Gazment Bardhi: Eksponentët e dhunës “Ditën e Verës” në Elbasan lidhen direkt me Taulant Ballën

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha në “Ilva Now” se në analizën e bërë nga terreni për qarkun e Elbasanit, rezulton se ky është një qark i nxehtë mbi të gjitha,  sepse atje krimi i organizuar ka luajtur rol kyç.

Ai theksoi se eksponentët të cilët shkaktuan incidentin më 14 mars në Elbasan, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Taulant Ballën.

Teksa gazetarja Ilva Tare parashtroi dhe deklaratën e Taulant Ballës në “Ilva Now” se ato emra nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste, Gazment Bardhi nuk nguroi ta përgënjeshtronte këtë deklaratë.

“Ato emra ishin në një aktivitet të kryeministrit. Kishin marrë përsipër, siç tregojnë dhe pamjet, sigurinë fizike të kryeministrit dhe po siç tregojnë pamjet Taulant Balla i fërkon shpatullat apo barkun secilit prej tyre gjatë kohës që parakalonte nën shoqërinë e kryeministrit të vendit,” – tha Bardhi.

Ai theksoi se personat që iniciuan konfliktin në Elbasan nuk kanë asnjë lidhje me socialistët por kanë lidhje me Ballën.

Dhuna ka qenë e orkestruar ndërsa nga Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë provokim, tha sekretari i përgjithshëm i PD-së.

Ndërkaq, Bardhi u shpreh se nga kandidimi për herë të parë si deputet ka kuptuar se çfarë është më e rëndësishme është vlerësimi i besimit që do japin qytetarët dhe jo 25 prilli por ajo që do vijë pas. Sipas tij, misioni më i rëndësishëm është llogaridhënia për përmbushjen e zotimeve,  pas mandatit të parë, që qytetarëve deri më sot, sipas tij, u ka munguar.

Share it :