Ervin Kaduku
Problematika e sektorit duket se ka futur në panik ekzekutivin, që po zgjat sërish duart për ndihmë financiare, përveç borxheve të mëdha që ka marrë nga Fondi Monetar
Problematika e energjisë elektrike, që duket se u adresua në mënyrë pozitive gjatë tetë viteve të fundit, po përballohet me një alarm të madh nga qeveria “Rama”. Kjo nuk shpreh asnjë sinjal të mirë për familjet dhe biznesin. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, është shprehur dje se situata energjetike apo gjendja financiare e sektorit nuk është e mirë. Ai ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë dhe ndërkombëtarëve, pasi deficiti është mjaft i madh, si pasojë e borxheve të mëdha që subjektet i kanë njeri-tjetrit. Këto deklarata Gjiknuri i ka bërë në një tryezë, e organizuar nga donatorët për sektorin energjetik, ku u adresuan problemet kryesore të këtij sistemi, si dhe u hodhën idetë për reforma, të cilat do mund të sigurojnë energji më çmim më të ulët, duke shmangur abuzimet me të.
“Fatkeqësisht situata energjetike apo gjendja financiare e sektorit nuk është e mirë prandaj dhe ka nevojë për energjitë e qeverisë shqiptare, por edhe për një mirëkoordinim të asistencës ndërkombëtare për të adresuar disa nga problemet themelore në mënyrë që sektori energjetik që është shumë i rëndësishëm të jetë faktori nxitës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Nisur nga kjo situatë qeveria ka marrë shumë seriozisht adresimin e problemeve, që vuan nga një deficit i madh monetar. Kemi kompani, të cilat performojnë të gjitha me humbje për shkak të mungesës së likuiditetit në sektor. Kemi disa çështje të tjera që duhet të adresohen në mënyrë që energjia të jetë një sektor i qëndrueshëm nga ana financiare, pasi aktualisht barrën për pjesën e performacës të sektorit po e përballon buxheti i shtetit dhe drejtpërsëdrejti taksapaguesit shqiptar”, – tha Gjiknuri.
“Banka Botërore do japë mbështetje financiare edhe për këtë sektor, por mund të mos jetë e sigurt rimëkëmbja e tij, nëse nuk shoqërohet me reforma të tjera. Është shumë e rëndësishme pasja e një strategjie, që rezultatet të jenë të dukshme. Do ketë një ligj të ri për energjinë, i cili krijon mundësinë e hapjes së tregut të energjisë, pra liberalizimin, një 20% treg do jetë jashtë tregut të rregulluar të energjisë, pra iu jep mundësi prodhuesve të pavarur të energjisë. Do gjendet një zgjidhje për shpërndarjen e energjisë. Të investojmë në këtë sektor, përveç abuzimit ka edhe mungesë investimesh. Shpresojmë për një zgjidhje miqësore, por CEZ Shpërndarje do kthehet në administrim të plotë shtetëror, që të bëjmë të mundur investimet nga donatorët”, – tha Gjiknuri.
Gjiknuri u shpreh më tej se edhe KESH duhet të futet në një menaxhim më eficient. “Kostoja e energjisë të jetë sa më e pranueshme, të mos rëndojë mbi qytetarin. Të ndalojmë abuzimin me energjinë, do marrim masa për të ndëshkuar abuzimin. Të mos quhet më energjia si një mall pa zot, me të cilën mund të abuzojnë të gjithë”, – tha ministri.
Është koha që të majtët në qeveri të marrin një vendim të dytë të fortë për energjinë, ashtu sikundër bënë të djathtët gjatë qeverisjes se tyre në vitet 2005-2005-2013. Dikur, në dimrin e vitit 2007, vendi përjetoi një krizë tjetër ciklike të energjisë dhe, për pak kohë, ramë në rrjetën e ndërprerjeve të gjata të energjisë. Por, qeveria e demokratëve atëherë mori një vendim të fortë politik se do të importonte energji elektrike, pavarësisht çfarëdolloj çmimi, me një bindje të thellë politike dhe ekonomike se popullatës, pavarësisht shkaqeve, nuk mund t’i privohej e drejta për furnizim pa ndërprerje.
Koha dhe matjet vërtetuan drejtësinë e këtij vendimi, pasi rezultoi se dëmi që ekonomia pëson nga mungesa e çdo kilovat/orë për shkak të ndërprerjeve ishte më i madh se çdo çmim maksimal i mundshëm në treg me të cilën do të importohej energjia. Ky vendim kurrë më parë nuk ishte bërë të paktën që pas viteve ‘92, dhe vendi shpesh përjetonte ndërprerje të gjatë të energjisë deri në tetë orë në ditë, çka dëmtoi rëndë ekonominë dhe cenuan mjaft aspekte të tjera të jetës.
Por, pas këtij vendimi të parë politik, u mbetet socialistëve në qeverisjen e sotme të marrin një të dytë që lidhet me çmimin e energjisë elektrike. Prej vitesh, sistemi energjetik shqiptar vuan nga mungesa e burimeve të reja energjetike, edhe pse kërkesa për energji në tregun e brendshëm rritet mesatarisht çdo vit me 10%, ndërkohë që investimet përgjithësisht kanë mbetur të pamjaftueshme, por çka është më e rënda, humbjet në rrjet për shkak të vjedhjeve dhe mosarkëtimeve janë skandalozisht të larta shpesh në 50%. Edhe sot, pas shumë tentativash për ristrukturime apo privatizime, situata është gati e njëjtë. Endja nën këtë lloj pellgu ekonomik e financiar për sektorin më të rëndësishëm strategjik të vendit e ka futur sistemin tashmë në një krizë edhe më të madhe jo vetëm për shkak të furnizimit të paplotë por edhe financave të bjerra rëndë. Çdo herë situata është mundur të zgjidhet përmes rritjes së çmimit final te konsumatori. Aq sa brenda dhjetë vjetëve të fundit çmimi është rritur më shumë se dy herë, duke arritur sot në 13 lekë për kilovat/orë. Kjo ka qenë rruga më e shkurtër dhe më e lehtë për çdo qeverisje gjatë këtyre viteve pasi ka qenë e pazonja për të menaxhuar si duhet këtë sektor dhe për të ndalur rënien financiare.
Për pasojë kemi një situatë absurde, ku një pjesë e shoqërisë paguan për pjesën tjetër, praktikisht dy herë më shumë, sistemi nuk gjeneron financa të shëndetshme dhe indirekt publiku vazhdon të paguajë edhe përmes buxhetit, ndërkohë që kostot e prodhimit po rriten, duke i zvogëluar ekonomisë kombëtare, avantazhin konkurrues.
Në marrëveshjen e fundit, edhe FMN e kushtëzon qeverinë që nëse nuk arrin të përmirësojë parametrat makroekonomikë për të përfituar huan 400 milionë dollarë, ajo do të duhet që përveç disa taksave të rrisë edhe çmimin e energjisë. Pra rrezikojmë të sillemi në të njëjtën situatë. Por paralelisht, FMN në një studim të saj të fundit vëren se çmimi i energjisë që paguajnë shqiptarët është ndër më të lartët në rajon, edhe pse renditet me të ardhura të ulëta. Po sipas FMN, kriza e energjisë në Shqipëri nuk vjen për shkak të çmimit të ulët duke rrëzuar pretendimin për një rritje të re të çmimit, sikundër po tentohet të rritet sërish, por sipas FMN, kriza është për shkak të keqadministrimit të sistemit. Vetëm pesë vitet fundit, thotë ministri i Energjisë, humbjet e energjisë arrijnë rreth 1 miliard dollarë. Pra, a është e drejtë që kostot e keqmenaxhimit të sektorit t’u ngarkohen gjithmonë qytetarëve korrektë, ashtu siç po paralajmërohet sërish.
Ndaj nga qeveria e sotme pritet ky vendim i dytë, çmimet e energjisë te konsumatori final të mos preken derisa sistemi të ketë arritur eficencë në administrim e kur të vendoset barazia në pagesa. Ka disa përpjekje të fundit të qeverisë këto kohë në këtë drejtim, por është ende shpejt dhe besojmë të pamjaftueshme. Kërkohet si fillim vullnet politik dhe shumë investime, e sigurisht reformë e thellë e një garanci që ata që paguajnë, nuk do të vijojnë të ndëshkohen.
Inflacioni ngre kokë sërish, tani 2,2%
Në muajin mars 2014, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,2%, njoftoi dje INSTAT. Në muajin mars 2014, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,2%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 2,4%. Krahasuar me muajin mars 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 11,0%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,8%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7% etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 3,2%, pasuar nga grupi “Komunikimi” me 2,8%, “Shëndeti” me 1,4% etj.
Rritja vjetore në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 pikë për qind. Në këtë grup çmimet e nëngrupit “Fruta” janë rritur me 15,2% dhe nëngrupit “Zarzavate” me 13,6%. Ndërsa çmimet e nëngrupit “Sheqer e ëmbëlsira” u ulën me 4,8%, “Vajra dhe yndyra” 4,0% pasuar nga nëngrupi “Kafe, çaj e kakao” me 1,7%, “Qumësht, djathë e vezë” me 1,2% etj. Rritja e çmimeve të grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,24 pikë për qind në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 12,6%. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” ka kontribuar me 0,54 pikë për qind. Në këtë grup çmimet e artikujve për kujdesin personal u rritën me 2,8%.
Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë ndikuar me – 0,16 pikë për qind në ndryshimin vjetor. Grupet “Komunikimi” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar respektivisht me -0,07 dhe -0,05 pikë për qind.
Në Mars 2014 ndryshimi mujor i indeksit është 0,5%. Rritja mujore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me 0,44 pikë për qind. Çmimet e zarzavateve u rritën me 4,6% dhe çmimi i frutave me 4,0%. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ndikuan me 0,2 pikë për qind në ndryshimin mujor. Në këtë grup çmimet e pijeve alkoolike u rriten me 0,6% dhe çmimi i duhanit me 0,3%.
Çmimet e grupit “Transporti” kanë ndikuar me -0,01 pikë për qind në ndryshimin mujor. Çmimi i naftës u ul me 0,3% dhe i benzinës me 0,4% krahasuar me një muaj më parë.




