Dy presidentët e federatave përkatëse kanë folur duke shprehur pretendimet e tyre për ndeshjen dhe pritshmëritë që kanë nga UEFA
Fitorja në tavolinë. Ky është misioni i vetëm i menduar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë mbërritur në Nion të Zvicrës për të mbrojtur çështjen kuqezi në Komisionin e Disiplinës pas ngjarjeve të turpshme në sfidën e Beogradit, Serbi-Shqipëri. Lajmin e konfirmon vetë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tregon pritshmëritë e palës sonë për vendimin e disiplinës. “Komisioni i Disiplinës ka marrë informacionet zyrtare dhe pretendimet e të dyja palëve dhe më pas do të marrë një vendim të drejtë sportiv, si për ne edhe për serbët, pasi kështu edhe ata do të korrigjohen në të ardhmen. Kështu, mund t’u rikthejë futbollin atyre, duke ndëshkuar organizatorët e ndeshjes dhe duke dhënë fitoren në tavolinë për Shqipërinë”. Gjatë periudhës pas sfidës së Beogradit është ndier shumë përjetimi politik, sidomos tek kundërshtari, por edhe në deklaratat e palëve të treta. Presidenti Duka beson për një vendim sportiv të çështjes, edhe pse pranon se ka presion politik për këtë vendim. “Kemi radhitur çdo gjë mirë për t’i treguar Komisionit se çfarë ndodhi në Beograd. Kjo është shkruar nga specialistët më të mirë. Kam frikë nga politika, ka presion politik nga të gjitha anët, por shpresoj që Komisioni të marrë një vendim sportiv mbi faktet dhe rregulloren sportive. Mbi vendimin politik nuk kemi çfarë të bëjmë”. Ndërkohë, në media prej kohësh qarkullon ideja e një vendimi të Komisionit të Disiplinës në UEFA për të riluajtur takimin si dhe fakti që ndeshja e kthimit mund të luhet me dyer të mbyllura ose në fushë asnjanëse. Për numrin një të qeverisë së futbollit në vend, nuk ka asnjë pikë në rregullore që mund të sjellë këtë vendim. “Nuk e kam lexuar në asnjë rregullore se ç’mund të bëhet në ndeshjen e kthimit. Riluajtja e takimit nuk ekziston si mundësi, pasi me rregullore riluajtja ose rifillimi i tij bëhet vetëm nëse ajo ndërpritet për forca madhore dhe jo për pushtim të fushës”.
Karaxhiç: Jemi optimistë për vendimin
Ndryshe nga pragmatizmi në Shqipëri, në Serbi janë optimistë për vendimin që do të marrë Komisioni i Disiplinës në UEFA për çështjen e ndeshjes së ndërprerë, për shkak të mësymjes së fushës së lojës nga tifozët vendas dhe akteve të dhunës që u shënuan gjatë ndërprerjes së takimit. Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, shprehet me optimizëm për masat që do të marrë disiplina, duke zbuluar se ai ka biseduar gjatë me presidentin e UEFA-s, Mishel Platini. “Kemi diskutuar me Presidentin Platini, i cili na siguroi se Komisioni i Disiplinës do të marrë vendimet më të drejta lidhur me këtë çështje”. Në intervistën dhënë për mediat turke, drejtuesi i institucionit më të lartë futbollistik në Serbi këmbëngul në idenë e tij se nuk ishin serbët ata që shkaktuan kaosin në fushë. “Shkak u bë droni me hartën e Shqipërisë së Madhe. Nëse nuk do të kishte qenë për të, ndeshja do të ishte mbyllur pa probleme. Gjithçka nisi nga një provokim që bënë shqiptarët”. Në dosjen e dërguar në zyrat e UEFA-s në Nion nënvizohet se Taulant Xhaka u instruktua nga pankina e tij për të sulmuar lojtarin serb, Stefan Mitroviç, çka akuzon lojtarët shqiptarë se e kanë nisur ata provokimin. “Filmimet tregojnë qartësisht se lojtari i tyre, Taulant Xhaka, u drejtua nga pankina shqiptare për të vepruar më pas me atë gjest që të gjithë e pamë. Më pas erdhi kaosi dhe ky është shkaku i vërtetë i ndërprerjes së takimit”. Një deklaratë që zbulon pikat kryesore ku do të bazohet Serbia për të mbrojtur pretendimet e saj, me shpresën se mund të shmangë dënime të ashpra nga ana e UEFA-s. Një mbulim, i cili nuk do të dihet nëse do të besohet, pasi ky fakt nuk është akoma i vërtetuar.
Vokrri: Shqipëria merr fitoren në tavolinë
Në pritje të vendimit të UEFA-s, një koment ka dhënë edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, që ka deklaruar se është i bindur se Shqipëria do ta fitojë ndeshjen më rezultat zyrtar 3-0. “Jam i bindur se Shqipëria me rezultat zyrtar 3-0 do ta fitojë ndeshjen. Incidenti i ndodhur tregon qartë se kush do ta fitojë këtë ndeshje”, – ka thënë Vokrri. Ai është i bindur se vendimi i UEFA-së do të jetë në favor të kombëtares shqiptare.
Mesi: Dua të triumfoj në “Bernabeu”
Katër herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Mesi, është shprehur se nuk është i interesuar për të thyer rekord në ‘El Clasicon’ e së shtunës, por ta fitojë ndeshjen ndaj Realit të Madridit. Argjentinasi duhet t’i shënojë dy gola për ta kaluar rekordin e Telmo Zarras, si golashënuesi më i mirë në histori të La Ligas dhe shumëkush mendon se do të përpiqet ta bëjë këtë pikërisht në ndeshjen kundër rivalit më të madh. “Do të shkojmë atje për të bërë më të mirën dhe do të përpiqemi të fitojmë. Nuk do të vendosë asgjë, sepse ka edhe shumë ndeshje në ligë, por ne do të tentojmë të fitojmë dhe të luajmë mirë. Më e rëndësishmja është të fitojmë atje, jo ta thyej rekordin e Zarras”, – ka deklaruar ylli i katalanasve.
Kosova, zyrtarisht pjesë e Komitetit Olimpik
Një arritje historike për sportin kosovar. Dje u bë zyrtar edhe fakti se Kosova është pranuar edhe zyrtarisht në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Lajmi u konfirmua në një intervistë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili konfirmoi se Kosova është pranuar në KON me të drejta të plota. Ky është lajmi më i madh për sportin kosovar që nga koha e pasluftës, sepse tani Kosova mund të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2015 si shtet në vete dhe sportistët nuk do të kenë vështirësi t’i dëshmojnë cilësitë e tyre
Përfaqësuesi i PE-së, në mbështetje të Shqipërisë
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë ka dalë në mbrojtje të shqiptarëve, duke thënë se tifozët serbë ka qenë ata që kanë kryer gjithë trazirat gjatë ndeshjes Serbi Shqipëri. Knut Fleckenstein, ndër të tjera deklaroi: “Kam parë vetëm pamjet në një televizion dhe nuk kuptova asnjë fjalë të vetme. Ajo që pashë ishte britma mjaft e gjatë, me zë të lartë e serbëve atje. Më vonë mësova se tifozët shqiptarë nuk ishin lejuar për të qenë në stadium, kështu që, pak a shumë, ishte vetëm pala serbe. Pashë këtë dron me një flamur të Shqipërisë së Madhe. Tashmë, varet nga arsyeja pse u ndal loja. Nëse është për shkak të fishekzjarrëve, atëherë i takojnë tri pikë Shqipërisë. Por, nëse nuk është ky rasti, e kjo mbetet për t’u parë këtë fundmuaji, atëherë ose do duhet të përsëritet ajo lojë, ose do të shohim se ç’do të na thotë UEFA”, – deklaron Fleckenstein. Kujtojmë se ndeshje mes Serbisë dhe Shqipërisë është ndërpre, pas hyrjes së tifozëve serbë në fushë dhe sulmit ndaj futbollistëve shqiptarë.




