Katalanasit do të përballen me ekipin e Ançelotit në një sfidë që më shumë se prestigji për të fituar kupën, qëndron edhe dublimi historik i dy klubeve me të mëdha
“El Clasico” për të vendosur se kush është mbreti. Dy gjigantët spanjollë nesër do të përballen në ndeshjen finale, e cila zhvillohet në stadiumin e Valencias. Kështu Barcelona do të përballet me Realin përsëri në një ndeshje pasioni dhe urrejtjeje. Të dyja skuadrat do të duelojnë përsëri për të rrëmbyer Kupën e Mbretit. Nuk kanë kaluar shumë kohë nga përballja e fundit. Një ndeshje që nga disa u cilësua më e bukura e shekullit. Disa të tjerë gjykuan arbitrin për vendimet e marra pro Barcelonës. Ndërsa nga ana tjetër katalanasit morën fitoren e tyre të radhës. Por a do të arrijnë që të hakmerren galaktikët dhe në këtë mënyrë të kapitullojnë Barcelonën që po kalon një nga sezonet më të vështira. Një javë më parë katalanasit morën goditjen më të rëndë, teksa dështuan sërish për të thyer Atletikon e Madridit. Plot 5 ndeshje pa fitore ndaj bardhekuqve duket vërtet si një statistikë e paimagjinueshme, por nëse kuptojmë që Barça mezi ka shënuar dy gola ndaj Atletikos së Simeones, atëherë nuk është e vështirë për të menduar që diçka ka ndryshuar vërtet. Mesi është thjesht një hije në fushën e lojës dhe skuadra e ka tepër të vështirë për të krijuar raste shënimi, në një kohë kur ekipi ka pësuar 5 humbje, 2 prej të cilave me Granadën dhe Valadolidin tepër të shëmtuara, e që me shumë gjasa do t’i kushtojnë shtrenjtë. Në ndryshim nga klubi blaugrana, Reali shpreson ende te “la decima”, ku për më tepër madrilenët duhet të eliminojnë skuadrën që u ka shkaktuar më shumë dëm, Bajernin e Mynihut, që për fatin e tyre të keq drejtohet pikërisht nga Pep Guardiola. Edhe Ançeloti ka nevojë për një mrekulli për t’i rrëmbyer titullin Atletikos, kështu që Kupa bëhet vetvetiu shumë e rëndësishme. Sezonin e kaluar, Reali dështoi në finale pikërisht në shtëpi në “Bernabeu” përballë Atletikos e këtë herë trajneri italian nuk do të ketë në dispozicion, përveç Ronaldos, gjithashtu edhe Jese Rodriguezin e Alvaro Arbeloan, sidoqoftë shumë do të varet nga forma që do të shfaqë Ksavi Alonso në mesin e fushës. Në krahun tjetër do të mungojë Viktor Valdes, ndërsa në qendër ndoshta është akoma herët për kthimin e Pikesë. Xherardo Martino mund ta nisë takimin me Pyjolin, në një repart ku Barcelona nuk ofron kurrfarë garancie. Karlo Ançeloti thotë se ngritja e trofeut të Kupës së Mbretit është shumë e rëndësishme për klubin. “Kjo ndeshje është e rëndësishme për shumë arsye. E para, është titulli i parë i sezonit që ne mund ta fitojmë. E dyta, pasi ne po përballemi me një skuadër të shkëlqyeshme, siç është Barcelona. Të gjitha këto i japin ndeshjes shumë rëndësi. Mundësia e fitimit të trofeut të parë të sezonit është motivim për ne. Në aspektin mendor mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme. Mendoj se pas kësaj ndeshje, skuadra e cila do të fitojë do të ketë më shumë motivim, iluzion dhe dëshirë për të luajtur në formën më të mirë deri në fund të sezonit”, – është shprehur italiani. Ndërkohë, problemi tjetër do të jetë edhe mungesa e Kristano Ronaldos që për fatin e Barcelonës nuk do të aktivizohet. Portugezi u largua nga ndeshja në fitoren 3-0 të Ligës së Kampioneve ndaj Borusias së Dortmundit. Ai mungoi edhe në takimet e ligës ndaj Real Sociedadit e Almerias dhe ishte zëvendësues i pashfrytëzuar në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës gjermane. “Ne nuk do të rrezikojmë me Kristianon, ai nuk do të luajë. Do të stërvitet nesër, pastaj do të udhëtojë në Valencia për ta parë ndeshjen. Mësova se nuk do të mund ta llogaris Kristianon këtë mëngjes. Ne mund t’ia dalim mirë nesër, pavarësisht nga mungesa e disa lojtarëve”, – u shpreh strategu i galaktikëve.
Iniesta: Fitorja shpëton sezonin
Andres Iniesta beson se nëse ata e mposhtin Realin e Madridit në finalen e Kupës së Mbretit, kjo mund ta shpëtojë sezonin. “Unë jam i bindur se ne kemi potencial ta fitojmë Kupën, por duhet të jemi në formën më të mirë kundër çdo rivali të fuqishëm. Ekipi është i aftë të luajë mirë dhe të fitojë. Nëse ne fitojmë Kupën, kjo do t’u japë fansave kënaqësi dhe mbase do ta shpëtojë sezonin tonë. Megjithatë, ta fitojmë trofeun nuk ndryshon asgjë. Në Ligë, ne kemi bërë një hap prapa dhe ne jemi eliminuar nga Liga e Kampioneve javën e kaluar. Megjithatë, ne ende jemi në rrugë për ta fituar Ligën dhe Kupën, por do të duhet ta analizojmë nëse ka qenë vit i mirë ose i keq vetëm në fund të sezonit. Nuk duam kurrë të humbim, por gjërat nuk shkojnë gjithmonë mirë në punën tuaj. Jeta është më e mirë kur ju fitoni dhe bëni gjërat e duhura dhe ne jemi të parët që do të jemi vetëkritik, ne kurrë nuk do t’i ikim përgjegjësisë”, – ka deklaruar mesfushori.
Guardiola: Dëshiroj që Kros të qëndrojë
Trajneri i bavarezëve, Pep Guardiola, thotë se ai dëshiron që Toni Kros të mbetet në klub në mesin e spekulimeve, të cilat e lidhin mesfushorin me një kalim te Mançester Junajtid gjatë kësaj vere. Kros, i cili ka bërë 45 paraqitje për Bajernin këtë sezon, ka qenë lojtar i rëndësishëm për suksesin e skuadrës në Bundesligë dhe për kualifikimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve dhe DFB-Pokal. Guardiola është i vendosur ta mbajë 24-vjeçarin në ekip. “Unë dua që Toni të qëndrojë. Edhe Rumenige dhe Samer duan që ai të qëndrojë. Ai është super-lojtar dhe mund të vendosë ndeshjen. Ne duam që ai të qëndrojë”, – është shprehur ish-tekniku katalanas.
Prandeli: Skuadra për Kupën e Botës, pothuajse gati
Strategu italian, Çezare Prandeli, ka thënë se tashmë ka vendosur për 18 lojtarët që do t’i marrë me vete në Kampionatin Botëror, ndërsa është në dyshim edhe për pesë të tjerët për të kompletuar skuadrën e tij prej 23 lojtarësh. Trajneri italian është duke ndjekur 42 lojtarë, ndërsa ka refuzuar të tregojë nëse Françesko Toti bën pjesë në planet e tij. “23 lojtarët për në Brazil? Nuk e di as vetë. Kam vetëm 18 në kokën time. Për ta kompletuar këtë duhet njëherë të marr vesh se si janë këta 18 dhe pastaj të shtoj të tjerët”, – ka deklaruar tekniku. I pyetur rreth dy veteranëve, Toti te Roma dhe Luka Toni, që aktivizohet te Verona, të cilët kanë qenë në formë të shkëlqyer këtë sezon, ai ka thënë se duhet pasur respekt për ata, por nuk ka dhënë detaje nëse do të shërbejnë për skuadrën.
Migjen Basha, dy javë larg fushave
Skuadra e Torinos humbet për të paktën dy javë shërbimet e Migjen Bashës. Sikur të mos mjaftonin mungesat e shumta për arsye dëmtimesh, infermieria e ekipit piemontez duhet të bëjë një vend për mesfushorin shqiptar, i cili do t’i mungojë trajnerit Xhampiero Ventura për sfidën e javës së 34-t të Serisë A ndaj Lacios në “Olimpico”. Futbollisti i kombëtares shqiptare dëmtoi ligamentet e kaviljes gjatë ndeshjes me Xhenoan, por fatmirësisht ekzaminimet e fundit treguan se bëhet fjalë për një problem që nuk kërkon më shumë se dy javë kohë për t’u zgjidhur. Migjen Basha pritet të ketë një rol kyç edhe në kombëtaren shqiptare për eliminatoret e Euro 2016 që do të nisin në shtator të këtij viti, edhe pse në repartin e mesfushës konkurrenca është shumë e madhe. Gjithsesi, një lojtar që luan në Serinë A mbetet gjithmonë në qendër të vëmendjes së trajnerit Xhani de Biazi.




