbatimit të ligjit në serverat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në vendimin e zbardhur një ditë më parë, thuhet se vendimi i mazhorancës ishte antikushtetues. Gjykata, pasi shqyrtoi vendimin me palë të interesuar Kuvendin e Shqipërisë dhe ankimues, një grup deputetësh (nga opozita), vendosi: Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 66, datë 24.12.2013 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore”, si shkak për lindjen e mosmarrëveshjes së kompetencës.

Më herët, Partia Demokratike në javën e tretë të janarit kërkoi shpallje si antikushtetues të vendimin të mazhorancës për të refuzimin e ngritjes së një komisioni hetimor për ndërhyrjet që PD pretendonte se ishin bërë në serverat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Njëherazi, Partia Demokratike ngrit një ankimim në Kushtetuese edhe për procedurën e shkarkimit të kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka. Ndërkaq, lidhur me çështjen e ndërhyrjes në serverat e Tatimeve, mes pozitës dhe opozitës ka pasur debate gjatë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Përfaqësuesit e mazhorancës kanë argumentuar se një të njëjtën kohë kur opozita pretendonte ngritjen e këtij komisioni hetimor, Prokuroria kishte filluar hetimit. Sipas socialistëve, kjo ndërhyrje e Kuvendit do të kishte ndikuar në procesin hetimor të organit të akuzës dhe për këtë qëllim, kërkesa për komision hetimor duhej rrëzuar.

Pas kërkesës së PD-së, në media u publikuan të dhëna për një Shkresë të lëshuar nga Ministria e Financave, konkretisht nga Drejtoria e Auditimit të Brendshëm në këtë dikaster. Shkresa flitej se ishte një plotësim i dy urdhrave të dhënë më parë nga ministri i Financave për kontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në lidhje me procedurat e rimbursimit të TVSH-së.

Dokumenti theksonte se auditimi i sistemit të IT-së (ku janë kopjuar e fshirë 4.3 milionë dokumente tatimore), i është shtuar planit të mëparshëm të kontrollit që ishte lëshuar nga Ministria e Financave në lidhje me rimbursimin e TVSH-së nga Drejtoria e Tatimeve për bizneset e ndryshme që kryejnë import-eksport. Fillimisht këtë “shqetësim” e publikoi në media ish-kryeministri Sali Berisha, e cili doli në një konferencë shtypi me ish-drejtorin e IT-së. Më pas kjo çështje u bë pjesë e debatit parlamentare dhe opozita ndërmori nismën për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

 

 

PD: Kushtetuesja rrëzon dyshen Rama-Meta, ktheu të drejtën e opozitës për kontroll ndaj qeverisë

 Bylykbashi: Kjo është një fitore e madhe e parlamentarizmit dhe e kontrollit mbi qeverinë

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si të paligjshëm të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për moslejimin e ngritjes së komisionit hetimor për serverat e Tatimeve, reagoi edhe Partia Demokratike, e cila e quajti vendimin e Gjykatës një të drejtë të ligjshme që iu mohua nga mazhoranca disa javë më parë.

Deputeti Oerd Bylykbashi tha se kjo është shuplaka e tretë radhazi në pak kohë nga Gjykata Kushtetuese për qeverinë dhe mazhorancën.

“Sot (dje), Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e saj unanim me të cilin shpall si antikushtetues vendimin e Kuvendit për t’i mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për hetim në skandalin e ndërhyrjes së paligjshme në serverat e tatimeve dhe vjedhjes dhe fshirjes se miliona të dhënave konfidenciale të bizneseve dhe qytetarëve të vendit. Edi Rama dhe Ilir Meta, të terrorizuar nga dalja në dritë e këtij skandali, urdhëruan bllokimin nga Kuvendi me forcën e kartonëve, të hetimit të tij.

Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi një të drejtë kushtetuese të opozitës. Kjo është një fitore e madhe e parlamentarizmit në Shqipëri, dhe e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, veçanërisht kontrollit nga opozita.

Ky vendim është notë katër, dhe detyrim të përsërisë mësimin bazë të qeverisjes demokratike se Kushtetuta dhe ligji janë baza dhe kufiri i veprimtarisë së saj, pavarësisht se sa vota apo mandate ka”, – deklaroi Bylykbashi. Sipas zëvendëskryetarit të Komisionit të Ligjeve, kopjimi dhe zhdukja e miliona deklaratave tatimore është një skandal i paprecedent që minon integritetin dhe besueshmërinë e sistemit tatimor të shtetit, por cenon rëndë të drejtat e subjekteve. Sipas tij, procedurat e ndjekura nga mazhoranca, i hap rrugën njerëzve të dyshes Rama-Meta për t’i bërë presion bizneseve apo për të zhdukur detyrimet e klientëve të kësaj dysheje. “Sapo të hyjë në fuqi vendimi i Gjykatës, ne do të paraqesim kërkesën e re për ngritjen e komisionit hetimor e për të analizuar në thellësi, në përputhje me Kushtetutën, këtë skandal, për të zbardhur moszbatimin e ligjit nga kjo mazhorancë, për t’i vënë fre kësaj arrogance antikushtetuese e për vënien para drejtësisë të porositësve dhe ekzekutorëve të këtij skandali. Kjo është shuplaka e tretë radhazi në pak kohë nga Gjykata Kushtetuese, për këtë qeveri dhe mazhorance që antikushtetutshmërinë e ka bërë kryefjalë të punës së tyre. Por kjo është gjithashtu një shuplakë për Kuvendin që është kthyer në një noter dhe ekzekutor kokulur i urdhrave antikushtetues të dyshes Rama-Meta”, – përfundoi Bylykbashi.

Share it :