ERE gati rritjen e çmimit/ si do të hiqet sistemi i dy tarifave, mbi dhe nën 300 kilovat në muaj

Ervin Kaduku

–   Ishte paralajmëruar nga kreu aktual i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti; parashikohet të hiqet sistemi i dy tarifave, mbi dhe nën 300 kilovatorë në muaj, por duke lejuar vetëm tarifën më të lartë

 

energji-elektrike-llampaNga muaji korrik ose fusht, shtresat më të varfëra të shqiptarëve duhet të përgatiten që të paguajnë më shumë për energjinë elektrike që konsumojnë, pasi ERE është duke përgatitur një draft, sipas të cilit hiqet sistemi i deritanishëm i dy shkallëve tarifore. Bordi i Entit Rregullator të energjisë po merr në shqyrtim mundësim për të unifikuar tarifat e çmimit të energjisë elektrike te konsumatori fundor dhe një gjë e tillë le të hapur mundësinë që çdo konsumator familjar që shpenzon më pak se 300 kilovatorë në muaj të paguajë më shtrenjtë faturën e energjisë elektrike.

Burime nga Enti Rregullator thanë dje se ky vendim pritet të merret në 6 mujorin e dytë të këtij viti dhe synimi kryesor, sipas tyre, do të jetë shmangia e abuzivitetit që mund të ndodhë nga ana e faturistëve të CEZ gjatë kohës që ata lexojnë matësin. Në Shqipëri çmimi i energjisë elektrike për familjarët por edhe për bizneset është i ndarë me fasha. Fasha e parë aplikon një tarfië prej 7.7 lekësh për të gjithë ata që nuk i kalojnë 300 kilovatorët dhe mbi këtë sasi, çdo kilovat më tepër faturohet me 13.5 lek.

Të njëjtat burime konfirmojnë gjithashtu se tarifat do të shkojnë drejt një mesatareje çmimi mes 7.5-ës dhe 13.5 lekëshit. Në këtë mënyrë pjesa që do ta vuajë më shumë këtë ndryshim do të jenë familjet e varfra dhe ata të cilët përpiqen të kursejnë më shumë energjinë elektrike. Sipas të dhënave që disponon Enti Rregullator i Energjisë, nga 900 mijë abonentë familjarë, 750 mijë konsumojnë më pak se 300 kilovatorë në muaj.

2009-ta ishte viti i fundit kur u rritën tarifat e energjisë për konsumatorët, nga një mesatare prej 5.7 lekësh, në 9.3 lek. Por megjithëse çmimet u rritën, nuk pati të njëjtën rritje edhe arkëtimi i energjisë elektrike. Me sa duket e vetmja mënyrë që ende dhe sot mbetet sfidë e hapur në këtë sektor është lufta kundër informalitetit. Një pjesë e mirë e qytetarëve nuk paguajnë faturat dhe një pjesë tjetër merr energji me anë të lidhjeve të jashtëligjshme.

 

Kreu i ERE-s

Ka qenë kryetari i ri i Entit Rregullator, Petrit Ahmeti, që para se të zgjidhej në këtë post, ka propozuar dhe mbështetur tezën për unifikimin e tarifimit të energjisë elektrike të konsumuar. Ai është shprehur se “duhet të fokusohemi në përmirësimin e treguesve të kompanisë CEZ, që gjatë punës së saj ka gjeneruar problematika. Humbjet në sistem, aktualisht janë 50 për qind. E thënë ndryshe nga 100 njësi faturimi, humbin 50 njësi si pasojë e mos pagesave të energjisë. Në këtë kuadër CEZ, duhet të nisë urgjentisht punën për rritjen e performances”.
Duhet zhvillim dhe liberalizim i tregut të energjisë. Duhet që konsumatorët industrial të kenë mundësi të zgjedhin furnitorët e tyre me energji elektrike. Aktualisht për disa konsumatorë industrialë ekziston tregu i lirë për energjinë, por duhet edhe më tej liberalizim për të tjerë konsumatorë industrial. Aktualisht janë rreth 14 konsumatorë industrialë të cilët përfitojnë nga liberalizimi, shtoi ai më tej.
”Por, njëkohësisht do të ketë një rishikim të strukturës së çmimit të energjisë në kuadër të liberalizimit të tregut. Do të hiqet mënyra e pagesës së energjisë e cila llogarit me 7.7 lekë deri në konsumin 300 kilovatorë dhe 13.5 lekë kur e kalon këtë kuotë. Ne do të mundohemi që të sigurojmë një çmim mesatar”, deklaroi Ahmeti.
 

 

Share it :