Filozofia për të votuar të djathtën

votaÇelo Hoxha

 

Partitë politike e mbyllën punën e tyre të premten në mbrëmje. Dje ishte pushim për të gjithë. Sot është dita e qytetarit. Ditën e votimit çdo qytetar është i barabartë me Presidentin e Republikës, me Kryeministrin, me kryetarin e opozitës etj. Të gjithë qytetarët, me status e pa status, do të përcaktojnë orientimin politik të qeverisjes për katër vjetët e ardhshëm dhe të gjithë kanë të njëjtën forcë: një votë të vetme. Që kjo të realizohet, duhen bërë edhe disa veprime të vogla: të shkosh te qendra e votimit, të presësh ndoshta në radhë, të ndjekësh procedurën, të rrëshqasësh fletën e palosur më katërsh në të çarën e kutisë dhe pastaj të largohesh i kënaqur: kjo ishte mundësia jote dhe ti e ke shfrytëzuar atë me vetëdije të plotë (Në zgjedhjet e sotme ka vetëm një kuti, kështu që s’ka problem të ruheni nga kamerat, për të shmangur ndonjë incident si ai i Presidentit Bamir Topi në zgjedhjet e fundit lokale. Pra, mundësia për t’u bërë gazi botës është zero).

Sot duhet të shmanget apatia, secili duhet aq aktiv sa të kryejë këtë detyrë. Gjatë fushatës elektorale pati një grup njerëzish që propozuan si zgjidhje për të shprehur vullnetin e tyre vendosjen e kryqit për të gjitha partitë në fletën e votimit. Ndryshe, kjo lloj flete, gjatë numërimit të votave, quhet votë e pavlefshme. Përkrahësit e kësaj ideje ishin një tufë njerëzish që jetojnë jashtë Shqipërisë, nga ata që mendojnë se ajo ekziston diku mbi tokë dhe gjithë jetën e kërkojnë me këmbë, duke refuzuar të rrinë (ose të kthehen pas njëfarë kohe) për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme në vendin e tyre. Logjika e tyre e orientimit drejt të mirës ngjason pak me sjelljen e qenieve që shkojnë aty ku bari është më jeshil dhe i pashkelur.

Përkrahësit e kryqit mbi fletën e votimit, të cilët jetojnë në Shqipëri, janë njerëz të paqartë dhe mendojnë se problemi qëndron te gjithë pjesa tjetër e kombit rreth tyre. Meqë ata nuk kanë një zgjidhje, kujtojnë se të gjithë të tjerët janë mendje të turbullta. Ata, në fakt, s’bëjnë asgjë veç mundohen të projektojnë në botë paqartësinë e tyre. Diçka si puna e Marksit, ngaqë ishte ai fukara dhe dembel, kujtonte se gjithë hallet e botës zgjidheshin duke u marrë pasurinë të kamurve. Në fakt, bota, siç e tregoi historia, u rregullua nga njerëzit që punonin, jo ata që vidhnin.

Sigurisht, demokracia nuk është sistemi më i përsosur i organizmit të shoqërisë njerëzore, por është – dhe po parafrazoj Çurçillin – më i miri nga gjithë sistemet e tjera që njeh njeriu. Për mua, megjithatë, as të shkosh dhe të votosh nuk mjafton. Zgjedhja ka rëndësi. Gjatë fushatës ka një kakofoni zërash, premtime, akuza, kundërakuza, propagandë e mirëfilltë, madje edhe mashtrime, megjithatë nuk është e vështirë që qytetari të bëjë zgjedhjen e tij më të mirë. Njerëzit, në përgjithësi, janë të prirë drejt të mirës për veten e tyre, por gjithmonë në harmoni me njerëzit rrotull. Për shembull, ai që e hap një biznes e hap atë për të fituar, por nga ana tjetër, u shërben të tjerëve. Kjo është harmonia e bashkëpunimit në komunitet. Në të kundërt, ai që vjedh, mendon të mirën e tij, por e siguron atë në kurriz të dikujt tjetër, duke prishur kështu edhe harmoninë e komunitetit. E njëjta logjikë funksionon edhe në zgjedhje. Kush do të votojë një parti me shpresën se ajo do ta punësojë në administratë (siç janë mprehur socialistët), ai mendon për të mirën e tij, por në dëm të dikujt tjetër, sepse atë vend e ka dikush që ushqen fëmijët e tij, shkon në zgjedhje me logjikën e hajdutit. Zgjedhja për të mirën është më e gjerë se kaq, është zgjedhje idealesh, politikash të përgjithshme, brenda të cilave qytetari gjen veten. Një qytetar i thjeshtë, që nuk merret gjatë me analiza, e ka edhe më të lehtë zgjedhjen. Rregulli bazë është: voto atë që të ofron më shumë liri dhe të merr më pak taksa. Dhe kjo është, përherë, e djathta.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :