Fjalimi nga sheshi “Shën Pjetër”/ Papa Françesku: Shqiptarët, popull kurajoz, shembull paqeje për botën

“Vizita në Shqipëri lindi nga dëshira për të shkuar në një vend që, pasi u shtyp gjatë nga regjimi ateist dhe çnjerëzor, po kalon përvojën e një bashkëjetese paqësore mes komponentëve fetarë të ndryshëm”

papa2“Do të doja që të gjithë ne të përshëndesim këtë popull të guximshëm, punëtor, që në paqe, kërkon bashkimin”. Me këto fjalë Papa Françesku u ka kërkuar besimtarëve në sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan, të vlerësojnë shqiptarët, pasi janë një popull kurajoz. “Falënderoj edhe një herë Zotin, sepse me këtë udhëtim më mundësoi takimin me një popull kurajoz e të fortë, që nuk është përulur nga dhimbja. Vëllezërve dhe motrave shqiptarë u rinovoj ftesën e kurajës dhe së mirës, për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen e vendit të tyre e të Evropës. Ia besoj frytet e vizitës sime Zojës së Këshillit të Mirë, të nderuarve të Mauzoleut të Shkodrës, në mënyrë që të vazhdojnë të udhëheqin rrugën e këtij populli-martir. Përvoja e hidhur e së kaluarës të rrënjësojë më shumë hapjen ndaj vëllezërve tanë, veçanërisht më të dobëtëve, dhe ta bëjë atë protagonist të dinamizmit të bamirësisë aq të nevojshme në kontekstin socio-kulturor. Unë uroj që të gjithë ne sot të bëmë një përshëndetje për këtë popull trim, punëtor dhe që në paqe kërkon bashkimin”, – iu drejtua Papa Françesku besimtarëve. Sipas Radio Vatikanit, gjatë fjalës së tij në këtë audiencë, Ati i Shenjtë deklaroi se shembulli i shqiptarëve tregon se bashkëjetesa fetare është e mundur.

 

Popull martir

“Përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës munda të shihja portretet e dyzet priftërinjve të vrarë gjatë diktaturës komuniste dhe për të cilët ka filluar procesi i lumturimit. Janë qindra besimtarë të krishterë e myslimanë të vrarë, të torturuar, të burgosur dhe të internuar, vetëm për shkak se ata besonin në Zot. Kanë qenë vite të zeza, përgjatë të cilave liria fetare u dogj deri në themel dhe ishte e ndaluar të besoje në Zot. Mijëra kisha dhe xhami u shkatërruan u shndërruan në magazina dhe kinema, që propagandonin ideologjinë marksiste, librat fetarë u dogjën dhe prindërit u ndaluan t’u vinin fëmijëve emrat fetarë të të parëve. Kujtimi i këtyre ngjarjeve dramatike është thelbësor për të ardhmen e një populli. Kujtesa e martirëve që kanë rezistuar për besimin është garancia për të ardhmen e Shqipërisë, sepse gjaku i tyre nuk është derdhur kot, por ajo është një farë që do të sjellë frytin e paqes dhe bashkëpunim vëllazëror. Sot Shqipëria është një shembull që duhet ndjekur jo vetëm për rilindjen e Kishës, por edhe për bashkëjetesën paqësore mes feve. Për këtë arsye, martirët nuk janë humbës, por fitues, me dëshminë e tyre heroike shkëlqen plotfuqishmëria e Zotit i cili gjithmonë ngushëllon popullin e tij, duke hapur shtigje të reja dhe horizonte të shpresës. Ky mesazh i shpresës, i themeluar në besimin te Krishti dhe kujtimin e së kaluarës, ia kam besuar të gjithë popullit shqiptar që i pashë entuziastë dhe të lumtur në vendet e takimeve dhe festave, si dhe në rrugët e Tiranës. I inkurajova të gjithë për të nxjerrë energjitë e reja nga Zoti i Ngjallur, që të jetë maja ungjillore në shoqëri dhe të angazhohen, siç ndodh tashmë në aktivitete bamirësie dhe edukative”, – tha Ati i Shenjtë.
Vizita

Më tej në fjalimin e tij nga sheshi “Shën Pjetër”, Papa shpjegoi se ishte dëshira e tij për të vizituar një vend që ishte shtypur nga regjimi komunist. “Kjo vizitë lindi nga dëshira për të shkuar në një vend që, pasi u shtyp gjatë nga regjimi ateist dhe çnjerëzor, po kalon përvojën e një bashkëjetese paqësore mes komponentëve fetarë të ndryshëm. Më dukej e rëndësishme për të inkurajuar këtë rrugë, që ta vazhdojnë me ngulm dhe që ta thellojnë në të gjitha aspektet për të mirën e së mirës së përbashkët. Për këtë arsye, në mes të vizitës pata një takim ndërfetar, ku unë kam parë, me kënaqësi të madhe, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve që i përkasin feve të ndryshme nuk është vetëm e dëshirueshme, por edhe praktikisht e mundur. Ata e praktikojnë atë! Është një dialog i vërtetë dhe i frytshëm që shmang relativizmin dhe merr parasysh identitetin e secilit. Çfarë i bashkon shprehjet e ndryshme fetare, në fakt, është udhëtimi i jetës, dëshira e mirë për të bërë mirë për të tjerët, jo duke mohuar ose minimizuar identitetin e tyre”, – u shpreh Papa Françesku. “Ia besoj frytet e vizitës sime Zojës së Këshillit të Mirë, që nderohet në Shenjtëroren me të njëjtin emër në Shkodër, që Ajo të vazhdojë ta udhëheqë këtë popull-martir në udhën e tij. Përvoja e vështirë e së kaluarës thelloftë gjithnjë e më shumë hapjen ndaj vëllezërve, sidomos ndaj më të brishtëve, dhe e bëftë gjithnjë e më shumë protagonist të atij dinamizmi të bamirësisë, kaq të nevojshëm në kontekstin e sotëm shoqëroro-kulturor”, – përfundoi fjalën e tij Papa Françesku nga sheshi “Shën Pjetër”.

 

 Mbyllet tregu/ Tregtarët te uzina “Dinamo” përplasen me policinë

Pas një muaj përpjekje policia ka ndërhyrë dhe ka mbyllur tregun ushqimor tek uzina “Dinamo”. Tregu u boshatis dhe tregtarët nuk u lejuan të futeshin në ambientet ku ushtronin më parë aktivitetin. INUK ka prishur ambientet tregtare, si ndërtime pa leje. Disa prej tyre kanë improvizuar me arka tendat për të shitur produktet e tyre, por edhe në këtë rast policia s’i ka lejuar. Tregtarët dhe familjarët e tyre janë konfrontuar me policinë, çka ka bërë që disa prej tyre të shoqërohen në komisariatet e policisë.

Bllokimi i këtij tregu është bërë me një urdhër nga Prefektura e Tiranës, Bashkisë dhe Instituti të Higjienës me motivacionin se ai nuk plotëson kushtet higjieno-sanitare për tregtimin e produkteve ushqimore. Tregtarët kundërshtojnë vendimin, madje edhe duke u përleshur forcërisht me Policinë Bashkiake. Sipas tregtarëve, mbyllja e tregut nuk ka të bëjë me kushtet higjieno-sanitare, por me interesa të caktuara që kërkojnë ta kthejnë këtë zonë në shesh ndërtimi për pallate. Në këtë treg janë pezulluar të ushtrojnë aktivitet 386 subjekteve, ku janë të punësuar 5 mijë persona.

Share it :