Gazetari gjerman: E krahasova Ramën me Pashiqin sepse mbështeste Serbinë më shumë se Kosovën

Gazetari gjerman: E krahasova Ramën me Pashiqin sepse mbështeste Serbinë më shumë se Kosovën

Gazetari gjerman, Michael Martens, i ftuar në SYRI TV, shpjegoi para gazetares Armela Ferko se pse e ka krahasuar Edi Ramën me kryeministrin serb, Nikola Pashiq.

“E kam thënë në formë shakaje sepse mendoja se Edi Rama, kur kishte konflikte midis Kosovës dhe Serbisë, mbështeste Serbinë më tepër se Kosovën, që normalisht nuk e pret nga një kryeministër. Megjithatë kjo ka qenë para disa vitesh, as më kujtohet konkretisht arsyeja pse e kam shkruar, por pata përshtypjen se edhe në negociatat me Lajçakun, për të cilin ne mësuam edhe disa detaje të pakëndshme, shpesh kam pyetur veten se anën e kujt mbështeste Edi Rama, të Serbisë apo të Kosovës, që normalisht ti pret që Tirana të mbajë anën e Kosovës. Por nuk e dimë se cilat janë marrëdhëniet midis zotit Vuçiç, Rama dhe Kurti. Ose mesa dimë nuk janë marrëdhëniet më të mira,” tha Martens.

Duke u ndaluar tek çështja e Ballkanit të Hapur, gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung tha se nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht këtë nisëm.

pyetur nëse Serbia do të vazhdojë të pengojë rrugën e integrimit të Kosovës, ai tha se ‘Serbia duke bllokuar Kosovën, do të bllokojë veten’.

Moderatorja Armela Ferko e pyeti gazetarin se si duhet të ndjehet një shtetas kosovar kur sheh Edi Ramën që fillimisht mbron udhëheqësit e UÇK-së në Bordin e Paqes, ndërsa më pas shfaqet me një ide të përbashkët me Aleksandër Vuçiç, Martens tha: “Po të isha shtetas kosovar, do të ndjehesha i pështjelluar sepse janë disa sinjale të ngatërruara. Në qoftë se jam një shtetas kosovar që i kupton qartë problemet me të cilat përballet zgjerimi në BE, do mendoja se kjo është një ide e re që mund të na ndihmojë ngërçin pavarësisht se kush e ka shkruar këtë editorial. Por nuk jam unë personi i përshtatshëm për këtë pyetje, por Edi Rama”.

Martens nuk kishte një koment për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, lidhur me krizën e rëndë që ka përfshirë qeverinë e Edi Ramës.

“Kjo është një pyetje të cilës nuk mund t’i kthej përgjigje se nuk kam mjaftueshëm njohuri. Ju kujtoj se unë mbuloj dhjetë vende të Ballkanit dhe jo Shqipërinë, se është kolegu im në Bon që mbulon Shqipërinë. Kështu që nuk mund të flas për çështje për të cilat nuk kam informacion,” tha ai.

Share it :