Florenc Drizari
Kryeministri: Nëse nuk vërtetohen akuzat, Berisha dhe Topalli t’i bashkohen aksionit të ministrit Beqaj për dezinfektimin e mushkonjave në Divjakë
Kryeministri Edi Rama u përball dje me akuzat e opozitës në Kuvend për trafikun e drogës në Shqipëri. Pas ngjarjes së ndodhur në Divjakë, opozita ka akuzuar drejtpërdrejt kreun e qeverisë për lidhje me trafiqet e drogës, duke i kërkuar atij që të japë dorëheqjen. Një ditë më parë Rama u kërkoi deputetëve të opozitës, por edhe ish-kryeministrit Berisha që t’i vërtetonin këto akuza. Rama ftoi deputetët e djathtë, më konkretisht Berishën, Bashën dhe Topallin që të shkojnë në organin e akuzës e të përballen me prova konkrete. Kryeministri premtoi nga foltorja e Kuvendit se nëse vërtetohen akuzat e opozitës, ai është i gatshëm të përballet me penalitetet e drejtësisë dhe të largohet nga skena politike. Gjatë disa replikave rresht të shkëmbyera me ish-kryeministrin Berisha, Rama u shpreh se nëse nuk vërtetohen akuzat ndaj tij dhe qeverisë, atëherë Berisha dhe Topalli duhet t’i bashkohen aksionit si vullnetarë për dezinfektimin e mushkonjave, aksion që, sipas tij, do të fillojë së shpejti në vijën bregdetare shqiptare.
Rama
“Nëse provoni një nga gjithë akuzat tuaja të këtyre ditëve që lidhin mua me trafikun e drogës, unë nuk do të jap thjesht dorëheqjen, por do të zhdukem nga çdo mikrofon dhe do t’i nënshtrohem çdo ndëshkimi, ama të biem dakord që në rast të kundërt, nëse nuk do të provohet kjo valë llumi që keni ngritur në lidhje me drogën, atëherë unë nuk kërkoj të njëjtën gjë nga dora vetë, por vetëm që Saliu dhe Jozefina të bashkohen me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë një ditë si vullnetar për të dezinfektuar Divjakën nga mushkonjat”, – deklaroi Kryeministri Rama.
Punimet e seancës së djeshme plenare u ndërprenë dy herë, për shkak të akuzave të opozitës. Fillimisht, Kryeparlamentari Meta mblodhi Konferencën e Kryetarëve, duke përfshirë kërkesën e opozitës për zhvillimin e debateve për çështjen e drogës. Ndërprerja e dytë e mbledhjes u bë për shkak të debateve mes Kryeministrit dhe deputetëve të opozitës në sallën e Kuvendit. Pas diskutimeve deputetët e opozitës braktisë votimin e ligjeve në shenjë proteste, por edhe në kuadër të marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkaq, nga ana e mazhorancës në debate morën pjesë deputetët Klosi, Braçe e Balla. Të tre deputetët socialist theksuan në tërësi se çështja e drogës nuk është një risi në Shqipëri dhe se ky shqetësim vazhdon prej vitesh. Ata vlerësuan aksionin e policisë dhe në të njëjtën kohë, kritikuan qeverinë e mëparshme për rezultate të dobëta në luftën kundër trafikut të drogës. Debate të ashpra u zhvilluan mes deputetit Blendi Klosi dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërkohë që gjatë kohës që deputeti tjetër socialist Taulant Balla, mori fjalën, deputetët e opozitës dolën nga salla e seancave plenare, duke deklaruar se nga debatet për çështjen e drogës nuk do të heqin dorë dhe se do të kërkojnë edhe më tej dorëheqjen e Kryeministrit Rama. Nga ana e tij, deputeti Balla hodhi akuza në drejtim të ish-kryeministrit Berisha për ndërtime pa leje në Gjirin e Lalzit.
Meta: Shqetësimi i lidershipit të opozitës është karrigia e Kryeministrit
Kryeparlamentari Ilir Meta, gjatë debateve të djeshme për çështjen e drogës me avionë vlerësoi qëndrimet e qeverisë dhe në të njëjtën kohë, kritikoi qëndrimet e opozitës për çështjen në fjalë. Meta tha se synimi i opozitës është karrigia e Kryeministrit e jo shqetësimi për trafikun e drogës në Shqipëri. Edhe pse në formë batute, Meta tha se do të vazhdojë dezinfektimi ndaj mushkonjave në bregdetin shqiptar. “Është për të ardhur keq që opozita i bën të gjitha llojet e akuzave, humbet edhe etikën, humbet edhe arsyen dhe pastaj ngrihet e gjitha në këmbë kur bëhet një propozim shumë i hapur dhe shumë konstruktiv për t’i ballafaquar faktet me drejtësinë, me prokurorinë. Megjithatë, është e drejta e tyre që të sillen në këtë mënyrë. Unë dua të falënderoj edhe Kryeministrin, edhe kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që përsëri, edhe për respekt të opinionit publik për sqarimin dhe për zbardhjen e kësaj çështjeje, pranuam që si rrallë ndonjëherë në historinë e parlamentit të fusnim këtë çështje për debat përpara pikave të tjera të rendit të ditës, duke treguar vullnetin edhe për transparencë, por edhe për të respektuar shqetësimin e çdo qytetari në këtë vend. Ndërkohë që është për të ardhur keq që shqetësimi i lidershipit të opozitës është karrigia e Kryeministrit. Nuk është as narkotrafiku dhe as ndonjë lloj shqetësimi tjetër, shqetësim që është zgjidhur në 23 qershor”, – tha Meta.




