Anxhela Tato
Procedim penal 4 administratorëve të rrjeteve kabllore, nuk kishin dokumentet për blerje platformash
Kontrolle në Fier, Berat, Tiranë dhe Kavajë, dyshime për transmetime të paligjshme
Operacioni “Pirateria” zbulon rrjete kabllore që transmetojnë sinjale të kompanive të ndryshme dixhitale në mungesë të autorizimit. Ministria e Brendshme njofton se nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar paligjshmëri në fushën e transmetimit të kanaleve televizive, në shkelje të të drejtave të autorit, të të drejtave të transmetimit televiziv, si dhe të drejtave të lidhura me pronësinë industriale dhe markën tregtare. Operacioni i koduar “Pirateri televizive” ka për synim ndërprerjen e paligjshmërisë në fushën e transmetimit të kanaleve televizive. “Këto subjekte transmetojnë kanalet e Platformave Dixhitale, si ajo e kompanisë “Digitalb”, duke shkelur të drejtat e autorit të lidhura me programet e transmetuara në këto kanale, por edhe duke shkelur të drejtat mbi markën tregtare”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Kontrollet janë ushtruar në disa subjekte në Shkodër, Dibër, Durrës dhe Lezhë, ndërsa veprime po kryhen edhe në disa subjekte të tjera në Fier, Berat, Tiranë, Kavajë. Mbi këto subjekte të dyshuara për transmetime në mënyrë të paligjshme është ngritur akuza e shkeljes së të drejtave të pronësisë industriale.
Subjektet
1. Nga struktura e sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Shkodër, është ushtruar kontroll në ambientet e subjektit të rrjetit kabllor “Cable Albania”. U konstatuan të montuara pajisje kompjuterike “server” dhe aparatura të tjera që shërbejnë për transmetimin e paligjshëm të kanaleve televizive të subjektit “Digitalb”. Në këto kushte, u përpiluan të gjitha materialet procedurale të nevojshme, të cilat iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për fillimin e procedimit penal për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, në ngarkim të administratorit të subjektit, Aldin Gjurbavija, 39 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. U sekuestruan 57 aparatura, që shërbenin për transmetimin e sinjalit televiziv.
2. Nga struktura e sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Dibër, është ushtruar kontroll në dy ambientet e disponuar nga shtetasi Endri Leka. U konstatuan pajisje kompjuterike dhe aparatura të tjera që shërbejnë për transmetimin e paligjshëm të kanaleve televizive të subjektit “Digitalb”. Në këto kushte, u përpiluan të gjitha materialet procedurale të nevojshme, të cilat iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për fillimin e procedimit penal për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan: 2 copë transmetues televizive, 4 copë aparate tokësore “Digitalb”, 3 copë karta “Smart” të rrjeteve “Digitalb”, “Grifin cas” dhe “Tring”, karta rimbushëse 5 copë, përforcues televiziv tre copë, dekoder HD 2 copë, dekoder SD 6 copë, module 2 copë, aparat satelitor “Sat-TV 1” copë dhe telekomanda 6 gjashtë copë.
3. Nga strukturat e sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Durrës, është ushtruar kontroll në ambientet e subjektit të rrjetit kabllor “Al-te” sh.p.k., në të cilën është konstatuar se nëpërmjet këtij rrjeti kabllor transmetoheshin 50 kanale televizive. Janë përpiluar materialet procedurale për referimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së transmetimit të kanaleve televizive, në ngarkim të administratorit të subjektit.
4. Nga strukturat e sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në DPQ Lezhë, është ushtruar kontroll në ambientet e subjektit “Al-te” sh.p.k., e cila ndodhet në lagjen nr. 2, në qytetin e Laçit. U konstatua se subjekti transmetonte 12 kanale të platformës “Digitalb” në mënyrë të paligjshme. U përpiluan materialet e nevojshme procedurale për referimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 pajisje (modelator) 30 aparatura të markave të ndryshme të cilat shërbenin për transmetimit e 30 kanaleve televizive.
Subjektet që po kontrollohen:
1- Në Fier, në subjektin “Alfa Hajdini” në Fier me administrator shtetasin Bilbil Hajdini.
2- Në Poliçan, Berat, në subjektin “CA-TV” me administrator shtetasin Ilir Olldashi.
3- Në Përmet, në subjektin “Këlcyra Sat”, me administrator shtetasin Ilir Olldashi.
4- Në Tiranë, në subjektin “Cable Albania Tiranë” me administrator shtetasin Risto Gjurbavija.
5- Në Patos, Fier në subjektin “Silvi & Kombi”, me administrator shtetasin Eduart Muho.
6- Në Kavajë, në subjektin “Multivizion” me administrator shtetasin Arjan Sotiri.
Festa
Artan Didi me fëmijët e policëve: Përkulemi me nderim para prindërve tuaj
Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme kanë organizuar dje pasdite një festë për fëmijët e policëve të rënë në detyrë në Kavalishencën e Durrësit. I pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, kreu i Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahiri, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kryeministri Edi Rama njoftoi vendimin e qeverisë për siguracion e trajtim shëndetësor me standarde të larta për forcat speciale të policisë. Kreu i PSH, Artan Didi, theksoi: “Ndihmë të menjëhershme financiare të gjitha familjeve të policëve të rënë në detyrë”. Ndërsa kreu i Ministrisë së Brendshme theksoi: “Policinë e Shtetit si familje e madhe”. Pas fjalës së tre personaliteteve të shtetit, fëmijëve iu ndanë pako me dhurata dhe me vlerë monetare, kontribut i donacioneve të ndryshme të policëve por dhe bizneseve. “Këtë festë e organizuam për të plotësuar dëshirën dhe amanetin e prindërve, që dhanë jetën për të siguruar jetën e gjithë fëmijëve. Të përkulemi me nderim para veprës së prindërve të tyre. Detyrimi ynë që ata të rriten e edukohen e bëhen të denjë. Nderimi në kodin e shqiptarit”, – theksoi në fjalën e tij kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ai shtoi se shoqëria ka marrë masat për të zbutur pasojat me ndihmë të menjëhershme financiare dhe trajtim ekonomik të gjithë familjeve të policëve të rënë në detyrë. “PSH do të jetë me ju jo vetëm në festa, por në gjithë problematikat që do të keni”.
Bulqizë
Aksidentohet me makinë drejtori i spitalit
Një aksident me pasojë dy të plagosur ka ndodhur ditën e djeshme në qendër të qytetit të Bulqizës. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë janë plagosur rëndë Shahin Kaja dhe Afrim Ogshtuni. Policia bën me dije se dy të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Shahin Kaja është drejtori i spitalit të qytetit të Bulqizës ndërsa i plagosuri tjetër Afrim Ogshtuni është inxhinier miniere. Ende nuk është i qartë shkaku i përplasjes së automjeteve. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.




