Banorët në disa qytete të Shqipërisë u bënë dëshmitarë të një dukurie të rrallë që ndodhi mbrëmë, kur rreth orës 3:00 qielli i natës u ndriçua, pas një stuhie me shi dhe erë të fortë. Siç duket edhe në foto, qielli u hap dhe një fashë e tij rrezatonte dritë, duke bërë që të dukej sikur ishte një orë mëngjesi. Fenomeni është vërejtur në kryeqytetin shqiptar, por dhe në qytete si Shkodër, Durrës dhe Vlorë, dhe qytetarë të ndryshëm janë përpjekur ta fiksojnë duke bërë fotografi, të cilat i kanë postuar në rrjetet sociale. Zyrtarisht askush nuk është deklaruar mbi atë çka ndodhi mbrëmë, por sipas komenteve, ky mund të jetë një fenomen që ndodh një herë në 127 vjet, kur dielli lëshon rreze të dyfishta për gati tre orë dhe hëna luan rolin e pasqyrues, duke reflektuar në atë mënyrë që u pa dje nga shumë qytetarë. Disa flasin për stuhi diellore, ndërsa besimtarët e cilësuan këtë si “një bekim dhe sinjal të Zotit” për festen e Bajramit.




