Dosja e gjyqtares me disa mbiemra, Malltezi: Në mënyrë të organizuar të gjithë institucionet e drejtësisë, po mbrojnë Irena Gjokën
Një seri institucionesh të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK, Prokurorinë e Tiranës dhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD), duket se janë përfshirë në një lojë të koordinuar për të zvarritur dhe bllokuar hetimin ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Një kallëzim i depozituar prej muajsh ka ngecur në një labirint burokratik, ku secili institucion ia kalon përgjegjësinë tjetrit, në atë që denoncohet si një përpjekje e organizuar për të mbrojtur gjyqtaren për shkak të urdhrave politikë.
Sipas denoncimit të drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike Jamarbër Malltezi gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, rrugëtimi i dosjes ka kaluar nëpër disa duar, por pa asnjë rezultat konkret. Prokuroria e Tiranës nuk ka dhënë një përgjigje për më shumë se tetë muaj. SPAK ka regjistruar një procedim pa emër, një taktikë që, sipas akuzave, shërben për ta mbajtur çështjen pezull për vite me radhë. Nga ana tjetër, ILD-ja nuk i është përgjigjur kallëzimit të bërë nga avokatja Adriana Kalaja që prej muajit maj. Edhe Prokuroria e Përgjithshme e mbajti dosjen për 21 muaj, përpara se Këshilli i Lartë i Drejtësisë t’ia hidhte sërish “pataten e nxehtë” ILD-së.
Akuzat ndaj gjyqtares Gjoka janë të rënda dhe të shumta. Ato përfshijnë mosdeklarimin e një shkarkimi nga detyra në vitin 1996, mashtrim të përsëritur, falsifikim të dy vendimeve për dëbim nga Greqia, përdorim të një vize të falsifikuar dhe një dënim penal. Për krahasim, vihet në dukje se raste të tjera, si ai i Luan Dacit, janë ndjekur penalisht për akuza më të lehta, siç ishte mosdeklarimi i një mase administrative
Në sfondin e kësaj situate, hidhen dyshime të forta për kapje politike të sistemit të drejtësisë. Pretendohet se në institucionet e reja janë emëruar individë me lidhje të afërta me pushtetin, si djali i ish-gjyqtarit Ardian Dvorani në ILD, të cilët ndihen borxhlinj ndaj partisë në pushtet. Kjo ka krijuar një mjedis ku institucionet, në vend që të hetojnë, veprojnë si një mburojë mbrojtëse.
Gjatë bisedës me moderatorin e emisionit Flavio Qarri, Malltezi vlerësoi se, “ky rast konsiderohet si një test i rëndësishëm për besueshmërinë e reformës në drejtësi”. Mënyra se si elita e re e drejtësisë po menaxhon dosjen “Gjoka” shërben si një ilustrim i kritikave se reforma është pilotuar dhe marrë peng, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe integritetin e të gjithë sistemit.
Jamarbër Malltezi: E kemi çuar në prokurorinë e Tiranës që të merret me rastin. Prokuroria e Tiranës ka mbi tetë muaj, është muaji i nëntë, nuk ka një përgjigje. Pra, një prokuroria e Tiranës. Dy, është çuar nga avokatja Adriana Kalaja në SPAK. SPAK-u çfarë bëri? E ka hapur, po pa pa emër. Pse? Në mënyrë që ta mbajë varur për tre vite me radhë. Pse duhet ta mbajë pa emër? Çfarë, ajo është me emër dhe me mbiemër e të gjitha, është e qartë. Po vetëm e vetëm që ta zgjasë tre vite. Pra e dyta SPAK. E treta ILD-ja vetë. Në ILD, avokatja Adriana Kalaja ka qysh në maj të 2025-ës që e ka çuar dhe nuk ka absolutisht asnjë përgjigje nga ILD-ja.
Së katërti, ishte Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme e mbajti dy vjet, e mbajti, 21 muaj gati. Për çfarë? Për të vërtetuar atë që është me vula apostile, është qesharake, ajo që është e vërtetuar tashmë. Pra, e vonoi. Dhe së pesti, është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili, ne e pamë që na çojnë katër përgjigje që thonte, ne presim vetëm nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk i marrim nga të tjerët. Dhe kur erdhi nga Prokuroria e Përgjithshme, goxha më pas, prapë e hodhi pataten e nxehtë ping-pong për t’ia dhënë ILD-së.
Pra, ne kemi në mënyrë të organizuar të gjithë institucionet e reja të drejtësisë, të cilët janë vënë për të mbrojtur pataten e nxehtë, për të mbrojtur Irena Gjokën, sepse kështu kanë urdhrin politik. Çfarë ndodh tani? Thjesht ping-pong. ILD-ja me gjasë do t’i përgjigjet që nuk e kemi neve tagrin. Merruni vetë. Po të kemi parasysh që në të gjithë këto institucionet e reja të drejtësisë, për fat të keq janë emëruar të njëjtët persona që kanë kapur institucionet e drejtësisë. Të kemi parasysh që në ILD inspektor është i biri i Dvoranit. Dvoranit, i cili ishte gjithashtu një gjyqtar militant i Partisë Socialiste. Kemi në KLGJ, kemi këtë të bijën e personazheve të tjerë të drejtësisë. Domethënë, janë të gjithë që kanë kapur të gjithë institucionet e drejtësisë dhe të gjithë që ndihen borxhli partisë. Pra, të gjithë që betohen dhe sot e kësaj dite për ideal të partisë, siç kanë pas betuar në kohë të komunizmit. Kështu që këtu nuk është çështja që një institucion pati frikë. Nuk është çështja që një institucion është kapur. Këtu për fat të keq janë kapur të gjithë institucionet e drejtësisë. Këtu për fat të keq Irena Gjoka bën mu. Sikur të merrnim vetëm këtë që nuk ka deklaruar shkarkimin nga KLD-ja në ’96-ën. Vetëm kaq të merrnim. Këtij Luan Dacit për kaq gjë ja hapën çështje penale. Vetëm për kaq. Pse s’ke deklaruar që ke qenë i shkarkuar nga KLD-ja në vitet ’90? Ja hapën çështje penale për kaq. Kjo nuk ka vetëm këtë. Kjo ka mashtrimin në mënyrë të përsëritur, jo vetëm të kësaj, por dhe të falsifikimit të dy dëbimeve nga shteti grek, për vizë të falsifikuar dhe një dënimi penal. Pra janë të gjitha bashkë.
Të kemi parasysh që në në Gjykatën e Strasburgut janë me dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë që presin radhën dhe të gjithë ata janë për shumë herë më pak se kaq. Të gjithë ata e kanë të fituar, mjafton që të dëshmojnë që shteti shqiptar, urdhëro çfarë qëndrimi mbajti me rastin tim dhe urdhëro çfarë qëndrimi mbajti me rastin e Irena Gjoka, Manekut, Shpatës e me radhë….




