Dossier/ Lëvizja e 8 dhjetorit, 1990 në mediat botërore. “Time”: Shqipëria po del nga kafazi! “Der Spiegel”: Shqipëria, qetësi e rreme!

Çfarë shkruante 20 vjet më parë shtypi perëndimor për ngjarjet në Shqipëri? Cila ishte kurba e zhvillimeve politike në vendin e fundit të mbetur në dukje akoma i paprekur nga vala e ndryshimeve demokratike në Lindjen ish-komuniste dhe si paraqitej partia e parë opozitare shqiptare e sapokrijuar mbi gërmadhat e sistemit të vjetër

 derspigel

  “Time”, dhjetor 1990: Shqipëria, lamtumirë stalinizëm

Ajo zhurmë e mbytur që u dëgjua gjatë javës që shkoi, ishte rrëshqitja e fundit e një diktature marksiste në Evropë drejt koshit të plehrave të historisë. Pas tri ditë trazirash të studentëve në Tiranë, Presidenti shqiptar, Ramiz Alia, thirri liderët e demonstratave në pallatin e tij. Alia, aty befas, shpalli anulimin e monopolit politik të komunistëve, të cilin e mbanin qysh nga viti 1944. Ai njoftoi se partitë rivale tani e tutje do të lejoheshin, “në interes të demokratizimit të mëtejshëm”. Një ditë më vonë, në një tubim masiv, u themelua edhe një parti fare e re, me emrin Partia Demokratike. Programi i saj, sipas themeluesve të saj, do të mëtojë të ngrejë lart të drejtat themelore të njeriut, ekonominë e përzier të tregut dhe demokracinë parlamentare. Partia e sapokrijuar do të përpiqet tanimë ta shesë atë program tek votuesit e pamësuar të zgjedhin, në kohë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të planifikuara të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm.

Marrë nga revista “Time”, e hënë 24 dhjetor 1990

 

“Der Spiegel”, dhjetor 1990: Shqipëria, qetësi e rreme

 Shefi i partisë, Alia, po përpiqet të demokratizojë me hapa të matur vendin e vet – por për popullin, këto lëvizje shihen si shumë të ngadalta

Turmat e njerëzve të nervozuar u hodhën me turravrap në brendësi të qytetit të Elbasanit, një qendër metalurgjie e nxirë nga bloza, vetëm 50 km në jug të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë.

Në fillim iu dha flaka një kinemaje të qytetit e më pas u thyen xhamat e librarive të qytetit. Veprat e shenjtorëve komunistë, si Marksi e Engelsi, u hodhën e u shkelën me këmbë rrugëve të pista të qytetit e ndër to, sigurisht edhe fjalimet e mbështjella me lëkurë të diktatorit shqiptar të vdekur në vitin 1985, Enver Hoxha.

E rrallë: këtë herë, masa e demonstruesve nuk thërriste më dhe pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, të rinjtë, nuk mbante në duar as pankarta. Në inat e sipër, ata ngritën me duar dhe i kthyen përmbys makinat e funksionarëve të Partisë para Komitetit të Partisë së rrethit dhe u përpoqën t´i vinin zjarrin ndërtesës.

Vetëm kur mbërritën ushtarët dhe nisën të marshonin tanket e ushtrisë, dufi popullor u ftoh dhe turma u shpërnda dalëngadalë. Shtatë orë zgjati beteja në rrugët e Elbasanit më datë 14 dhjetor, jo më pak sesa ajo në Shkodër, kryeqyteti i provincës veriore të Shqipërisë, ku demonstruesit pushtuan stacionin e policisë dhe Komitetin e Partisë.

Më pas, fillimisht mbizotëroi qetësia në vend – por një qetësi e rreme. Në të gjitha pikat strategjike më të rëndësishme, u dërguan tanke të ushtrisë, të cilët ruanin qetësinë në vend me kontroll të armatosur.

Shefi i shtetit dhe i Partisë, Ramiz Alia, 65 vjeç, i cili qëndron në këtë post qysh prej vitit 1985, si pasues i stalinistit Enver Hoxha, u surprizua nga trazirat me ç’duket po aq sa shefat lokalë të policisë. Në TV, Ramiz Alia foli për shkatërrime të shkaktuara nga “huliganët” dhe “elementë kriminalë të izoluar”.

Të njëjtat tone ruajti edhe akuza e bërë nga prokuroria kundër 157 të arrestuarve kryengritës: “Mbledhje ilegale, vjedhje e shkatërrim i pronës së popullit dhe kërcënime me pasojë vdekjen”.

Që kryengritësit kishin edhe motive të tjera, për këtë foli edhe Gramoz Pashko, 35 vjeç, i cili gjatë javës që kaloi, ishte vetëm njëri ndër shumë profesorët që jepnin mësim në Universitetin “Enver Hoxha” në Tiranë e që prej pak ditësh është edhe shpresëmbajtësi i ri i Shqipërisë – si i opozitës politike ashtu edhe i krahut reformator të PPSH që rri pranë shefit të Partisë, Alia.

Eksperti i ekonomisë, Pashko, të mërkurën e shkuar u bë edhe kreu i Partisë Demokratike të sapothemeluar, i grupimit të parë antikomunist në Shqipëri qysh prej fundit të luftës. Në TV profesori u distancua nga trazirat, por theksoi nga ana tjetër se “forca të errëta” ishin ato të cilat i kishin provokuar ato. Me “forca të errëta” ai kishte ndërmend krahun akoma të fortë stalinist në udhëheqjen e PPSH-së, të cilët e shohin përpjekjen gjysmëdemokratizuese të Alisë, si një “tradhti të lartë ndaj idealeve të socializmit shqiptar”.

Me shumë kujdes, duke ia nisur qysh nga kthesa që ndodhi në fqinjët ish-komunistë, një vit më parë, Alia është përpjekur që ta largojë vendin e vet nga stigma që e cilëson atë si “vendi i fundit stalinist në Evropë”, por pa hequr dorë nga pretendimi i komunistëve për të pasur pushtetin. Komunistët ortodoksë, të cilët i gjejnë referencat akoma tek udhëheqësi i vdekur tashmë, Hoxha, po ushtrojnë një rezistencë kokëfortë.

Për liri të mirëfilltë në termat që ne njohim, as që bëhet fjalë se mund ta aplikojë aparatçiku Alia, por më shumë për shanse që të mbijetosh në një botë të trazuar.

Balanca, e cilësuar nga kundërshtarët e tij si “thyerje e dogmës së Partisë”, e që nga shumica e popullsisë së vuajtur e të shtypur prej dekadash shihet si një dobësi e tij, nuk po njeh më terren.

Vetëm kur në qershor të këtij viti, 5000 vetë, shumica e tyre shqiptarë të rinj, u dyndën në ambasadat e huaja në Tiranë për të kërkuar me ngulm largimin jashtë vendit, shefi i Partisë mundi të niste ndërmarrjen e një sërë reformash dhe të përjashtonte nga radhët e Byrosë Politike shumë prej atyre që mund të cilësohen si “koka të ngurta”.

Prona private në një kuadër të kufizuar u lejua sërish, ashtu sikurse edhe udhëtimet jashtë vendit, ndërkohë që ndërmarrjet shtetërore nisën të menaxhonin të ardhurat në mënyrë më të pavarur dhe t’i shpërblenin punonjësit sipas rendimentit.

Si kundërshtari më i rrezikshëm i Alisë vlerësohet të jetë prej kohësh Nexhmie Hoxha, 69 vjeçe, e veja e despotit të vdekur. Personi trupimët dhe energjik, e cila e cilëson veten me krenari si “ushtare e Partisë”, nuk është anëtare e Byrosë Politike, por mbart funksionin e kryetares së organizatës së masave Fronti Demokratik, duke ushtruar shumë ndikim për të mbajtur në lojë konservatorët, të cilët u bëjnë ballë përpjekjeve të Alisë.

Ndjekësit e vejushës Hoxha janë së pari ata të klanit, të cilët cilësohen si “mafia e naftës” e të cilët mbartnin funksione të larta udhëheqëse deri para dy javësh në Byronë Politike prej 13 anëtarësh dhe në qeveri. Shtatë prej tyre tashmë Alia i ka përjashtuar nga Byroja.

Gjendja mbeti stabël, ndërsa kthesa u ndërmor me gjysmë zemre. Shkëndijat për shpërthimin më të fundit i dhanë vetëm studentët me rebelimin e tyre në Tiranë. Kur në konviktet e tyre gjatë të dielës së para dy javëve u ndërpre energjia elektrike dhe dritat ikën, ata u derdhën nga kampusi universitar në rrugët në brendësi të qytetit, duke kërkuar fillimisht “më shumë dritë” dhe më pas “më shumë demokraci e liri”.

Akademikët nuk mundën të shkonin më tej. Një njësi e shërbimit famëkeq të policisë së fshehtë me emrin “Sigurimi” arriti ta ndalonte marshimin studentor, duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe lopatat xheniere. Dy duzina prej pjesëmarrësve në protestë morën plagë të rënda dhe sipas njoftimeve të agjencisë shqiptare të lajmeve, ATSH, madje pati edhe dy të vdekur të mbetur në rrugë.

Por vetëm dy ditë më vonë, shefi i Partisë, Alia, gjatë një bisede që zhvilloi gjatë mbrëmjes me të pakënaqurit, u premtoi se do të hetoheshin veprimet e policisë dhe u rekomandoi studentëve në një mënyrë përkëdhelëse: “Përse nuk krijoni vetë një parti tuajën, sepse demokracia nuk bëhet në rrugë”.

Qysh atë natë, në radio e TV u bë publike ajo çka shqiptarët në fillim nuk kishin dashur dot ta besonin: Komiteti Qendror i PPSH-së kishte vendosur ta dorëzonte monopolin e pushtetit që komunistët mbanin dhe të lejonte krijimin e organizatave të tjera të pavarura politike “për ndërtimin e demokracisë dhe pluralizmit”. Partitë e reja mund të marrin pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shkurt. Edhe sindikatat e pavarura lejohen sërish të ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Ndërkohë, u vendos themelimi i një unioni inxhinierësh dhe një sindikate metalurgësh. Vetëm një ditë më vonë, në kampusin studentor të Universitetit të Tiranës, u konstituua Partia Demokratike e Shqipërisë, me Gramoz Pashkon – një ekonomist i njohur i vendit – në krye. Pashko i ka publikuar punimet e veta edhe në Perëndim dhe vlerësohet si njëri ndër kritikët më të fortë të ekonomisë jofunksionale të centralizuar. Ai është i biri i një heroi lufte dhe bashkëluftëtari të Hoxhës, në kohën kur ata ishin partizanë. Pashko qysh prej viteve shtatëdhjetë ka qenë anëtar i Partisë së Punës, por e braktisi atë për shkak të pikëpamjeve të tij heretike.

Ai është gjithashtu edhe një mik i ngushtë i shkrimtarit Ismail Kadare, 54 vjeç, i cili e cilësonte Alinë prej kohësh si një “Gorbaçov shqiptar” e që në tetor të këtij viti, i deziluzionuar dhe i zhgënjyer, u largua drejt Parisit dhe kërkoi azil politik. Rikthimi i tij nën “kushtet e reja, shpresëdhënëse” përbën edhe njërën ndër kërkesat politike të studentëve të politizuar.

Skeptikët thonë, megjithatë, se nuk ka vend shumë për eufori, pasi: “Për sa u përket hileve e makinacioneve politike, Alia ua kalon të gjithëve”. E në këtë aspekt, vlerësohet edhe hapi i zgjuar, i detyruar të hidhet në temp të njëjtë, i themeluesve të PD-së, me atë të Partisë së Punës – tashmë të rrënuar – kundër shkatërrimeve e trazirave që po mbjellin të ashtuquajturat “forca të errëta” në qytetet provinciale.

Në këtë front të pazakontë, ka dalë në sipërfaqe edhe një forcë e re, e cila ka pak arsye për t’u ndihmuar komunistëve: ajo është Kisha Katolike. Një ditë pas trazirave, për herë të parë qysh prej më shumë se 40 vjetëve, në radio “Tirana” u dëgjua zëri i një prifti katolik, ai i peshkopit të Dioqezës së Shkodrës, dom Simon Jubani, i cili kaloi 22 vjet të jetës së vet në burgjet e komunizmit shqiptar.

Peshkopi i plakur tashmë, bëri thirrje ndaj krijuesve të trazirave, duke theksuar: “Të tilla akte të vandalizmit janë kundër dëshirës së Zotit”.

Marrë nga “Der Spiegel”, 24.12.1990

 Shënim i përkthyesit: Në artikul thuhet se Gramoz Pashko ishte zgjedhur kryetar i PD-së së sapothemeluar në atë kohë. Kjo është pasaktësi e artikullshkruesit,  e cila ka ardhur me shumë gjasa si pasojë e kaosit informativ të atyre ditëve.

 

 “Time”, janar 1991: Shqipëria po del nga kafazi

Të mbuluara me dëborë në dimër dhe që mbulohen me stuhi në shumë vende, Malet e Pindit, të cilat ndajnë Greqinë me Shqipërinë, janë bërë të pakalueshme. Por kjo megjithatë nuk i ka penguar mijëra shqiptarë të dëshpëruar ta kalojnë kufirin drejt vendit fqinj, qysh nga java e shkuar e fundit e 1990-s.

Në fillim të dhjetorit, katër shqiptarë të arratisur u qëlluan pranë kufirit nga ushtarët e regjimit stalinist të Tiranës. Gjatë javës që shkoi, përkundrazi, refugjatët që po ecnin drejt Greqisë, pa e vrarë shumë mendjen në këtë aspekt, sesa i ruheshin të ftohtit dhe maleve të thepisura. Në vend që të hapnin zjarr, rojat kufitare shqiptare thjesht mallkonin me fjalë ata që largoheshin. Nga fundi i javës, rreth 5,000 refugjatë vërshuan në provincën veriperëndimore greke të Epirit, duke dyfishuar popullsinë në zonën kufitare. Shumë nga refugjatët i përkisnin minoritetit më të madh në Shqipëri, atij grek, duke lënë pas territoret e pretenduara dikur nga të dyja vendet.

Por edhe pse Kryeministri Konstantin Micotaqis u siguroi refugjatëve që pretendonin rrënjë greke, përkohësisht statusin e rezidentit, ai u bëri thirrje grekëve etnikë që jetojnë akoma në Shqipëri, të qëndronin në shtëpitë e tyre për të parandaluar atë që ai e cilësoi si një “gjëmë kombëtare”. Ndërsa për refugjatët në Greqi, zëdhënësi i qeverisë, Viron Polidoras, tha: “Ne duam që të prevalojë ideja se ata do të rikthehen në shtëpitë e tyre”.

Me pak vullnetarë për udhëtimin e tyre mbrapsht drejt Shqipërisë dhe me më shumë refugjatë që pritet të vijnë gjatë muajve në vazhdim, Micotaqis ka planifikuar një udhëtim drejt Tiranës. Ai do të jetë i pari lider perëndimor që viziton këtë vend, qëkurse Shqipëria u hodh në një izolim pas Luftës së Dytë Botërore. Athina i frikësohet idesë se një pjesë e mirë e 400.000 grekëve etnikë që sipas saj janë të vendosur në Shqipëri, do të largoheshin nga vatrat e tyre, sidomos kur ajo beson se Tirana e inkurajon largimin e tyre, ndërsa gjendet në vështirësi politike.

Në mes të demonstratave të studentëve në dhjetor, të frymëzuara me pak vonesë nga lëvizjet në Bllokun Lindor, qeveria e Ramiz Alisë ka qenë e shtrënguar të ndërmarrë disa koncesione, duke përfshirë edhe pretendimet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe reforma ekonomike.

Sipas zëdhënësit Polidoras në Athinë, Alia po përpiqet ta çlirojë veten nga grekët, para se të dekretohen zgjedhjet në shkurt, pasi grupimi etnik në fjalë, i cili shkon sipas tij, deri në rreth 10% të popullsisë, është oponent ndaj regjimit të tij.

Duke iu frikësuar persekutimit, grekët etnikë zgjodhën të arratiseshin me fjalën e parë që dëgjuan se rojat kufitare nuk do të qëllonin më. Gjendja që refugjatët lënë pas, është vetëm një shkretëtirë. Virtualisht, ushqimi i vetëm që familjet e zonave rurale panë me sy vitin që shkoi, ishte një gjysmë pule e shpërndarë në çdo familje me rastin e festës së 28-29 Nëntorit, Ditës Kombëtare, ndërkohë që edhe kampet e ftohta të refugjatëve, si ai në Kalpaki, në veri të Greqisë, duken parajsë në krahasim me to, duke të ofruar strehim dhe ushqim të bollshëm. Siç tha edhe një zyrtar i lartë grek: “Pyetja është se ku do të shënohet kufiri. Ne duam që ata të ndihen shumë mirë, pasi ne duam që ata të kthehen sërish mbrapsht”. Por mbrapsht për të shkuar ku?
Marrë nga revista amerikane “Time”, e hënë 14 janar 1991

 *Ribotim, “standard” 2009, përgatitur nga Armand Plaka

Share it :