Skuadrat shqiptare do të provojnë që të kalojnë për në fazën tjetër në ndeshjet e dyta të fazës së parë të Europa Ligës
Skuadrat shqiptare vihen edhe një herë në sprovën me emrin Europa Ligë. Sfida që paraqesin shumë rivalitete dhe që shërbejnë si një tregues i mirë i fuqisë së kampionatit tonë. Sezonin e kaluar në këtë kompeticion ishte Kukësi dhe Skënderbeu ata që shkuan shumë larg. Verilindorët ishin edhe surpriza e madhe, pasi arritën të shkonin shumë larg në eksperiencën e tyre të parë në një kompeticon ndërkombëtar. Ndërsa një histori suksesi pati edhe Skënderbeu, të cilin vetëm penalltitë e ndalën nga pjesëmarrja në këtë turne. Arritje të mëdha këto që pritet të ndiqen edhe këtë herë, duke pasur parasysh se ekipet vijnë edhe më të mobilizuar dhe me më shumë përvojë. Flamurtari, Kukësi dhe Laçi do të zbresin në fushë për takimet e kthimit të raundit të parë kualifikues të këtij kompeticioni, me objektiv kualifikimin në fazën tjetër. Rezultatet e sfidave të parë janë premtuese, ku shkallën më të lartë të vështirësisë e ka pa dyshim Kukësi. Skuadra verilindore u mund 1-0 në Almati me skuadrën vendase Kairat. Një disfatë kjo që e vë përballë një sfide të madhe ekipin blu. Ndërkohë që te Kukësi të gjithë janë të karikuar dhe optimist se në “Qemal Stafa” do të ndodhë përmbysja ndaj Kairat Almatit. Presidenti i klubit, Safet Gjici, nuk e ka bërë të ditur nëse do të ketë premio, por mësohet se ekipi do të marrë shpërblim, nëse përmbys humbjen dhe merr kualifikimin për raundin e dytë. Të parët do të zbresin në fushë kurbinasit, pikërisht në orën 17:00 ndaj sllovenëve të Rudar Velenjes, që në takimin e parë u befasuan nga goli barazimit i Adeniyit një minutë para përfundimit të kohës së rregullt. Optimizmi në kampin laçjan është i ligjshëm, pasi Stavri Nica do të ketë në dispozicion dy pika të forta të skuadrës Erjon Vucajn dhe Taulant Sefgjinin, që munguan në Slloveni për arsye pezullimi. Gjithsesi, trajneri durrsak nuk e ka zbuluar formacionin titullar, pasi dëshiron t’u rezervojë një tjetër surprizë të pakëndshme kundërshtarëve. Ky takim do të gjykohet nga hungarezi Tamas Bognar. Kuotat më të larta për t’u kualifikuar në raundin e dytë në Europa Ligë i ka Flamurtari, që mori një fitore me shumë vlerë në minutat e fundit në transfertë me Sioni Bolnisin. Avantazhi i një goli por edhe 3 finalizimet në fushën kundërshtare i bëjnë kuqezinjtë favoritë, pasi edhe një humbje minimale nuk e ndal rrugëtimit e tyre në Europa Ligë. Problemi më i madh për të besuarit e Ernest Gjokës është vetëm euforia, pasi me mbështetjen e tifozëve vlonjatë kuqezinjtë nuk kanë arsye për të dështuar në shtëpinë e tyre. Trajneri i vlonjatëve u shpreh se ekipi nuk ndihet euforik dhe beson te mbështetja e tifozerisë. “Skuadra është në gjendje të mirë dhe e mobilizuar për të përsëritur transfertën e Gjeorgjisë. Nuk ka vend për eufori, megjithatë ne do të hyjmë në fushë për të zhvilluar një futboll sulmues dhe për të fituar”. Trajneri tiranas pret një mbështetje maksimale nga ana e tifozëve, ndërsa qëndron më këmbë në tokë për objektivat e skuadrës pas një kualifikimi të mundshëm. “Jam i sigurt që tifozët do të në mbështesin maksimalisht. Sa u përket objektivave, në jemi me këmbë në tokë, fillimisht synojmë të kalojmë raundin e parë, pastaj do të mendojmë për atë që na pret më pas”. Ndërsa Kukësi zbret i fundit në tapetin e “Qemal Stafës” me misionin e vështirë për të përmbysur humbjen 1-0 në fushën e Kairat Almatit. Ajo çka përjetuan në sezonin e kaluar shërben shumë mirë si forcë për të reaguar më të mirën dje për të marrë kualifikimin për në fazën tjetër.




