Gati drafti/ Reforma në arsim, kriteret e reja për mësuesit

Driçim Çaka

 

 Shtohet një tjetër program master, “Master ekzekutiv”

 Hiqet anglishtja si provim i detyruar, hiqen edhe studimet me kohë të pjesshme

klasa Reforma në arsim do të sjellë ndryshim rrënjësor në strukturën arsimore, por edhe në mësimdhënie. Drafti i përgatitur nga Komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor përcakton se duhet të shtohet një cikël i tretë studimesh, që do të quhet “Master Ekzekutiv”. “Për saktësimin dhe plotësimin e ofertës formuese të ciklit të tretë të studimeve duhet të rifutet kualifikimi i Masterit të Ciklit të Tretë. Kjo është e domosdoshme për diferencimin e këtij kualifikimi të kryer pas programeve të integruara të ciklit të dytë (mjekët, stomatologët, farmacistët, arkitektët etj.). Mbështetur në përvojën e disa vendeve të huaja ai duhet të quhet “Master Ekzekutiv”, i pozicionuar në Ciklin e Tretë me kohëzgjatje 1 ose 2 vite akademike, me 60 ose 120 kredite ECTS (ky kualifikim mund të realizohet pas studimeve Master i Shkencave të Ciklit të Dytë)”, – thuhet në draftin e Komisionit. Kualifikimi është i njëjtë me Masterin e Nivelit të Dytë, që parashikonte Ligji i Arsimit të Lartë të vitit 2007. Futja e këtij kualifikimi do të lehtësojë edhe ngarkesën e IAL-ve për studimet e doktoraturës. Hapja e programeve të Ciklit të 2° dhe të 3°, me përjashtim të Masterave Profesionalë dhe Ekzekutivë, përkatësisht të Ciklit 2° dhe 3°, duhet të ketë komponent kërkimor-shkencor dhe infrastrukturë kërkimore të vërtetueshme paraprakisht. “Të mbyllet sistemi i studimeve me kohe të pjesshme për të gjitha ciklet dhe programet e studimit si në IAL-të publike edhe ato private. Të hiqet detyrimi ligjor i dhënies së gjuhës angleze me teste ndërkombëtare. Të hiqet provimi pasuniversitar i Gjuhës së Huaj, që mbrohet pranë Fakultetit te Gjuhëve të Huaja të UT-së (sistem, i cili ka lindur në vitet ‘90, si kusht i mbrojtjes së doktoratës). Për një kualifikim të tillë të interesuarit t’u drejtohen qendrave të specializuara të njohura nga shtetet përkatëse”, – janë pikat e tjera të rëndësishme që propozon komisioni për reformimin e sistemit arsimor.

 

Mësuesia

Ndryshim parashikohet edhe në fushën e mësuesisë. “Mësuesia duhet të organizohet në dy cikle. Cikli i parë (Diplomë Bachelor) me 3 vite dhe 180 kredite të ndjekura nga studimet e Ciklit të Dytë me 1-2 vite me 60-120 kredite (Master Profesional; Master i Shkencave). Mësuesit e arsimit parashkollor dhe atij fillor duhet të formohen nga studime bachelor 3-vjeçare me 180 kredite me kurrikulë të ndërtuar për këtë cikël. Pas këtyre studimeve studentët mund të kalojnë në tregun e punës si mësues ndihmës pasi kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit (pas provimit të licencimit). Një tjetër mundësi për këta studentë është vazhdimi i Ciklit të Dytë të studimeve Master Profesional 60 kredite 1-vjeçar, i cili duhet të jetë i diferencuar në MP, që përgatit mësues për arsimin parashkollor ose MP, për arsimin fillor”, – thuhet në darftin për reformën në arsimin e lartë. Pas fitimit të diplomës së Ciklit të Dytë të diplomuarit sipas titullit përkatës të diplomës mund të kalojnë në tregun e punës si mësues pasi kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit (pas provimit të licencimit).

 

Mësuesit në arsimin e mesëm

Mësuesit për arsimin e mesëm duhet të përgatiten duke ndjekur këtë rrugë: Diplomim në fushën përkatëse të shkencës (Cikli i Parë Diplomë Bachelor 3 vjet 180 kredite). Studime të Ciklit të Dytë Master i Shkencave 2 vjeçar 120 kredite, i cili përgatit mësues për AM të ulët dhe të lartë. Kurrikulat e Programeve të studimit të Ciklit të Dytë për përgatitjen e mësuesve duhet të ruajnë një ngjashmëri në nivel kombëtar sipas fushës së shkencës përkatëse 80% në ndërtimin e tyre. Kurrikulat e Programeve të Ciklit të Dytë të studimeve për formimin e mësuesve duhet të kenë një komponent të rëndësishme të formimit pedagogjik dhe psikologjik si edhe të formimit praktik pranë IAM. Kjo reformë propozon që viti i praktikës në shkollë, pas diplomimit të studentëve me Diplomën e Ciklit të Dytë, pranë Institucioneve të Arsimit të Mesëm duhet të bëhet me gjysmën e rrogës së mësuesit (sikundër edhe ndodh për stazhierët e mjekësisë). Formimi i mësuesve duhet të jetë i vazhduar, IAL-të duhet të krijojnë kushte për trajnimin dhe formimin e vazhduar të mësuesve në bashkëpunim me Institucionet shtetërore të Arsimit të Mesëm.

 

 8 maji/ Talasemia, 7% e popullsisë e prekur

Në Shqipëri rreth 7% e popullsisë janë të prekur me talasemi, ku 200 janë fëmijë ndërsa pjesa tjetër të rritur. Gjatë një aktiviteti ndërgjegjësues në ditën botërore të talasemisë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh se në Shqipëri ka probleme me diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje. Një zgjidhje do të ishte tha kreu i Shëndetësisë, që të rinjtë sot përpara se të kurorëzojnë marrëdhëniet e tyre, të kryejnë analizat nëse janë bartës të kësaj sëmundjeje apo jo. Por kjo tha ministri i Shëndetësisë kërkon bashkëpunim nga e gjithë shoqëria. ”Ne po punojmë që në buxhetimin afatmesëm ta kemi të përfshirë, e kemi përfshirë nga viti i ardhshëm, dhe kemi hyrë në kontakte me vende të zhvilluara perëndimore, që transplantin e mëlçisë dhe transplantin e palcës së kockave, që se bëjmë dot në Shqipëri, të mund ta financojnë fillimisht vendet e BE-së. Edhe pse, si Ministër i Shëndetësisë, aq më tepër në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të jem më i prirë, që ky lloj specialiteti gradualisht të mund të fillojë të bëhet edhe në Shqipëri”, – tha ministri i Shëndetësisë. Në Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë, Beqaj tha se duhet të vendosim nëse kjo analizë të bëhet më parë se të kurorëzohet një çift. “Mund të bëhet, duke ndërhyrë në legjislacion për Kodin e Familjes. Ndoshta një debat i shëndetshëm në shoqëri duhet rihapur, se kur mund të bëhet më mirë zbulimi i hershëm. Unë vetë jam i mendimit që të kalojmë në një kufizim administrativ, para kujtdo që do të japë provimin e maturës të mund ta ketë gjë. Ju bëj thirrje që t’i bashkohemi në këtë 8 maj mesazhit të fushatës globale të ndërgjegjësimit që është “Vëzhgojmë, bashkojmë forcat, mbrojmë shëndetin”, – theksoi Beqaj. Sipas të dhënave të Federatës Botërore të Talasemisë, aktualisht në të gjithë botën çdo vit lindin mbi 100 mijë fëmijë bartës të kësaj sëmundjeje. Edhe në vendin tonë shifrat vazhdojnë të jenë të larta, rreth 7% e popullatës në vend mbartin në genet e tyre sëmundjen e talasemisë.

Share it :