Fillojnë debatet për ligjin e ri të qeverisë/ Procesi i legalizimeve, biznesi kalon në plan të dytë

Florenc Drizari

 

Rama: S’ka proces për vetëdeklarime të reja, do të ketë ripërcaktim të kufijve të zonave informale

rama legalizimiKryeministri Edi Rama zhvilloi dje pasdite një tjetër takim me qytetarët për të sqaruar nismën e qeverisë lidhur me procesin e legalizimeve. Në fjalën e tij Rama sqaroi se nuk do të hapet një proces i ri vetëdeklarimesh dhe askush nuk do të lihet i palegalizuar. Gjithashtu Kryeminisitri deklaroi se do t’i qëndrojë premtimeve të bëra në fushatën elektorale, paçka se i gjithë procesi nuk mund të mbyllet brenda këtij mandati qeversisës.

“Ne nuk do hapim një proces të ri vetëdeklarimesh por nuk do të lëmë askënd të mbetet i palegalizuar në zonat informale. Me hyrjen në fuqi të ligjit do të përcaktohen zonat informale dhe brenda tyre do të bëhen legalizimet. Kush ka shtuar një kat më shumë do të mirëkuptohet sepse nuk ka qenë faji i atyre që janë vetëdeklaruar dhe nuk e kanë marrë legalizimin. Vetëdeklarime që në vitin 1993, 2005 e me radhe që nuk ka marrë certifikatën. Pra ne marrim përsipër që shtëpia do të legalizohet siç është në gjendjen aktuale pavarësisht vetëdeklarimit”, – u shpreh Rama. Kryeministri tha se do të ketë ripërcaktim të kufijve të zonave informale pasi ka banorë që kanë ndërtuar në zonat që ende nuk janë përcaktuar nëse janë informale apo jo .

Lidhur me legalizimin e bizneseve, Rama u shpreh se nuk janë shqetësimi parësor. Ai theksoi se ato janë në plan të dytë dhe se do legalizohen sipas procedurave aktuale pa pasur asnjë lloj lehtësimi. “Nuk janë A-ja e shqetësimit tonë janë B-ja. Nuk do përfitojnë asnjë lloj ulje do legalizohen në kushtet që legalizohen aktualisht. Nuk do shtrenjtohen por nuk do të kenë asnjë përfitim. Në rast se në zonat informale do bëjnë legalizim të plotë, për bizneset në rast se nuk bie ndesh me planin rregullues nuk shembet por legalizohet. Por legalizohet me kushte të tjera”, – u shpreh Kryeministri.

Më tej ai theksoi se edhe banesat ku janë planifikuar që të ndërtohen pallate do të legalizohen. Sipas tij projektet nga qeveria e shkuar janë bërë pasi janë bërë vetëdeklarimet ndaj këto plane nuk do të zbatohen. “I kanë bërë planet pas vetëdeklarimeve. Bënin planet rregulluese më monstruoze që mund të ekzistojnë. Ne do bëjmë legalizimin dhe nuk do të ndërtohet mbi shpatullat tuaja. Le ta mbajnë planin dhe ta përdorin për ndonjë gjë tjetër. Këtë do e zgjidhim ligjërisht. I kishin bërë planet për ta bërë Paskuqanin Manhatan”, – u shpreh Rama.

Gjithashtu Kryeministri theksoi se procesi i legalizimit do të jetë falas në të gjitha etapat e tij. “Legalizimi është tërësisht falas. Në rast se do thuash se pavarësisht këtyre lehtësirave unë nuk i kam lekët prapë do bëhet legalizimi prapë do e marrësh certifikatën e pronësisë por do kesh shumën borxh dhe ta paguash kur ta kesh, nëse vjen pas një viti mund të përfitosh nga ulja me letra me vlerë. Në rast se nuk i paguan pas një viti nuk përfiton ulje. Shtëpia është e jotja mund ta shesësh mund ta japësh me qira por e ke bashkë me barrën hipotekore. Procesi i gjithi është falas”.

Përsa i përket familjeve që kanë persona me aftësi të kufizuara Rama u shpreh se nuk do të paguajnë asnjë gjë edhe nëse kanë ndërtuar në tokë publike apo me pronar. Sipas tij shpenzimet i merr përsipër qeveria.”Ata që kanë persona me aftësi te kufizuara ën shtëpi nuk do paguajnë asnjë gjë edhe nëse do e kenë shtëpinë në tokën e dikujt tjetër apo të shtetit.”

 

Legalizimet, opozita: Nuk po bëhen falas

Projektligji për legalizimet u kundërshtuar në Komisionin e Ekonomisë nga demokratët të cilët e kanë cilësuar një ligj demagogjik sa për të larë duart me premtimin e dhënë. Sipas opozitës Kryeministri Rama nuk po bën legalizime falas pasi falas bëhen vetëm disa dokumente dhe jo pronësia e tokës. Ish ministri Bode theksoi se edhe procedura falas për qytetaret përkthehet në një kosto për ish-pronarët pasi 30% e vlerës së shpronësimit të tyre përdoret nga Aluizni. Ministrja Gjermeni kërkoi nga opozita dhe veçanërisht nga Ridvan Bode të kërkojë falje për zvarritjen e këtij procesit dhe rënien në korrupsion të thellë. Ndërsa e siguroi se legalizimet do të bëhen falas brenda 4 viteve. Kundërshti për nene të caktuara të projektligjit ka pasur edhe nga vetë mazhoranca. Socialisti Erion Braçe ka kërkuar që neni ku ka përplasje me planet urbanistike sidomos të Bashkisë së Tiranës te kthehet për rishqyrtim në komisionin përgjegjës.

 

 

Pas shkresës së SHISH-it, Kodheli dhe Ajazi shtrëngojnë duart

Pak ditë pas publikimit në media të shkresës së SHISH-it, ku flitej për dyshime në lidhje me transportin e drogës me avionë të vegjë, shkresë e cila hapi një debat të gjerë në media, Ministja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe kreu i shërbimeve të inteligjencës shtrënguar duart gjatë një konference të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Takimi plot buzëqeshje u realizua në seminarin “Inteligjenca dhe Demokracia” i organizuar nga Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak (ODC) pranë Ministrisë së Mbrojtjes përfundon më 2 maj 2014. Më herët ministja e Mbrojtjes Kodheli ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë fakt që të vërtetojnë akuzat e opozitës për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së ushtrisë në trafiqet e drogës, ndërkohë që të shtunën e kaluar reagoi edhe SHISH-it me anë të një deklarate për median, ku argumentonte se ky institucion duhet të mbetet jashtë sulmeve politike. Në deklaratën e SHISH thuhej se nuk pa pasur prova, por vetëm dyshime dhe se këto indicie u përdoren nga politika dhe media për qëllimet e tyre. Ndërkaq, përsa i përket aktivitetit të djeshëm, Fotot e dërguara nga zyra e shtypit të ministrisë së Mbrojtjes vijnë në kulmin e debatit dhe akuzave për perfshirjen e FA-se ne trafikin e droges. Në takim mori pjesë dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu.

Ambasadori i SHBA

Gjatë fjalës së tij në seminarin me temë “Inteligjenca dhe Demokracia”, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu theksoi se roli i shërbimeve inteligjente dhe mbikëqyrja parlamentare janë një çështje mjaft delikate. Ambasadori amerikan thekson se nuk duhet lejuar kurrsesi që informacione të klasifikuara të dalin në publik. Në hapjen e këtij seminari ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika dhe përfaqësues të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.

 

Share it :