Gjithçka nën kontrollin e Ramës! Qeveria shtrin duart te kërkimi shkencor, projektligji i ri zëvendëson akademikët me ministrat

Kryeministri Edi Rama po arrin që përmes disa Komisioneve të Posaçme të marrë nën kontroll gjithçka që bëhet në vendin tonë, duke përfshirë edhe institucionet që do të duhet të ishin të pavarura.

Pas Komisionit të Posaçëm Anti-SPAK ku emëroi në krye Fatmir Xhafajn, aleatin e tij ndaj Ervin Salianjit, dhe më pas Komisionin për Dezinformimin nëpërmjet të cilit tenton të kontrollojë mediat, tashmë qeveria ka ndërmarrë një nismë tjetër, kontrollin mbi Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor.

Ligji i Arsimit të Lartë ka në themel të tij lirinë akademike, por qeveria ka gati për miratim në Parlament projektligjin e ri, nëpërmjet të cilit do të ngrihet Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, që drejtohet nga Kryeministri dhe në këshill do të jenë edhe 7 ministra.

Ky ligj i jep Ministrisë së Arsimit kompetencën për të kontrolluar, financuar dhe vlerësuar kërkimin shkencor të të gjitha institucioneve arsimore dhe pedagogëve në vend. Nëpërmjet këtij projektligji, akademikët dhe departamentet e vetë universiteteve do të zëvendësohen nga 7 ministra, roli i të cilëve duket i pakuptimtë.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Qëndresa Qytetare, që fton akademikët, profesorët dhe sindikatat të reagojnë ndaj kësaj kapje dhe zhveshje të universitetit nga liria dhe autonomia akademike.

Reagimi i Qëndresës Qytetare:

Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për shkencën, i cili ka marrë miratimin e komisioneve parlamentare. Ky ligj i jep Ministrisë së Arsimit kompetencën për të kontrolluar, financuar dhe vlerësuar kërkimin shkencor të të gjitha institucioneve arsimore dhe pedagogëve në vend.

Sipas projektligjit, Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor drejtohet nga Kryeministri dhe në këshill do të jenë edhe 7 ministra, roli i të cilëve në akademi është totalisht i pakuptimtë, pasi rolin e tij e ka pasur një Këshill i përbërë vetëm nga akademikë dhe departamentet e vetë universiteteve.

Ky projektligj, bie në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, i cili e ka në themel të tij lirinë akademike, liri të cilën ky ligj ia zhvesh universitetit, departamentit dhe institutit, për t’ia ngarkuar organeve të reja të krijuara. Ky ligj zhvlerëson njëkohësisht edhe titujt akademikë të marrë deri tani, pasi krijon tituj të rinj, si kërkues, apo kërkues i avancuar duke dubluar titujt profesor apo doktor në universitete.

Qëndresa Qytetare fton akademikët, profesorët dhe sindikatat të reagojnë ndaj kesaj kapje dhe zhveshje të universitetit nga liria dhe autonomia akademike.

Share it :