Financat e Botërorit/ Ja sa fiton Brazili dhe skuadrat nga ky Botëror

brazil 2014 stadiumiNgjarja më e rëndësishme sportive e globit, përveç spektaklit në fushë, do të ketë spektakël edhe në fushën e financave, për shkak të shifrave kolosale që do të përfitojë vendi organizator dhe skuadrat

 Të organizosh një botëror nuk është e lehtë. Kjo, pasi do të duhet që të punosh dhe të shpenzosh shumë. Shifra të mëdha, të cilat do të hidhen me një qëllim të vetëm. Ta bësh Botërorin më magjik në vendin tënd. Një shans të tillë e ka Brazili. Amerikanojugorët kanë kohë që kanë nisur punën për një sfidë të tillë dhe duket se pas shumë pune dhe sakrifice do të mund të shikojmë një Botëror magjik. Pas lodhjes vjen edhe kënaqësia. Pavarësisht shpenzimeve të mëdha që janë bërë nga shteti për ndërtimin e stadiumeve, infrastrukturën, por edhe elementë të tjerë, do të vijë edhe shpërblimi. Kjo, pasi sa vjen edhe futbolli është gjithmonë i lidhur me komercialitetin. Dy faktorë që ecin bashkë dhe që kanë rritur shumë përfitimin e futbollit si industri. Kështu, shumë turistë, sponsorë, të drejta televizive do të zbresin në Brazil. Të gjitha këto përkthehen në para dhe që nënkupton që do të shkojnë drejt atyre që i organizojnë dhe skuadrave që luajnë. Kështu, Botërori shërben edhe si një vitrinë e madhe me investime në të gjitha drejtimet. Brazili dhe ekipet pjesëmarrëse në Botëror përfitojnë shumë nga ky eveniment. Duke pasur parasysh yjet që luajnë, por edhe përfitimet nga FIFA dhe në rast fitoreje, i rrisin shumë të ardhurat ekipeve dhe federative të tyre. Ndërsa për Brazilin do të jetë një muaj i begatë, pasi mendohet se shuma e shpenzimeve që do të kryhet nga turistët, do të jetë marramendëse.

 

Sa do të përfitojë Brazili

Ekonomia braziliane pritet të ketë një rritje të ndjeshme gjatë Botërorit. “Embratur”, studioja ligjore për turizmin vendas, ka treguar se shpenzimet që do të bëjnë brazilianët dhe të huajt gjatë muajit qershor dhe korrik do të kalojnë shifrën e 8 miliardë eurove. Këto shifra do të rikuperonin të gjitha investimet publike që janë bërë për organizimin e këtij evenimenti. Sipas statistikave të “Embratur”, brazilianët do të shpenzojnë rreth 6 miliardë euro, ndërsa të huajt që do të jenë aty për pushime dhe për të mbështetur skuadrat e tyre, do të shpenzojnë më shumë se 2 miliardë euro. Sipas statistikave të kësaj kompanie, të ardhurat që do të përfitojë ekonomia braziliane gjatë Kupës së Botës, do të jenë 30 herë më të larta se të ardhurat që kanë ardhur nga shpenzimet e turistëve gjatë festimeve të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

 

Sa do të përfitojnë përfaqësueset?

Shpërblimet ekonomike që do të shpërndajë FIFA për Kupën e Botës “Brazil 2014” kanë pësuar një rritje prej 37% në krahasim me ato të “Afrikë e Jugut 2010”. Minimumi i shumës që do të marrë çdo përfaqësuese që merr pjesë në Botëror është 5. 6 milionë euro, pasi kaq do të përfitojnë kombëtaret që eliminohen që në fazën e parë. Skuadra kampione do të marrë 27 milionë euro, finalistët 18 milionë euro, ndërsa vendi i tretë 16 milionë euro. Skuadra që klasifikohet e katërta do të marrë 14. 7 milionë euro, çerekfinalistet nga 10 milionë, ndërsa ekipet që eliminohen në 1/8 do të marrin nga 6. 6 milionë euro. FIFA gjithashtu do të derdhë një total prej 52 milionë eurosh për klubet që janë pronarë të kartonëve të futbollistëve pjesëmarrës në “Brazil 2014”.

 

Sa premio fiton Spanja, nëse shpallet sërish kampione?

23 futbollistët dhe grupi teknik i kombëtares spanjolle do të përfitojnë nga 720 mijë euro për kokë, në formë shpërblimesh, nëse Spanja do të mbrojë titullin botëror në Brazil, nga 120 mijë euro më shumë nga sa morën 4 vite më parë për triumfin në Botërorin e Afrikës së Jugut, çka do të thotë një rritje prej 20 për qind e premiove. 720 mijë eurot për lojtar klasifikohen në këtë mënyrë, për të kaluar 1/8 futbollistët e “La Roja” do të marrin nga 72 mijë euro, nëse shkojnë në gjysmëfinale do të marrin nga 180 mijë, ndërsa nëse luajnë finalen do të marrin edhe 360 mijë euro të tjera. Premiot e Botërorit u përcaktuan që një muaj më parë në një mbledhje mes lojtarëve dhe Federatës Spanjolle në të cilën ishin prezentë kapitenët Kasijas dhe Ksavi Hernandez. Shpërblimet për lojtarët e kombëtares spanjolle janë rritur në çdo kompeticion në funksion të titujve të fituar. Kështu në Botërorin “Gjermani 2006” ato arritën shumën e 540 mijë eurove ndërsa në “Afrikë e Jugut 2010” ishin 600 mijë euro. Vlen për t’u theksuar se shpërblimet e përcaktuara nga Spanja janë më të lartat në këtë Botëror. Kështu, në krahasim me 720 mijë eurot që do të mund të arkëtojë çdo lojtar i Visente del Boskes, përfaqësuese si Brazili, që konsiderohet dhe favoriti i turneut do të japin nga 330 mijë euro për lojtar, ndërsa akoma më pak do të marrin lojtarët e një fuqie ekonomike dhe sportive si Gjermania që ka përcaktuar premio prej 300 mijë eurosh për kokë për triumfin në Botëror.

 

Nëse ka korrupsion për Botërorin 2022, të rivotohet

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, deklaron se FIFA duhet të rivotojë vendimin për të zhvilluar Kupën e Botës në Katar në vitin 2022. Sipas numrit një të organizmit më të lartë të qeverisë evropiane të futbollit, nëse vërtetohet që fitimi i të drejtës së organizimit të këtij turneu nga ana e Katarit vjen me korrupsion, atëherë e vetmja zgjidhje është rivotimi. “Katari ishte zgjidhja e duhur për FIFA-n dhe për botën e futbollit. Por nëse provohet korrupsioni i votës, atëherë duhet një votim iri dhe sanksione”, – ka thënë Presidenti i UEFA-s. Disa media evropiane gjatë ditëve të fundit e kanë lidhur emrin e Platini me atë të Mohamed bin Hamamit, duke hedhur hipotezat për një korrupsion në nivel të lartë. Por platini ka deklaruar se ai ishte thjesht në një drekë me një kolegun e tij dhe anëtar i bordit të FIFA-s. “Kam lexuar tek të gjitha gazetat për korrupsionin e Platinisë. Sinqerisht që kjo më dhemb. Këtë njeri e kam takuar 10 mijë herë në 15 vite. Pse duhet të kem një takim sekret me të? Tani po mësoj prapa gjithë kësaj është dikush apo ndonjë organizatë. E ndjej. Për më shumë se një vit kërkojnë të më diskriminojnë mua. Por për të zbuluar të vërtetën ka njerëz dhe kompani të specializuara”, – vijoi Platini. Ish-Topi i Artë, tashmë në rolin e drejtuesit, bën të ditur se gjithçka po ndodh nuk do të ndikojë në vendimin e tij për të sfiduar në zgjedhjet e ardhshme Sep Blaterin, për të marrë kreun e FIFA-s. Platini bëri të ditur se vendimin e tij për të kandiduar në zgjedhjet e majit 2015 për President të FIFA-s do ta bëjë publik në muajin gusht, pas përfundimit të Kampionatit Botëror të Brazilit.

 

Statistika dhe shifra

 Lojtar dhe trajner kampion bote: Mario Zagallo, lojtar më 1958, si trajner në 1970.

Kapiten dhe trajner kampion bote: Franc Bekebauer, më 1974 dhe si trajner më 1990.

I vetmi trajner që e përsërit dy herë rresht triumfin: italiani Vitorio Poco, në 1934 dhe 1930.

Penalltia e parë: shënoi meksikani Manuel Rohas ndaj Argjentinës, më 1930.

Penalltia e parë e humbur: legjendari Rikardo Zamora i Spanjës më 1934, grushtoi penalltinë e gjuajtur nga braziliani Valdemar de Brito.

 

 

Rezultatet e finaleve deri më sot

1930: Uruguai – Argjentinë 4:2

1934: Itali – Çekosllovaki 2:1

1938: Itali – Hungari 4:2

1950: Uruguai – Brazil 2:1

1954: Gjermani Perëndimore – Hungari 3:2

1958: Brazil – Suedi 5:2

1962: Brazil – Çekosllovaki 3:1

1966: Angli – Gjermani Perëndimore 4:2

1970: Brazil – Itali 4:1

1974: Gjermani Perëndimore – Holandë 2:1

1978: Argjentinë – Holandë 3:1

1982: Itali – Gjermani Perëndimore 3:1

1986: Argjentinë – Gjermani Perëndimore 3:2

1990: Gjermani Perëndimore – Argjentinë 1:0

1994: Brazil – Itali 0:0 (Pen: 3-2 )

1998: Francë – Brazil 3:0

2002: Brazil – Gjermani 2:0

2006: Itali – Francë 1:1 (Pen: 5-4)

2010: Spanjë – Holandë 1:0

 

 

Share it :