Sonja Caka
Administrohen provat e Prokurorisë për akuzën ndaj Gjikës, nis me dëshminë e ekspertes së Urbanistikës. Gjyqi ndaj Mziut, i shtyrë për të tretën herë
E hëna në Gjykatën e Tiranës ka nisur të etiketohet si dita e kryebashkiakëve të pandehur. Ndoshta një rastësi, por për të dy gjyqtarët përkatës kanë vendosur që gjyqi të jetë i pandërprerë, pra të zhvillohet çdo të hënë në të njëjtin orar. E hëna është dita e gjyqeve të kryebashkiakut të Vlorës dhe e kryebashkiakut të Kamzës. I pari i akuzuar për falsifikim të dokumenteve për ngritjen e një pallati dhe i dyti për “Shpërdorim detyre” në dhënien e një tenderi. Në gjyqin ndaj Shpëtim Gjikës, procesi ka ecur deri në administrimin e provave, me të cilat Prokuroria deklaron se do provojë fajësinë e kryebashkiakut Gjika, ndërkohë që është caktuar edhe lista e dëshmitarëve që do të pyeten, mes të cilëve janë ekspertë dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës. Po ashtu, gjatë seancës së djeshme janë administruar edhe dëshmitë e marra gjatë procesit të hetimeve, si dhe të gjitha vendimet e Bashkisë së Vlorës dhe Këshillit Bashkiak për lejet e ndërtimit për të cilat akuzohet i pandehuri Shpëtim Gjika. Pas paraqitjes së provave nga ana e akuzës, ka reaguar mbrojtja e kryebashkiakut, e cila ka kërkuar një ekspert, i cili do të bëjë verifikimin e një ligji të vitit 2004. Përmes rishikimit të këtij ligji do të shikohet nëse lejohet apo jo ndërtimi në zonat ku janë ngritur dy pallatet, për të cilat dyshohet se janë falsifikuar vendimet e KKRRT-së Vlorë. Gjykata e ka pranuar kërkesën dhe ka vendosur që ky verifikim të bëhet nga Luiza Bala, eksperte urbanistike. Pas marrjes së këtij vendimi, gjyqtari Arben Micko vendosi të shtynte gjyqin për datën 24 mars, ku pritet të dëshmojë ekspertja e Urbanistikës.
Gjyqi i Mziut
Për të tretën herë radhazi është shtyrë gjyqi nga kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu. Sërish shkak për shtyrje është bërë një nga të pandehurit. E treta seancë që Gjykata detyrohet ta shtyjë, për shkak të vetë të pandehurve, herë për arsyet e paraqitura nga njëri dhe herë nga tjetri. Pas Xhelal Mziut në seancën e parë që kërkoi shtyrjen se nuk mund të paraqitej për shkak të një aktiviteti, si dhe Bujar Loshit, drejtori i Tatimeve në Bashki në seancën e dytë që nuk u paraqit, ishte radha e Atli Hotit për të bërë një kërkesë të tillë. Drejtori Juridik i Bashkisë Kamëz ka kërkuar shtyrjen e seancës, pasi ai ka një problem shëndetësor që nuk i lejon pjesëmarrjen dhe se dëshiron të jetë vetë i pranishëm në gjyq. I ndodhur në kushte të tilla, gjyqtari Besnik Hoxha ka shtyrë seancën të hënën e ardhshme, pra sërish në të njëjtën ditë me kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. Kreu i Bashkisë së Kamzës akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Pabarazi në tendera”. Vetë Xhelal Mziu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se është i pafajshëm. Mziu u arrestua në 20 dhjetor të vitit të kaluar, pasi akuzohet për pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i Ri – Laknas. Arrestimi erdhi pas një hetimi, i cili kishte nisur disa muaj më parë nga Krimi Ekonomik në Policinë e Tiranës. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj drejtorit Juridik në Bashkinë e Kamzës, Atli Hoti dhe drejtorit të Tatimeve në Bashki Bujar Loshi. Sipas akuzës, rreth 800 milionë lekë të reja ka qenë fondi i segmentit rrugor Valias i Ri – Laknas dhe Mziu akuzohet se ka skualifikuar ofertën më të ulët ofruar nga një kompani, duke ia lënë tenderin një kompanie tjetër, e cila kishte ofruar rreth 200 milionë lekë më pak sesa shuma prej 800 milionë lekësh.
Vendimi
I dënuar për tragjedinë e Gërdecit, Zenun Feros i ulen 3 muaj burg
Gjykata e Tiranës i ka ulur 3 muaj burg për sjellje të mirë një prej të dënuarve për tragjedinë e Gërdecit. Gjyqtari Besnik Hoxha ka pranuar kërkesën e të dënuarit Zenun Fero, i cili kishte kërkuar uljen e dënimit në masën 90 ditë, duke arsyetuar se jemi para kushteve të ligjit nr. 8328, datë 16.4.1998, neni 63. Sipas Gjykatës, kërkuesi (i dënuari) Zenun Fero është dënuar nëpërmjet vendimit nr. 381, datë 12.3.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” me 3 vjet burg. Sipas përfaqësueses së burgut, Fero rezulton nga dokumentacioni të ketë vuajtur gjithsej 1 vit e 27 ditë burgim, duke i mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 11 muaj e 3 ditë. Rezultoi e provuar se kërkuesi nuk ka përfituar ulje dënimi sipas praktikës së paraqitur nga burgu i Vaqarrit. Sipas vlerësimit të sjelljes së të dënuarit, bërë nga Drejtoria e IEDP Vaqarr (Burgu 327) Tiranë, rezulton se i dënuari ka ardhur në këtë burg në datë 19.2.2013, menjëherë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit. Gjatë kohës së qëndrimit në burg, i dënuari ka respektuar rregulloren e institucionit dhe nuk është ndëshkuar me masë disiplinore, është aktiv në aktivitete të ndryshme. Gjithashtu, ka marrëdhënie shumë të mira me personelin e burgut dhe bashkëvuajtësit. Nisur nga të gjitha këto shkresa, gjykata vendosi të pranonte kërkesën dhe t’i ulë 90 ditë nga masa e dënimit të mbetur këtij të dënuari.
U arrestua në Kakavijë
Prokuroria kërkon shuarje të masës së sigurisë për Shemsije Kadrinë
Shemsije Kadria mori pafajësi nga Gjykata për veprën penale të mashtrimit dhe pavarësisht nga kjo, nga ana e akuzës ishte bërë ankimim në Apel, por pa shuar masën e sigurimit “Arrest me burg” për të. Kjo solli edhe ndalimin e saj në kufi, në pikën kufitare Kakavijë nga policia e Gjirokastrës, ndërsa ajo tentonte të kalonte për në Greqi. Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën për ta shqyrtuar këtë kërkesë, duke ia kaluar Apelit vendimin, për shkak se dosja ka kaluar në këtë Gjykatë për shqyrtim, pas ankimimit të Prokurorisë, e cila kishte kërkuar dënimin me 15 vite burg për të. Është Gjykata e Apelit ajo që vendos për shuarjen e kësaj mase sigurie ndaj ish-boses së firmave piramidale, Shemsije Kadria.




