Telnis Skuqi/ Sonja Caka
Policia: Trupi i pajetë u gjet nga një bari, pranë Kërcullës
Vrasja dyshohet të ketë lidhje me drogën e kapur në Durrës
Një 25 vjeçar nga Lazarati, i skeduar nga policia lokale si “kultivues i hashashit”, u gjet i vrarë mbrëmjen e djeshme në pikën më të lartë të qytetit të Gjirokastrës, pranë Kërcullës. Vrasja, sipas policisë, ka ndodhur rreth orës 17:00, ndërsa trupi i pajetë u gjet rastësisht nga një bari. “Viktima, i plagosur dy vite më parë, ka humbur jetën e menjëhershme nga një plumb në kraharor”, thuhet në komunikatën e policisë. I njëjti burim tha se arma jetëmarrëse ishte një pistoletë e kalibrit të vogël. Policia tha se viktima njihet si kultivues më i madh hashashit në Lazarat, ndërsa prej dy vitesh, 25-vjeçari ishte gjymtuar në këmbë, pasi i shpëtoi mrekullisht një atentati. “Ende herët të zbardhësh motivet e ngjarjes, por mendohet se kemi të bëjmë me prishje pazaresh”, specifikon policia. Ende nuk ka persona konkretë të dyshuar për ngjarjen.
Hetimi
Sipas policisë, dyshohet se viktima ishte implikuar në transportimin e hashashit, lëndë narkotike e bllokuar dje pranë Gjirit të Lalzit në Durrës. “Nga hetimet paraprake rezulton se Basha ishte implikuar direkt me transportin e hashashit drejt Durrësit. Mendohet se vrasësi dhe viktima kanë debatuar gjatë në pikën turistike të Kërcullës, por është finalizuar keq”, thotë një ekspert i kriminalistikës, i cili preferoi anonimitetin. I njëjti zyrtar nënvizoi se në trupin e viktimës nuk u gjet asnjë shenjë dhune. “Prishje pazaresh”, thotë shkurt eksperti. Sipas tij, kjo ngjarje e paprecedentë në qytetin e Gjirokastrës nuk ishte “aksidentale”. “Është vetëm fillimi”, shprehet eksperti, ndërsa shton se prej disa muajsh brenda gjirit të “kartelit të drogës” ka nisur një luftë për ekskluzivitetin e shpërndarjes së lëndës narkotike. “Kultivimi i hashashit në Lazarat ka një ndikim të dukshëm edhe në problemet social-ekonomike në një gjysmën e territorit të vendit, por edhe përtej kufirit”, thekson eksperti. Sipas të dhënave nga Guradia di Financa, në Lazarat kultivohet hashash me një vlerë marramendëse prej 4.5 miliard euro, 1 miliard më shumë se buxheti i shtetit. Kultivimi i hashashit në Lazarat u shfaq për herë të parë në vitin 2003, ndërsa një vit më parë u prodhua mbi 900 ton hashash.
Sekuestrot
Sipas statistikave të zyrtare nga Policia e Shtetit, vitin e kaluar u bllokuan rreth 15 ton, vetëm një përqind e prodhimit total. Në fundtetorin e vitit të kaluar, Artan Didi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, deklaroi nga Kakavijes, rreth 25 km larg Gjirokastrës, se “Lazarati mbetet një njollë e zezë për momentin, ndërsa ndërhyrja është një mision i pamundur, pasi duhet vullnet politik”. “Për Lazaratin duhet të bashkëpunojnë të gjitha institucionet, duke theksuar nevojën e shqyrtimit të situatës dhe sigurimin e ndihmës së nevojshme nga partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që misioni të rezultojë i suksesshëm”, shtoj Didi. Nga ana tjetër, Saimir Tahiri, Ministëri i Punëve të Brendshme, e ka vlerësuar Lazaratin çështje problematike. “Në Lazarat ka çështje problematike dhe intensive. Duhet të ndërgjegjësohen vetë lazaratasit, pasi aty nuk bëhet fjalë vetëm për çështje policore, por edhe më e thellë”, deklaroi Tahiri, disa muaj më parë nga qyteti i Gjirokastrës.
Durrës, Vlorë
Kapet rreth 1 ton drogë, do dërgohej në Itali
Kanë rezultuar të suksesshme dy operacione antidrogë të policive të dy qyteteve bregdetare, Vlorë dhe Durrës. Rreth 1 ton e 24 kg lëndë narkotike është sekuestruar dje nga policia e Durrësit, ndërsa 170 kg është kapur nga policia e Vlorës. Sipas informacioneve, droga është sekuestruar në një furgon të braktisur tek Gjiri i Lalzit. Droga u gjet brenda një furgoni mallrash, me targa AA 708 BU, që dyshohet të ketë mbërritur nga Lazarati në këtë pjesë të bregdetit shqiptar, për t’u trafikuar më pas drejt Italisë. Mësohet se trafikantët kanë mundur të largohen pasi kanë pikasur efektivat e policisë duke braktisur edhe furgonin me lëndë narkotike. Ndërkohë policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e trafikantëve të drogës. Hetimet, për të identifikuar personat e përfshirë në këtë rast, kanë nisur nga targa e furgonit, si dhe marrja e dëshmive nga banorë të zonës përreth, që mund të kenë parë lëvizjet e furgonit në aksin rrugor Shkafanë-Shën Pjetër. Nga verifikimet e bëra rezulton se targa e furgonit i përket rrethit të Gjirokastrës, gjë që e lidh origjinën e drogës me prodhimin masiv të saj në Lazarat. Ndërkohë që po dje, Policia e Vlorës finalizoi me sukses operacionin e koduar “Mesnata”, ku u sekuestruan 170 kg lëndë narkotike. Burime nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë shoqëruar 3 persona, të cilët dyshohen se e kanë blerë drogën në Lazarat. Lënga narkotike është gjetur në një furgon të braktisur, në afërsi të Ndërmarrjes Pyjore në Vlorë. Sipas policisë, destinacioni i drogës mendohet të ketë qenë shteti fqinj, Italia.
Prova të reja
Rikthehet për hetim në Prokurori vrasja e Aurora Trashanit
Pas pezullimit për mungesë provash, dosja e vrasjes së juristes, Aurora Trashani, e cila u masakrua me thika 1 shkurtin e 2011-ës në apartamentin e saj, është rikthyer për rihetim në Prokurorinë e Tiranës. Kanë qenë disa prova të reja, të siguruara kohët e fundit nga policia në rrugë operative, që sollën rihetimin e këtij krimi nga organi i akuzës së kryeqytetit. Sipas hetimeve ka dyshime të forta që vrasësi të jetë i dashuri i Trashanit, i cili ndodhet në Gjermani. Në bazë të verifikimeve të kryera ka rezultuar se ditën e vrasjes ai kishte ardhur në Shqipëri dhe tre ditë pas vrasjes ai është larguar nga vendi ynë. Përveç kësaj është arritur që në banesën ku ndodhi vrasja janë gjendur disa prova të reja, të cilat do të shërbejnë për të vërtetuar dyshimet e ngritura nga grupi hetimor.
Fushë Krujë
Dy shpërthime eksplozivi në pak kohë, arrestohet Ilir Hykja
Dy shpërthime të fuqishme me eksploziv kanë ndodhur gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme në Fushë Krujë. Burime nga policia kanë bërë të ditur se është arrestuar Ilir Hykja, si autor i dy shpërthimeve të ndodhura në vende të ndryshme. Sipas policisë, 40-vjeçari banues nga Arameras i Fushë Krujës, ka qenë i dënuar më parë për ndërtim pa leje. Shpërthimi i parë ka ndodhur në një banesë në fshatin Larushkë, në murin rrethues të banesës së David Bardhit, ndërsa eksplozivi tjetër ishte vënë në një makinë në fshatin Arameras, në pronësi të Mereme Selas. Nuk raportohen persona të lënduar. Shkak konflikte pronësie mes tre personave. Policia tha se, nga hetimet ka zbuluar se, dy shënjestrat e shpërthimeve kanë biznese në pronat e të arrestuarit dhe kjo dyshohet se është shkaku i shpërthimeve.




