Duhani shuan një jetë në çdo dhjetë sekonda

duhsniNë lokale përdoret pjata e filxhanit për duhanpirësit

Rritet numri i vdekjeve nga duhani

 

Konsumohet nga të tërë, edhe pse e dinë se çfarë rrezikojnë. Prej muajsh, prodhuesit e duhanit janë të detyruar që së bashku me mallin të informojnë konsumatorin për sëmundjen që mund t’i shkaktojë djegia e një cigareje. Por ky rregull i ri duket se nuk ka sjellë asnjë efekt, pasi numri i konsumatorëve nuk është ulur. Shkaqet që shtyjnë një person të konsumojë duhanin janë të shumta. Nga nervozizmi e deri tek vetmia. Nga mungesa e aktivitetit fizik e deri tek distancimi nga problemet personale. Këto janë disa prej faktorëve që shtyjnë mijëra njerëz në të gjithë botën t’i “përulen” duhanit. Shifrat e viktimave të këtij të fundit janë të frikshme. Kohët e fundit është mësuar se në çdo 10 sekonda shuhet një jetë nga konsumi i cigares. Në fillim të viteve ‘90 kanë vdekur 3 milionë njerëz në vit dhe mendohet që në vitin 2020 deri 2030 do të vdesin 10 milionë njerëz nga demet e duhanit.

Duhanpirësit në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar ngritjen e një task-force për zbatimin e ligjit antiduhan në ambiente publike. Në vendin tonë, janë bërë përpjekje për të vënë në zbatim këtë ligj, por asgjë nuk është realizuar deri tani. Në çdo lokal apo institucion publik nuk zbatohet tabela ndaluese e duhanit. Nuk mund të përjashtojmë këtu edhe subjekte të veçanta që i qëndrojnë korrekt ligjit antiduhan. Lokalet vazhdojnë të jenë shqetësimi kryesore si në Tiranë, por edhe në çdo qytet të Shqipërisë. Përgjithësisht këto biznese përdorin pjatën e filxhanit të kafes si mënyrë për t’i lejuar duhanpirësit. Duhet theksuar se në çdo moment që është ngritur një task-forcë, ka pasur rregull vetëm për tri ditë dhe më pas rikthehet gjendja e mëparshme.

Sëmundjet

Lista e sëmundjeve që vijnë si pasojë e konsumit të duhanit është shumë e gjatë. Më shumë kjo substancë shkakton sëmundje në traktin e frymëmarrjes (kanceri i bronkeve, kancer në fyt, laringjit kronik), në sistemin kardio-vaskular (infarktit në zemër, pika në tru, arteriosklerozë), në sistemin e aparatit tretës (kancer në buzë, gojë, ezofag, lukth, zorrë dymbëdhjetëgishtore dhe pankreas) si dhe në traktin urogjenital (kanceri i fshikëzës së urinës dhe kanceri i mitrës). Për të përfunduar këtë listë të gjatë sëmundjesh duhanpirja sjell komplikacione të rrezikshme edhe tek gratë shtatzëna (lindja e foshnjave me peshë të ulët, lindje të parakohshme, vdekje e fëmijës në bark).

Më pak viktima

Sikur duhani të konsumohej më pak, atëherë në mbarë botën numri i pacientëve të prekur nga kanceri do të ishte 30% më i vogël. Tymi i cigareve përmban mbi 40 substanca kancerogjene dhe për këtë arsye është e vështirë të caktohet se cila prej tyre është më e rrezikshme. Tymi i cigareve, një përzierje prej gazrave dhe avullit, gjatë djegies përkrah nikotinës çliron edhe materie organike, monoksidin e karbonit, okside të azotit, materie kancerogjene, metale të rënda (krom, arsen, kadmium, vanadium).

Nikotina

Nikotina është përbërës më i njohur toksik i cigares. Nikotina, është alkaloid helmues me erë të keqe, që gjendet në gjethet dhe në rrënjët e duhanit dhe që vepron si ngacmues mbi sistemin nervor. Nikotina ndikon në tru në sasi të vogla si nxitëse dhe gjallëruese, në sasi të mëdha ngurron dhe bllokon dhe në sasi shumë të larta ka pasoja për jetën. Një cigare përmban 6 deri më 15 miligramë nikotinë. Sasia vdekjeprurëse gjatë thithjes është 1 mg për 1 kg peshë trupore, kjo sasi gjendet në 3 deri në 5 cigare. Vetëm nikotina është përgjegjëse për varësinë nga duhani.

Duhanpirësit pasivë

Tymi i cigares ka po të njëjtin efekt tek një person që nuk pi duhan si tek ai që pi. Kjo, pasi ai thith 80% të materieve të tymit. Sipas studimeve të kryera nga specialistë, mjaftojnë vetëm 5 sekonda që tymi të futet në organizmin e personit që nuk pi duhan për të kryer veprimet e veta. Ambientet e ndotura me duhan shkaktojnë marramendje, zvogëlim të aftësive të kujtesës, rritjen e tensionit të gjakut dhe rritjen e sedimentacionit të eritrociteve.

Varësia

Kur njerëzit bëhen të varur nga duhani, ata kanë dëshira të parezistueshme dhe bëjnë sjellje të njëpasnjëshme për ta kërkuar dhe për ta përdorur atë përsëri, edhe pse janë të vetëdijshëm për dëmin që u shkakton. Të gjithë janë të vetëdijshëm që duhanpirja është e dëmshme për shëndetin. Prandaj, shumica e atyre që pinë duhan, duan që ta ndërpresin përdorimin e tij. Në fakt, 35 milionë njerëz në vit bëjnë përpjekje serioze për të ndërprerë duhanpirjen. Fatkeqësisht, shumë prej atyre që provojnë ta ndërpresin vetë duhanpirjen, pa kërkuar ndihmë, i rikthehen asaj, brenda javës.

Përdorimi

Duhani mund të tymoset në formë të cigares, puros dhe nargjilesë (tymosja e duhanit përmes një tubi uji). Mund edhe të përtypet ose nëse është në formë të pluhurit, edhe të nuhatet. Shumë të rinj mund të mendojnë që nargjileja është forma më pak e dëmshme e duhanpirjes. Mirëpo, edhe përmes kësaj forme, nikotina dhe përbërësit e tjerë të duhanit arrijnë në organizëm dhe janë po aq të dëmshëm dhe mund të krijojnë varësi, sikurse forma e cigares.

box

PASOJAT

1. Pirja e duhanit është shkaktar kryesor dhe i veçantë i sëmundjeve dhe i vdekjeve të parakohshme. Duhanpirësit vdesin 5-8 vjet më herët se ata që nuk pinë duhan dhe janë të rrezikuar dy herë më shumë nga sëmundjet fatale të zemrës, dhjetë herë më shumë nga tumori në mushkëri, gojë, fyt, kapërcell, pankreas, veshkë, fshikë urinare, mitër, dy deri tri herë më shumë nga ulcera.

2. Fëmijët e prindërve që pinë duhan lindin me peshë të vogël, shpesh me infeksione të mushkërive, më shumë infeksione kronike të veshit dhe me shumë mundësi për t’u bërë duhanpirës më vonë.

3. Veprimet e dëmshme të tymit të duhanit vërehen në gjëndrat endokrine dhe sistemin nervor që janë rregullatorë të jetës sonë. Shkakton dëmtim të funksionimit të organeve reproduktive.

4. Me kalimin e kohës, nën ndikimin e toksikimit me duhan ngushtohen enët e gjakut të organeve vitale me pasoja fatale.

5. Lindjet e parakohshme, abortimet dhe vdekshmëria e foshnjave pas lindjes janë 2-3 herë më të mëdha tek shtatzënat që pinë duhan. Praktikisht, të gjitha toksine e tymit të duhanit depërtojnë në qumësht nëpër gjëndrat qumështore. Qumështi i helmuar arrin në lukthin e foshnjës dhe shpërndahet në tërë organizmin, kurse materiet e tij toksike veprojnë në dobësimin e mekanizmave mbrojtës të foshnjës. Në gjakun e foshnjës janë gjetur një varg toksinash të duhanit, që veprojnë në strukturat e trurit të madh.

6. Personat që konsumojnë duhan bëhen tepër nervoz, simptomat e para duken në dridhjen e trupit (tek duart zakonisht).

7. Dëmtohet ndjesia e nuhatjes, shijes.

8. Zverdhen dhëmbët dhe lëkura plaket shpejt.

 

 

 

 

Share it :