Anxhela Tato
Vendimi pas letrës së Ministrit Saimir Tahiri ku u denoncuan 9 raste shkeljesh flagrante
Verifikim vendimeve për shkeljet që policia dhe Ministria e Brendshme akuzojnë gjyqtarin
Ditën e hënë dy inspektorë të ministrisë së Drejtësisë do të nisin kontrollin e procedurave gjyqësore të ndjekura nga gjykatësi i Kavajës Osman Aliu. Ky vendimi është marrë nga drejtoria e Drejtësisë dhe Inspektimit gjyqësorë në Ministrinë e Drejtësisë dhe vjen menjëherë pas letrës së Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri drejtuar Presidentit. Letër në të cilën listohen 9 shkeljet flagrante, ku gjykatësi Aliu me vendimet e tij ka lënë të lirë persona të arrestuar nga policia, dhe pse prokuroria për të kish kërkuar burgim. Inspektimi do të kryhet në gjykatën e Kavajës, ndërsa pritet të përmbyllet brenda dy javëve të para të muajit prill. Dy inspektorët janë mandatuar nga Drejtoria e Përgjithshme e çështjeve të drejtësisë dhe inspektimit gjyqësor, ku me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço ky grup pune do të kryejë verifikimet për shkeljet që policia e Kavajës dhe Ministria e Brendshme akuzojnë gjykatësin Aliu. Po të njëjta burime konfirmuan për A1Report se hera e fundit kur është bërë inspektim për gjykatësin Aliu i përket periudhës të dy viteve më parë, ndërsa ky kontroll do të kryehet pasi publikisht janë atakuar 9 vendime ku gjykatësi ka lënë në liri persona të arrestuar për ngacmime seksuale, kundërshtim të uniformave blu dhe vepra korruptive. Përsa i përket kërkesës së ministrit Tahiri që Presidenti i Republikës të vërë në lëvizje Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ka mundur të mësojë se mbledhja e radhës e KLD do të jetë javën që vjen, ndërsa procedimi ndaj Aliut nuk është futur ende në kalendarin e punimeve.
Lista me vendimet
• 5 SHKURT – Shtetasi Aleksandër Tafa, i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, për të cilin prokurori kishte kërkuar “Arrest me burg”, është liruar në sallën e gjyqit. Në 12 shkurt, Gjykata e Apelit e rikthen në qeli.
• 6 SHKURT – Shtetasi Kujtim Shala, akuzuar për kanosje të punonjësve të CEZ dhe Policisë, për shkak të detyrës, prokurori kërkoi “Detyrim paraqitje”, gjyqtari e liroi në sallë pa masë.
• 7 SHKURT – Shtetasi Fatjon Metushi, akuzuar për vjedhje, prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron pa asnjë masë dhe Gjykata e Apelit e rikthen të akuzuarin në burg nën masën e arrestit.
• 25 SHKURT – Shtetasi Ermir Gjuzi, punonjës i Task-Forcës së CEZ ka përvetësuar 1 mln lekë nga persona të ndryshëm në shpërdorim të detyrës. Gjyqtari nuk ka vendosur asnjë masë sigurie për të dhe nuk ka zbardhur ende vendimin, megjithëse ka detyrim që ta kryejë brenda 5 ditësh, duke penguar prokurorin ta apelojë vendimin.
• 16 MARS – Shtetasi Marsel Prifti, prokurori ka kërkuar “Detyrim paraqitje” për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, gjyqtari Aliu e ka liruar menjëherë nga salla e gjyqit pa asnjë masë sigurie.
• 17 MARS – Shtetasi Nebi Hoxha, prokurori kërkon “Detyrim paraqitje” për dhunë në familje, gjyqtari Aliu e vlerëson ndalimin të paligjshëm, e liron në sallën e gjyqit, çështja është apeluar.
• 17 MARS – Shtetasi Saimir Tatani, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron në sallën e gjyqit pa asnjë masë sigurie.
• 20 MARS – Shtetasi Ardjan Almadhi, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, prokurori kërkon detyrim paraqitje, gjyqtari Aliu e liron në sallë pa asnjë masë.
• 23 MARS – Shtetasi Kujtim Proshka, është liruar në sallën e gjyqit, ndërsa prokurori ka kërkuar “Arrest me burg”, pasi kundërshtoi forcat e policisë, u kap me armë luftarake dhe armë gjahu e municione pa leje. Gjyqtari nuk vendosi asnjë masë për të, e liroi në sallën e gjyqit.
Angli
Parcelë me kanabis 1 mln paund, e ruanin në 13 dhoma
Në 13 dhoma, ku kultivonin 767 bimë kanabisi, 2 shqiptarë kishin arritur të llogarisnin fitime prej 1 milionë paund, nëse droga do të piqej dhe do të kishte dalë për shitje. Gjykata e Ipsëichit në Britaninë e Madhe paraqiti faktet për shqiptarët Blerim Mema, 21 vjeç dhe Graci Fekolarin, 29 vjeç, të dy banues në “Henley Road”, teksa ata kishin pranuar prodhimin e kanabisit, pasi u arrestuan më 14 shkurt të këtij viti. Gjykatësi John Holt tha se ata kishin qenë të përfshirë në një rrjet të sofistikuar dhe ngritën një fermë të vërtetë që përpunonte marijuanën. Ai tha se shtëpia kishte 8 dhoma gjumi që ishin marrë me qira për 7700 paund në muaj nga 1 tetori 2013 dhe qiraja ishte paguar deri në datën kur policia bastisi ambientet, më 14 shkurt. Më tej gjykatësi shtoi se vlera me shumicë e kanabisit u vlerësua në mes të 100.000 dhe 500.000 paund, me një vlerë me pakicë, të llogaritur në 1 milionë paund. “Ju jeni të dy emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria dhe keni qenë në kërkim”, – shton ai. Mema kishte deklaruar se merrte rrogë mujore prej 200 paund plus një shpërblim në momentin kur marijuanë do të korrej. Steven Dyble, avokati i Fekolarit tha se klienti i tij kishte ardhur në Britani të Madhe në kërkim të një jetë më të mirë dhe është shfrytëzuar nga organizatorët e rrjetit të kanabisit. Ndërkaq, avokati i Memës, Charles Myatt tha se ëndrra e klientit të tij kishte qenë që të vinte në Britaninë e Madhe, për të punuar në rrugë ligjore dhe jo të merrej me krime. Gjykata dëgjoi të pandehurit, që automatikisht do të deportohen për në Shqipëri, pasi kanë shërbyer dënimet e tyre.
Tiranë
Aksidentuan me motor 2 policët, pranga njërit prej autorëve
Forcat e policisë kanë arritur të arrestojnë një nga dy personat të cilët aksidentuan me motor efektivin e policisë, pas tentativës së tyre për grabitje në zonën e ish-Bllokut. Nga burime nga forcat blu mësohet se janë pranë arrestimit edhe të personit tjetër, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tyre. Dy efektivë të komisariatit numër 1 në kryeqytet janë aksidentuar nga një motor rreth orës 16:20 të ditës së sotme në zonën pranë stadiumit “Qemal Stafa” dhe tek “Pazari i Ri”. Policia bën me dije se në motorin që përplasi dy policët ndodheshin dy persona të shpallur në kërkim për tentative vjedhje. Blutë e kryeqytetit sqarojnë se dy personat ende të pa identifikuar të cilët përplasën efektivët e policisë Rasim Dogjani dhe Admir Goduni, kishin tentuar të grabisnin dy gra në zonën e ish-bllokut por janë vënë në ndjekje nga policia dhe kanë tentuar të arratisen. Fillimisht motori ka kaluar pranë stadiumit “Qemal Stafa” ku ka përplasur njërin nga efektivët e policisë dhe më pas janë larguar drejt zonës së Pazarit të Ri ku kanë përplasur edhe efektivin e dytë. Pasi kanë vënë re që po ndiqeshin nga policia dhe pasi kanë përplasur dy efektivët e komisariatit numër 1 autorët kanë braktisur motorin tip ‘Yamaha’ dhe janë larguar në rrugicat e zonës. Mendohet që edhe dy autorët janë plagosur nga përplasja. Rreth orës 19:35 policia ka mundur të arrestojë njërin nga autorët ndërkohë që vazhdojnë kërkimet edhe për kapjen e autorit tjetër. Efektivët e plagosur janë nisur menjëherë drejt spitalit të Traumës për të mare ndihmën e nevojshme mjekësore.




