Ekskursioni në Shpellën e Pëllumbasit/ 10 ditë kërkime, gjendet në një guvë trupi i Erjon Alizotit

Anxhela Tato

 

 

Polumbarët dhe RENEA zbuluan trupin 20 metra larg vendit ku rrëshqiti 18-vjeçari, pritet ekspertiza

 Nën procedim penal organizatori për moskrijim sigurie, viktima dhe i mbijetuari u afruan te kanionet për të bërë foto

 

 

erjon alizotiGjendet trupi i pajetë i Erjon Alizotit, i cili ra në kanionet e lumit Erzen pasditen e 30 marsit. Trupi i 18-vjeçarit Erjon Alizoti u gjet nga polumbarët dhe forcat RENEA në një guvë rreth 20 metra larg vendit ku ai u rrëzua dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës në morg. I riu bashkë me grupin mbi 50 veta ishin organizuar në rrjetin social “Facebook” nga “Rrjeti i Vullnetarëve Shqiptarë”. Erjoni u rrëzua bashkë me një djalë tjetër, Daniel Spahiu, i cili fatmirësisht arriti të shpëtohej nga pjesëtarët e tjerë të grupit. Policia procedoi penalisht organizatorët e këtij ekskursioni për moskrijimin e kushteve të sigurisë e grupit të të rinjve. Në kërkimet për gjetjen e Erjonit u përfshinë edhe familjarë, miq, shokë dhe vetë personi që ka qenë dëshmitari kryesor, i cili prej tri ditësh ka qenë së bashku me policinë, të cilët i ka orientuar rreth kërkimeve duke kërkuar edhe vetë për të gjetur trupin e pajetë të shokut të tij. Një prej organizatorëve të ekskursionit, Ilia Gërdupi, i cili pas ngjarjes dha dëshminë e tij në polici, rrëfeu për itinerarin dhe momentin kur u vu re mungesa e Erjonit. Grupi ishte nisur prej mëngjesit të 30 marsit nga Rruga e Elbasanit me dy autobusë deri në Komunën e Bërzhitës. Më tej të rinjtë kanë ecur në këmbë drejt Shpellës së Pëllumbasit, por Erjoni bashkë me disa të rinj të tjerë, pavarësisht se sipas organizatorëve u tha që terreni ishte i vështirë, morën rrugën për të vizituar kanionet e Erzenit, aty ku u gjet edhe trupi i pajetë i të riut.

 

Rrëfimi i të mbijetuarit

 “Ne u shkëputëm nga grupi për të bërë foto dhe u afruam tek lumi për të larë duart. Aty terreni ishte i rrëshqitshëm dhe kishte myshqe. Na shkau këmba dhe u rrëzuam të dy bashkë, por s’e përcaktoj dot se kush ra i pari. Ramë të dy në ujë dhe nuk arrija të shikoja dot asgjë, isha i trembur. Jam kapur pas një shkëmbi dhe më hodhën një litar, më shpëtuan. Nuk shikoja dot për Erjonin, pasi rrjedha e lumit ishte e fortë dhe nuk e po merrja vesh ç’po ndodhte. Kam dëshmuar në polici dhe i kam treguar vendin ku ishim. Sot isha në vendin e ngjarjes dhe më pas në shtëpinë e Erjonit. Shpresoj që ai të jetë gjallë, ne jemi shokë fëmijërie prej 14 vjetësh tashmë”.

 

Organizatori

 Pas dëshmisë së dhënë në komisariat, Ili Gërdupi, organizatori i ekskursionit, mohon kategorikisht faktin se ndodhej në vendin ku ranë dy të rinjtë, teksa rrëfen edhe çastin kur grupi i dytë është ndarë. Gjithashtu, 18-vjeçari në deklaratën e tij të dhënë në ambientet e komisariatit nr. 1, pas dhënies së dëshmisë, është lënë i lirë dhe mohon se ai është shoqëruar në polici. “U komunikova që të bashkoheshin me ne, por nuk na dëgjuan. Përgjegjësia ime qëndron vetëm në instruktimet dhe këshillat që u japim atyre që na bashkohen, por nuk mund të marrim dot përsipër lëvizjet dhe dëshirat e të gjithëve”, – mësohet të ketë deklaruar Gërdupi. Ndërkaq, në këtë komisariat u thirrën edhe pjesëtarë të tjerë nga grupi prej më shumë se 50 vetash për të përcaktuar lëvizjet e secilit, para dhe pas ngjarjes.

 

 

Malësi e Madhe/ Vrasja për një shikim, arrestohet autori Marjan Lepri

Marjan Lepuri, autori i vrasjes me thikë të 18-vjeçarit Kristian Kaçaj dhe plagosjes së kushëririt tij Mirash Kaçaj, është prangosur dje gjatë një aksioni nga uniformat blu të Shkodrës. Burime nga policia e qytetit verior kanë bërë të ditur se autori i dyshuar i këtij krimi u arrestua në afërsi të banesës së tij në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe. Dy net më parë, Marjan Lepuri pas një konflikti verbal, “se pse e shikonin”, qëlloi me thikë në drejtim të dy kushërinjve Kaçaj. Nga dëshmitarët mësohet se konflikti ka nisur mes Marjan Leprit dhe Mirash Kaçajt, duke degraduar në konfrontim fizik. Autori ka nxjerrë thikën dhe në këto momente është futur mes të dyja palëve Kristjan Kaçaj, i cili është goditur disa herë me thikë në kraharor, gjoks dhe stomak. Pas sulmit ndaj 18-vjeçarit Lepri i është sulur shënjestrës së tij, të cilin e ka lënë të plagosur rëndë në tokë. Kanë qenë dëshmitarët, të cilët u kanë ardhur në ndihmë dy djemve, duke njoftuar forcat e policisë. Një ambulancë ka marrë dy të plagosurit, duke i transportuar për në spital. Ndonëse ndihmës së dhënë nga mjekët plagët e goditjeve ishin shumë të thella dhe kishin prekur organet jetike, duke i shkaktuar hemorragji të brendshme viktimës. Brenda pak minutave 18-vjeçari Kristjan Kaçaj ka ndërruar jetë, ndërsa trupi i tij është dërguar në morg për ekspertizën mjekoligjore. Nga ana tjetër i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale 14-vjeçari Mirash Kaçaj, i cili është në rrezik për jetën. Policia konfirmoi se motivi i krimit ishte një konflikt banal, ndërsa në komisariat janë marrë në pyetje dëshmitarët, të cilët kanë dhënë detaje, duke përshkruar skenën e krimit. Pritet që në polici do të shoqërohen edhe familjarë të tre djemve, të cilët do të pyeten nëse kanë qenë në dijeni të konfliktit.

 

 

Vlorë/ Grabitet banesa e biznesmenit, 3 persona qëlluan në ajër

Grabitet me armë banesa e një biznesmeni në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjes e së hënës, pranë spitalit rajonal të qytetit bregdetar në lagjen “Partizani”. Sipas informacioneve që vijnë nga policia, grabitja është kryer nga 3 persona të paidentifikuar dhe të maskuar. Sipas bluve të Vlorës, grabitësit kanë qëlluar me armë dhe më pas janë larguar drejt lumit të Vlorës. Pronari i banesës, ishte një biznesmen që merrej me tregtim kafeje dhe nafte me iniciale A. S., i cili ndodhej me bashkëshorten në shtëpi. Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes. Ende nuk bëhet e ditur se sa ka qenë shuma e grabitur nga ana e autorëve.

 

 

Tiranë/ Arrestohet Emilent Dhelpra, grabiti 5 dyqane

 Grabiti me armë 5 dyqane rrobash në Tiranë, arrestohet Emilent Dhelpra, 35 vjeç. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se ai është vënë në pranga në rrugën “Jordan Misja”, pasditen e djeshme. Operacioni për arrestimin e tij është bërë pasditen e djeshme nga efektivët e tri komisariateve të policisë së Tiranës. Në operacion për kapjen e grabitësit me armë të dyqaneve kanë marrë pjesë uniformat blu të nga komisariateve numër 1, 2 dhe 3.

 

 

 

 

Share it :