Durrës / I kthen vajzën pas 2 javësh martese, ekzekuton krushkun

Anxhela Tato

Shkaku i ndarjes, nusja nuk pranonte të jetonte në një banesë me prindërit e bashkëshortit

Policia, autori Andon Ndoj dhunoi dhe qëlloi me armë dhëndrin dhe krushkun, nuk kapërdiu ndarjen e çiftit

 

vrasja durres Përparim Hoxha anton ndojI kthen në vajzën në shtëpi dhe një shenjë hakmarrje vret krushkun. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Kënetës në Durrës, ku konflikti mes dy familjeve ka degraduar në vrasjen e 52-vjeçarit Përparim Hoxha dhe plagosjen e djalit të tij. Shkak i kësaj ngjarjeje është bërë ndarja dhe përplasjet mes çiftit, ku djali së bashku me babanë kanë kthyer nusen në shtëpi. Siç mësohet nga burime të policisë konflikti ka degraduar pasditen e djeshme deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Për pasojë një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur. Martesa mes dy të rinjve, Xhulian Hoxha dhe Antoneta Ndoj, ka zgjatur vetëm dy javë dhe familja e dhëndrit e ka kthyer vajzën në shtëpinë e babait të saj. Por babai i vajzës Andon Ndoj rreth 50 vjeç, me origjinë nga Mirdita, ka reaguar ashpër duke dhunuar krushqit dhe më pas duke qëlluar me një pushkë në drejtim të tyre. Për pasojë janë plagosur me armë Përparim dhe Xhulian Hoxha, ndërsa shtetasja Nurie Shahini, kalimtare e rastit, është prekur aksidentalisht nga një plumb. Të plagosurit u dërguan menjëherë në spitalin e Durrësit, ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore. Por 52-vjeçari Përparim Hoxha nuk arriti të përballonte plagët e rënda dhe humbi jetën pas rreth një ore në reanimacionin e spitalit të Durrësit. Ndërkohë policia ka shoqëruar shtetasin Andon Ndoj, i dyshuar si autor i plagosjes, ndërsa po punon për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë.

Hetimet

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën informale të ish-kënetës në qytetin e Durrësit, ndërsa e plagosur ka mbetur edhe një kalimtare, banore e zonës. Përparim dhe Xhulian Hoxha, përkatësisht 52 dhe 24 vjeç janë dhunuar me mjete të forta dhe më pas mbi ta është qëlluar me çifte nga babai i nuses së kthyer vetëm pak javë pas martesës së dy të rinjve. Kushti i vënë nga nusja dhe familja e saj, që çifti i ri të mos jetonte me prindërit e burrit, ka shkaktuar mosmarrëveshje të forta mes çiftit dhe familjeve përkatëse, deri në vendimin e familjes Hoxha për t’i dhënë fund kësaj martese. Kur atë e bir kanë kthyer nusen në shtëpi bashkë me sendet personale të saj, Anton Ndoji, 50 vjeç dhe me origjinë nga Mirdita, së bashku me të shoqen kanë reaguar ashpër. Fillimisht mbi dhëndrin dhe babanë e tij është qëlluar me armë të ftohtë dhe sende të forta brenda shtëpisë së nuses. Kur sherri është zhvendosur jashtë shtëpisë së tyre, Ndoji ka qëlluar me armë gjahu mbi ta. Vjehrri i nuses së kthyer, Përparim Hoxha ka ndërruar jetë në spital, ndërsa i biri vazhdon të ndodhet nën kujdesin e mjekëve. E plagosur në vendin e ngjarjes mbeti dhe Nurie Shahini, një banore e zonës që po kalonte rastësisht pranë shtëpisë. Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se po hetohet dhe për rolin në krim të nënës së vajzës, e cila ka qenë e pranishme në ngjarje.

 

Aksidente

Humbin jetën 2 persona në Durrës dhe Shkodër

Vetëm brenda 24 orëve shënohen dy aksidente me dy viktima. Ngjarjet kanë ndodhur në Durrrës dhe në Shkodër. Një 73-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në Shkodër, pasi çiklomotori me të cilin udhëtonte u përplas me një kamion. Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në lagjen “Skënderbeg”, ku çiklomotori që drejtohej nga 73-vjeçari Kolë Doçaj është përplasur nga kamioni me targë “SH9425D”. Përplasja ka rezultuar fatale për të moshuarin, i cili ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Ndërkohë policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Një aksident me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mëngjesin e djeshëm në Sukth të Durrësit. Mësohet se në aksident janë përfshirë dy mjete, një fugon dhe një mjet tjetër tip BMË. Përplasja e fuqishme mes tyre i ka shkaktuar vdekjen drejtuesit të fugonit, rreth 30 vjeç. Sipas burimeve të policisë në vendngjarje, bëhet me dije se mjeti tip BMË i ka shkaktuar plagë të rënda drejtuesit të fugonit. Ky i fundit humbi jetën pak minuta më vonë, në spitalin e Durrësit. Ndërkohë blutë e qytetit bregdetar po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

 

Greqi

Sekuestrohet 524 kg kanabis, vinte nga Lazarati

Një ngarkesë prej 524 kilogramësh kanabis sativa është sekuestruar prej anti-drogës së Janinës në aksin rrugor Janinë-Kozanë. Sipas policisë greke, droga po transportohej prej një shtetasi grek 54 vjeç,emri i të cilit nuk bëhet publik. Autoritetet greke deklaruan se 54-vjeçari ishte anëtar i një organizate që transportonte lëndët narkotike nga kufiri shqiptar, në brendësi të tokës greke, ku dhe shpërndahej për t’u shitur me pakicë. Ajo ishte nisur nga Lazarati dhe ishte kaluar në kufi e ngarkuar në mushka. 54-vjeçari dhe materialet në ngarkim të tij iu dërguan Gjykatës së Janinës, e cila vendosi ta lërë në burg deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dhe disa anëtarë të tjerë të kësaj organizate. Që prej fillimit të këtij viti, anti-droga e Janinës ka sekuestruar më shumë se 3.5 ton kanabis nga Shqipëria.

 

Sarandë

Kapet me 20 kg kanabis, pranga 33-vjeçarit

Është arrestuar në orët e mbrëmjes një 33-vjeçar nga Saranda, pasi u kap duke transportuar 20 kg lëndë narkotike. Sipas informacioneve nga Saranda, i ndaluari është Bledar Muço 33 vjeç nga Saranda që transportonte me makinën e tij tip “Alfa Romeo”, 20 kg kanabis sativa. Ndalimi i tij u bë në rrugën Delvinë-Finiq. Ndërkohë, forcat e policisë së komisariatit të kufirit në Sarandë dhe forcat Delta vazhdojnë operacionet sistematike.

 

Pukë

Shkrumbohet nga flakët 5.5 hektarë tokë

Një zjarr masiv ka përfshirë hapësirën pyjore në vendin e quajtur ‘Gryka e Mziut’, në Komunën Fierzë në Pukë. Zjarri është aktivizuar mbrëmjen e djeshme. Sipas policisë flakët kanë shkrumbuar 5.5 hektarë pyje. Për shkak të terrenit të thyer ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është e pamundur ndaj për shuarjen e zjarrit po punon vetëm shërbimi pyjor. Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk dihen.

Share it :