DANILO KISH
Dëgjova një si fëshfërimë nën dritare dhe më shkoi ndërmend se ndoshta kishin ardhur të ma vrisnin tim atë.
Dhe bash atëherë, violina – m’i vuri të gjitha në mëdyshje dhe ma shtendosi tmerrin. Ai që po luante nën dritaren tonë, vërtet s’dukej ndonjë virtuoz, por ishte natyrisht i kllaposur në dashurinë për time motër, Anën. Violina kishte gati tingullin e njeriut. Ishte dikush që me veshët e ngrehur nga yjet, i këndonte druajtur, sime motre Anës, duke u munduar që me zërin e tij-t’i dukej sa më mashkullor, por edhe i thellë. Megjithatë, kjo këngë më ngjante sërish me një si pëshpërimë:
Përse Zoti e krijoi dashurinë…
Përse netët…
qëndronte pas perdeve, veshur krejt me të bardha. Dhe kur është kthyer për t’u shtrirë sërish – dëgjova sesi ime më, duke u dridhur -po e këshillonte me fjalë të kujdesshme:
“Ana duhet ta kujtosh gjithmonë këtë. Kur dikush të kushtohet kështu, atëherë duhet ta ndezësh shkrepësen. Kjo ishte shenja e një qasje te fisme”.
I qetësuar prej zërit të nënës, sërish jam zhytur në ëndërr, ku më dukej se ndjeja kundërmimin e pyllit, apo një si livadh të gjelbër.
Në mëngjes kemi gjetur në dritare një degëz me lule molle, që i ngjante një kurore të argjendtë dhe dy-tre trëndafila flakë të kuq. Dhe, sërish – përpara të gjitha atyre që do mësonim (ditën e nesërme në shkollë) një nxënëse ka pyetur: “Cili ishte ai gomar, që na erdhi natën në oborr”, kurse unë, në këtë agim, i drejtuar nga aroma, shquaja lulet nga kopshti i zotit Rigo, sepse ia kisha krasitur vetë trëndafilat, bash ato që më kujtonin shpesh jargavanët.
Nuk do të doja të shtoja edhe – gjykuar thjesht nga zëri – se ky gomar që shikonte trëndafilat – ishte vetë zoti Fuks, i Riu, këpucari, i dashuruar tinëz me time motër, Anën.
Ana, a s’më thua, a i kam shpikur vallë të gjitha këto?
(Lule dhe kundërmim)
Njeriu që vinte nga larg
Për tri ditë e tri net, ushtarët, kanë kaluar para shtëpisë sonë. Mund ta përfytyroni vetë sesa shumë ushtarë kanë qenë, të cilët vijuan pa pushim dhe pareshtur, për tri ditë e net me radhë, para shtëpisë sonë! Çapiteshin më këmbë dhe mbi karroca, mbi kuaj dhe me kamionë. Plot, tri ditë dhe tri net. Dhe, unë, kam mbetur për të gjithë këtë kohë- i strukur nën strehën e jargavanëve. Ditën e tretë pasdite shkoi edhe ushtari i fundit. Kishte mbetur më pas – të gjithëve. Koka e tij ishte e lodhur dhe mbi shpatulla mbante një papagall. Në kohën kur dhe ai u zhduk, dola nga jargavanët dhe zbrita në rrugë. Nuk ishte përfytyruar ndonjëherë që të kalonin përmes fshatit për tri ditë me radhë kaq shumë ushtarë. Ku ta dish, ndoshta prej qetësisë së tij së përhershme.
Pak nga pak, po më bëhej e qartë se nuk do kishte më asnjë ushtar, që do ta përshkonte këtej e tutje fshatin. Kur që prej tri ditë dhe tri netësh përpara shtëpisë çapiteshin ushtarët, kisha filluar të mësohesha me ta. Pas tyre, çdo gjë po më dukej si e braktisur. Askush nuk u grahte kuajve, askush nuk luante më në fizarmonikë.
Befas shqova në fund të fshatit sesi nga pluhuri i reve u shfaq një si karro dhe mendova se sërish ia behën ushtarët. Ishte, në fakt, thjesht një gjë e vetme, një si karro qesharake e vogël. Në të ishin mbrehur dy mushka (femra) (në të vërtetë mushka – meshkuj, si do t’i shihnim më vonë). Pluhuri, që u kishte dhënë ngjyra të larme, i bënte të dukeshin më shumë të ngjashme me dy minj, sesa me dy mushka meshkuj apo femra, çfarëdo që të ishin. Po, si dy minj që sapo kishin dalë nga një thes me miell.
E ndërsa në fshat, në këtë kohë, nuk kishte mbetur qoftë edhe një njeri i vetëm të qëndronte në udhë, sepse nxitonin ku mund të fshiheshin, ky njeri u drejtua pikërisht nga unë. Më tha diçka me një gjuhë të huaj, nga e cila nuk kuptova ndonjë gjë. Dija vetëm se kur një burrë ose grua vijnë nga larg – me si këto karro të vogla, kanë nevojë për pak ujë. Ndaj i thashë:
“Sigurisht që vini nga larg?”
E dija që do të më kuptonte. Babai më kishte sqaruar një herë se dy njerëz që flasin gjuhë të ndryshme gjithmonë mund të bien disi në ujdi – nëse kanë dëshirë por edhe kujtime të mira. Në këto rrethana duhet vetëm të flasësh ngadalë e mençurisht dhe nuk duhet natyrisht të fillosh të bësh pyetje të vështira. Ndaj e kam pyetur me ngadalë dhe me një të tillë takt, nëse vinin vërtet nga larg. Përpara kësaj – i tregova me dorë diku dhe pa caktim, ndoshta nga drejtimi nga ku mund të kishin ardhur. Nga ai do të doja të merrja vesh – kuptimin e fjalëve të “Djalosh” – tha njeriu duke zbritur nga karroca – të mjafton që të themi se vijmë vërtet nga larg dhe që na duhet të nxitojmë. Ndaj më thuaj, ku mund t’i kullosim këto mushka (meshkuj)”.
“Por unë kam menduar se këto ishin mushka (femra)”, – i thashë. – “Dhe, më duken se kanë fytyra më të mira sesa minjtë, që kisha në mend. Dhe për sa i përket ujit, mund të ktheheni t’u jepni ujë në oborrin tonë”.
Njeriu kapi atëherë mushkën-mashkull nga veshët dhe e ktheu karrocën nga kopshti ynë. Unë ngava me vrap në shtëpi dhe i thashë nënës se ishte tek ne – një njeri që vinte nga larg dhe që po fliste aq- sa mund të kuptohej paq nga njerëzit, edhe pse ishte i huaj. Ndërkohë mora kovën dhe i solla ujë nga pusi, që e kishim në cep. Për aq sa prindërit tanë nuk ishin kthyer nga llogoret, isha unë ai që kujdesesha për oborrin dhe stallën. I thashë më tej se… njeriu edhe mund t’i hiqte frerin mushkës (mashkull).
Ndërkohë që ai lahej (gruaja qëndroi gjithë kohën në karrocë) e pyeta nëse gjatë rrugës kishte ndodhur ndoshta të kishte hasur dhe babanë tim. Sepse kur një njeri vjen nga larg, sigurisht që takon rrugës shumë gjindje. I thashë që babai im ishte i gjatë, pak si i kërrusur dhe që mbante një kapele të zezë me strehë të gjerë, syze me skelet të hekurt dhe një shkop me dru selvie. “Ka ikur prej dy-tre vjetësh, – i thashë, – dhe deri më tani s’kemi as edhe një lajm prej tij”.
Njeriu më tha atëherë që kishte takuar vërtet shumë njerëz gjatë rrugës. “Kishte mes tyre, – tha ai, – dhe të tillë me kapele të zezë e me shkop, dhe që ka të ngjarë mbase që ndonjë prej tyre të ishte babai yt.
– “Është larguar, – i thashë, – dhe ecte pak si çuditshëm, sepse kishte kundra të sheshta”. Dhe, atëherë – e pyeta sërish atë se nëse ndonjë nga këta njerëz që kishte takuar – ishte me kapelë të zezë e me shkop dhe që kishte një si ecje të tillë të çuditshme.
“Ndoshta është ndonjëri, – tha burri, – dikush nga këta njerëz që kam takuar edhe më është dukur pak si dystaban. Por, kur njerëzit ecin me muaj, atëherë do hasët sigurisht dhe ndonjë që ka ecje disi të çuditshme.”
“Kur iku nga shtëpia, – i thashë, – kishte me vete një gerok dhe pantallona të errëta me shtraftana të ndritshme. Flokët i krihte në mes dhe kishte një si qafore të lartë prej kauçuku. Nuk ke hasur vallë ndonjë rast të tillë me një njeri rrugës?”
“Ohhh, – qeshi njeriu, – po mendoja se ndoshta bëhej fjalë për ndonjë tip gënjeshtari të madh apo ndonjë veshje nga ato me tegela, …vërtet që e kam takuar një njeri të tillë. Mbante një kapele të zezë me një strehë të gjerë, syze me skelet të hekurt, shkop dhe të gjitha të tjerat, që më the. Kishte ecje të çuditshme dhe mbante një si gerok të zi dhe pantallona me shtraftana të ndritshme. Kishte edhe një qafore të lartë kauçuku, Këtë e hasa, – tha, – para gati katër vitesh në Bukuresht. Ky njeri, djalosh, ishte ministri japonez i industrisë së rëndë!”
Përktheu nga origjinali: Ben Andoni





