Florenc Drizari
Qeveria është investuar e po investohet fuqishëm në rrugën e bllokimit të transparencës
Opozita akuzoi dje krerët e qeverisë për mungesë transparence ndaj çështjes së “drogës me avionë”, duke deklaruar se do ta ndjekë këtë çështje deri në fund edhe me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se opozita do të angazhojë në këtë hetim deputetë më të mirë e më të përkushtuar. “Pra ne, si opozitë, do t’i qëndrojmë në kokë këtij hetimi, nga dita e parë deri ditën e fundit, të vetëdijshëm se kë kemi përballë, të vetëdijshëm se qeveria është investuar e po investohet fuqishëm në rrugën e bllokimit të transparencës”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike. Sipas Bashës, mazhoranca ndryshoi qëndrim lidhur me këtë çështje pas akuzave të njëpasnjëshme të opozitës dhe pas daljes së dëshmive të ndryshme nga baronë të zonave bregdetare. Në lidhje me qëndrimet e fundit të krerëve të mazhorancës se për akuzat e opozitës nuk ka pasur prova, Basha theksoi se informacioni është hapi i parë për të shkuar drejt provës dhe se vetë informacioni është një lloj prove. Duke folur nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, Basha kërkoi nisjen e hetimit parlamentar për t’i shkuar deri në fund këtij skandali, siç e quajti ai. Basha deklaroi se integriteti territorial dhe hapësinor i vendit nuk mund të cenohet apo të jetë kurrë në duart e krimit, por vetëm në duart e sovranit.
“A mund të na thonë ç’janë këta avionë që njëherë ulen në Gjadër, njëherë në Divjakë, njëherë në afërsi të Kardhiqit? A mund të na thonë cili është “sporti” me të cilin merren këta të avionëve, çfarë transportojnë? Çfarë e dinë provën dyshja Rama-Meta? Mos vallë kanë pritur që droga të derdhet rrugës? Edhe kjo provë do të dalë, të mos mërziten, por në këtë fazë informacionet e kryqëzuara dhe vetë qytetarët përligjin plotësisht alarmin e dhënë prej nesh dhe nuk lënë asnjë shteg për spekulime”, – deklaroi lideri i opozitës, Lulzim Basha.
Më herët, deputetët e opozitës ngritën në Kuvend dyshimet se strukturat e forcave të armatosura në vend ishin përfshirë në trafikun e drogës. Për rreth dy javë rresht opozita kërkoi shpjegime nga krerët e mazhorancës lidhur me këtë çështje. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e qeverisë kanë theksuar se nuk ekzistonin prova për një shqetësim të tillë. Pak ditë më parë, u publikua edhe shkresa e klasifikuar e SHISH-it, dokument të cilit deputetët e Kuvendit iu referuan gjatë në debatet e tyre parlamentare, duke akuzuar njëri-tjetrin. Në shkresën e shërbimeve inteligjente shqiptare theksohet se nuk ka prova të qarta për trafik droge me avionë, por dyshime për përdorimin e mundshëm të këtij transporti në trafikun e drogës. Ndërkaq, pas kësaj shkrese, pati edhe disa reagime nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë folur për median se kanë parë avionë të vegjël të kalonin pranë zonave të tyre të banimit, duke mbështetur dyshimet për përdorimin e tyre në transportin e drogës.
Kreu i PD-së/ Basha: Rama dështon me të ardhurat, ekonomia në krizë
Të ardhurat tatimore për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 903 milionë më pak sesa plani
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kritikoi ashpër planin e qeverisë për mbledhjen e taksave, edhe pse, sipas tij, Këshilli i Ministrave rriti taksat me paketën fiskale të miratuar në fund të dhjetorit të kaluar, duke rritur barrën fiskale për shqiptarët. Basha tha se ekonomia e vendit është në krizë dhe akuzoi krerët e qeverisë për manipulime me shifrat dhe bërjen e propagandës mediatike e jo punës konkrete me mbajtjen e premtimeve. “Shifrat e periudhës janar-mars dhe tendenca e muajit prill që po mbyllet flasin qartë se spiralja e përkeqësimit po shkon drejt një pikiate të vërtetë me shumë të panjohura, asnjë prej të cilave e gëzueshme”, – deklaroi Basha. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat, Basha renditi disa nga dështimet e fundit të qeverisë, siç i quajti ai, me taksat dhe foli për një plan të ri antikrizë nga opozita shqiptare.
16 DËSHTIMET E QVERISË ME TAKSAT
1. Të ardhurat tatimore për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 903 milionë më pak sesa plani.
2. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 502 milionë lekë më pak sesa plani.
3. Tatimfitimi për periudhën janar-mars 2014 rezulton 668 milionë lekë më pak sesa parashikimi.
4. Akcizat për këtë tremujor të parë të vitit 2014 rezultojnë 2 miliardë lekë më pak sesa plani i vendosur nga vetë qeveria dhe 912 milionë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013.
5. Tatimi mbi të ardhurat personale për periudhën janar-mars 2014 rezulton të ketë një mosrealizim prej 356 milionë lekë (ose 5.2% më pak sesa plani)
6. Me paketën fiskale qeveria i hoqi të drejtën njësive të qeverisjes vendore për të mbledhur të ardhurat nga bizneset e vogla dhe ja transferoi këtë detyrë administratës qeveritare të tatimeve. Nëse shohim të dhënat, rezulton se taksa për biznesin e vogël për periudhën janar-mars 2014 është 350 milionë lekë, ose 157 milionë lekë më pak (ose 31% më pak) nga çfarë u mblodh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
7. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë të jenë 255 milionë lekë më pak sesa plani i qeverisë, por njëkohësisht rezultojnë 786 milionë lekë më pak sesa periudha janar-mars 2013 (ose 5.8% më pak).
8. Të ardhurat për kompensimin e ish pronarëve janë në nivelet minimale, vetëm 24 milionë lekë, ose 10 herë më pak se parashikimi i qeverisë prej 250 milionë lekë apo 18 herë më pak se fakti i periudhës janar-mars 2013 ku ishin 445 milionë lekë.
9. Sa për të përndjekurit politikë, qeveria parashikonte që të shpenzonte 200 milionë lekë për të paguar ish të përndjekurit politikë, rezulton se asnjë qindarkë nuk është paguar për këtë shtresë të shoqërisë krahasuar me 364 milionë lekë paguar gjatë periudhës janar-mars 2013.
10. Ndonëse qeveria parashikonte që gjatë periudhës janar-mars 2014 të shpenzonte 200 milionë lekë për zërin “kompensim për shtresat në nevojë” (fondi vjetor i planifikuar është 1.1 miliardë lekë), asnjë qindarkë nuk është paguar gjatë kesaj periudhe për këtë zë, edhe për këtë shtresë.
11. Qeveria në janar 2014 miratoi “strategjinë për pagesën e detyrimeve të prapambetura”. Statistikat e qeverisë tregojnë se asnjë qindarkë nuk është paguar për këtë zë në mars.
12. Investimet Publike me financim të brendshëm (me lekët e taksapaguesve shqiptarë) për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 5.6 miliardë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013.
13. Investimet publike totale me financim të brendshëm e të huaj për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë pothuajse 40 milionë dollarë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2014.
14. Është bllokuar tërësisht procesi i privatizimeve (proces që menaxhohet nga Min.Ekonomisë dhe Min.Financave)
16. Vazhdon problematika e mos kryerjes së rimbursimeve të TVSH-së nga qeveria.




