Dosja Balluku/ Manipulimet e Ramës dhe shembulli francez
Rasti i pezullimit ministrit të Drejtësisë në Franë, mjafton për të kuptuar se mbrojtja e interesit publik nga abuzimet e pushtetit ekzekutiv, është detyrë dhe jo ndërhyrje e drejtësisë
Ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të japë sot interpretimin e saj, pas kërkesës së kryeministrit nëse gjykata speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ndërhyrë në kompetencat e tij ekzekutive duke pezulluar zonjën Balluku, Edi Rama nuk ka rreshtur nga tentativat për ta ndikuar Kushtetuesen. i kapur në flagrancë në manipulimin e të paktën dy tenderave nga zëvendësja e tij, kryeministri po tenton me çdo kusht të ngrejë një gardh mbrojtës për të mos lejuar të preket thelbi i sistemit që mban në këmbë organizatën e tij: vjedhim Shqipërinë për të vjedhur vota, vjedhim vota për të vjedhur Shqipërinë.
I gjendur për herë të parë përballë një hetimi mbi aferat e tij qeveritare dhe jo mbi pasuritë individuale të ministrave, Edi Rama ka nisur një fushatë propagande dhe manipulimi, duke përdorur argumentin banal të prezumimit të pafajësisë. Në thelb, ai kërkon që anëtarët e organizatës së Rilindjes as mos arrestohen e as mos pezullohen për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë për fajësinë e tyre. Domethënë ata të vazhdojnë të jenë ministra, zëvendëskryeministra, kryetarë bashkishë e të punojnë për sa kohë i duhen Edi Ramës, pavarësisht se proceset gjyqësore mund të zgjasin me vite dhe krimet për të cilat akuzohen përsëriten dhe ndikojnë në proces dhe në politikë
Për të mbrojtur këtë argument të padëgjuar më parë dhe për të ushtruar presion mbi drejtësinë, kryeministri gënjeu publikisht duke i mveshur Komisionit të Venecias diçka që nuk e kishte thënë dhe për të arritur kulmin me deklaratën se raste pezullimi ministrash nga drejtësia kur janë në detyrë, nuk ka në asnjë vend europian.
Ndërsa për Venecian verifikimi ishte shumë i lehtë, për të rrëzuar mapinulimin tjetër të kryeminisrit mjafton shembulli francez. Jo vetëm legjislacioni por dhe rasti i pezullimit të funksioneve të një ministri, madje të vetë ministrit të Drejtësisë, mjafton për të kuptuar se mbrojtja e interesit publik nga abuzimet e pushtetit ekzekutiv, është detyrë dhe jo ndërhyrje e drejtësisë.
Franca ndryshe nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, ku ministrat hetohen nga prokuroritë e zakonshme dhe largimi i tyre nga detyra është ekskluzivisht vendimmarrje politike, ka një mekanizëm gjyqësor të posaçëm (Gjykatë speciale)- Cour de Justice de la République (CJR). që gjykon anëtarët e qeverisë.
Kjo gjykatë speciale, e krijuar në vitin 1993, ka jurisdiksion vetëm për veprat penale të kryera nga ministrat “në ushtrim të funksionit të tyre”. Ky mekanizëm gjyqësor i posaçëm lidhet me parimin francez të “responsabilité pénale des membres du gouvernement” (përgjegjësia penale e anëtarëve të qeverisë).
Procedimi penal ndaj një ministri fillon jo nga prokuroritë e zakonshme, por nga një prokuror i rangut më të lartë (Procureur Général près la Cour de Cassation), i cili vepron si prokuror i specializuar pranë CJR.
Ky prokuror mund të nisë procedimin:
me iniciativë të vetë,
pas një kallëzimi penal,
ose pas kërkesës së 20 qytetarëve të thjeshtë, të cilët kanë të drejtë t’i drejtohen CJR-së (një veçori unike në sistemet juridike perëndimore).
Çdo kërkesë ose procedim i nisur ndaj një ministri kalon fillimisht për shqyrtim tek Komisioni i Ankesave (Commission des requêtes), i cili vlerëson:
nëse ka elemente të mjaftueshme të dyshimit penal,
nëse vepra është kryer në ushtrim të funksionit,
dhe nëse çështja i përket juridiksionit të CJR.
Nëse komisioni konkludon se procedimi është i bazuar, çështja i kalon fazës së hetimit gjyqësor. Nëse jo, procedimi pushon në këtë fazë. Nëse çështja pranohet, ajo i kalon Komisionit të Hetimit (Commission d’instruction), një trupë e pavarur e përbërë nga gjyqtarë i cili ka si kompetenca të plota hetimore:
marrjen e deklarimeve,
analizën e provave,
vendosjen e masave të sigurimit penal,
përfshirë kufizime të drejtpërdrejta ndaj ushtrimit të funksionit.
Pikërisht në këtë fazë shfaqet mundësia për pezullimin e ministrit nga detyra. Komisioni ka autoritet të ndërmarrë masa, të cilat, ndryshe nga vendimet politike të qeverisë, janë masë gjyqësore dhe mund të përfshijnë:
a) Masa sigurie penale. Si p.sh. kontrolli gjyqësor, ndalimi i kontaktit me dëshmitarë, kufizimi i lëvizjes etj.
b) Kufizimi i funksioneve publike. Nëse ekziston rrezik i ndikimit të ministrit në hetim, komisioni mund të kërkojë kufizimin e drejtpërdrejtë të kompetencave, duke e bërë të pamundur vazhdimin normal të ushtrimit të detyrës.
c) Pezullim i përkohshëm nga detyra. Në rastet kur veprat penale janë serioze (p.sh. korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, shpërdorim detyre, abuzim me fonde publike), Komisioni i Hetimit mund të kërkojë pezullim të menjëhershëm të ministrit. Ky pezullim (c) nuk është akt politik, por masë gjyqësore e motivuar, e cila synon:
sigurimin e hetimit,
ruajtjen e integritetit të procesit,
parandalimin e ndikimit institucional.
Në praktikë, edhe pse pezullimi nuk ndodh shpesh, ai është juridikisht i mundur dhe i parashikuar në kompetencat e CJR, pasi pezullimi i Minstrit ka natyrë gjyqësore, jo politike.
Është thelbësore të theksohet se:
pezullimi i ministrit në Francë nuk varet nga Kryeministri, Presidenti apo shumica parlamentare,
nuk është pasojë e presionit politik, por
është rezultat i një procedimi gjyqësor të specializuar, të bazuar në prova dhe analiza të pavarura.
Ky mekanizëm është krijuar për të shmangur konfliktin interesit mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, duke garantuar:
pavarësi të hetimeve,
mbrojtje të parimit të barazisë para ligjit, dhe njëkohësisht,
respektimin e rolit politik të ministrit (nuk ka shkarkim automatik, por pezullim i lidhur me hetimin).
Rasti më ilustrues i kësaj praktike, është ai i ministrit francez të Drejtësisë (2021- 2023), Éric Dupond- Moretti.
Ministri akuzohej më 6 korrik 2020 se ka përdorur pozitën e tij për të marrë sanksione të pabazuara ndaj magjistratëve që po hetonin klientët dhe miqtë e tij. Ishte hera e parë që një minister në detyrë gjykohet nga juridiksion special (CJR), për krime dhe kundërvajtje të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.
Ky është rasti më modern ku një ministër “në detyrë” dërgohet zyrtarisht në gjyq nga gjykata speciale (CJR), ndërsa vazhdonte të ishte ministër. Çfarë ndodhi?
CJR e vuri nën hetim,
masa e sigurisë përfshiu kufizime në ushtrim të disa kompetencave si ministër i Drejtësisë,
që në praktikë përbën pezullim të pjesshëm gjyqësor.
Éric Dupond-Moretti nuk u shkarkua për arsye politike, por disa funksione iu kufizuan nga gjykata. Ai u shpall i pafajshëm në vitin 2023. Ky është shembulli më i qartë modern i ndërhyrjes direkte të gjykates spesiale (CJR) në ushtrimin e funksionit të një ministri.
Dhe njëkohësisht shembulli më i qartë për të kuptuar se në rastin e zonjës Balluku nuk ka asnjë uzurpim kompetencash të ekzektuvit nga gjyqësori, aq më pak kompetencat e Edi Ramës, që ka vënë çdo pushtet nën thundrën e tij. Rama nuk është i shqetësuar për ndarjen e pushteteve, por për ndaljen eventuale të vjedhjes që e mban në pushtet. ©lapsi.al




