Do të rritet përsëri paga minimale, nga 21 mijë në 22 mijë lekë

paga minimleSynimi i Shqipërisë do të jetë që brenda vitit 2017 të ketë një pagë minimale jo më pak se 25 mijë lekë. Kjo rritje shihet si e pamundur nga bizneset dhe nga partnerët e huaj, por sipas Këshillit Kombëtar të Punës, çdo gjë është e mundur

 

Pas rritjes me 5% që pësoi një vit më parë, paga minimale do të rritet përsëri. Këshilli Kombëtar i Punës pritet t’i propozojë një tjetër rritje së pagës minimale qeverisë në muajt e ardhshëm. Edhe pse një rritje tjetër pritet të kundërshtohet fort nga bizneset, rritja do të realizohet në vlerën 1000 mijë lekë më shumë. Rritja pritet të ndihmojë të gjithë punëtorët e thjeshtë, të cilët do të kenë një pagë më të lartë. Sipas KKP-së, parashikohet që paga minimale prej 22 mijë lekësh në muaj të fillojë efektet financiare nga data 1 korrik 2013 për sektorin publik, ndërsa për biznesin rritja e pagës minimale hyn në fuqi më datën 1 janar 2014. Paga minimale përcaktohet duke u mbështetur në programin e qeverisë në fushën e pagave, nivelin ekzistues të pagave në ndërmarrjet dhe institucionet publike e private, si dhe ndikimin e vendosjes së taksës së sheshtë mbi të ardhurat personale.

 Rritja

Sipas Këshillit Kombëtar të Punës, rritja e pagës minimale është ende në fazë diskutimi, por problemi më i madh qëndron te biznesi. Një vit më parë, Këshilli Kombëtar i Punës kërkoi që të bëhej rritja e pagës minimale nga 20 mijë lekë në 23 mijë lekë, por për shkak të kundërshtimeve të biznesit u la të rritej me 1 mijë lekë. Këtë vit, sipas KKP-së, edhe për do të ketë kundërshtime por kjo s’do të thotë mosrritje e pagës minimale. Rritja më e fundit do të bëjë që Shqipëria të lërë pas vende si Bullgaria dhe Rumania si dhe në vitet e ardhshme të tentojë të arrijë nivelin e Rumanisë. Konkretisht, këto vende kanë pagën minimale nga 148 euro deri në 175 euro.

Drafti

Synimi i Shqipërisë do të jetë që brenda vitit 2017 të ketë një pagë minimale jo më pak se 25 mijë lekë. Kjo rritje shihet si e pamundur nga bizneset dhe nga partnerët e huaj, por sipas Këshillit Kombëtar të Punës, çdo gjë është e mundur dhe në draftin e ri do të kërkohet që të ketë rritje të pagës minimale për çdo vit.

Paga minimale në rajon

Kroacia          371 euro
Serbia            166 euro
Rumania       161 euro
Mal i Zi           150 euro
Bullgaria        148 euro

Greqi              739,56 euro
Vendet me pagën minimale më të lartë

 

Luksemburg             1757.56 euro

Belgjikë          1498.87 euro

Irlandë            1499,33 euro

Holandë         1424.40 euro

Francë           1365 euro

Austri              1000, euro

Qipro              909 euro

Maltë              664,95 euro
Spanjë           641,50 euro

Slloveni         530,00 euro

Portugali        485 euro

Sllovaki          317,00 euro

Estoni             278,02 euro

 

Rritet treguesi i besimit në ekonomi në tremujorin e fundit 2012

Kontributin kryesor në përmirësimin e tremujorit të fundit e dha sektori i shërbimeve, me një rritje me 9.7 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ky përmirësim erdhi falë rritjes së vlerësimit të bizneseve të këtij sektori

 

Treguesi i besimit në ekonominë shqiptare u përmirësua në tremujorin e fundit të vitit 2012. Pas disa tremujorësh kur bizneset dhe konsumatorët shfaqnin pesimizëm për gjendjen e ekonomisë, në tremujorin e katërt Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë u përmirësua me 6.5 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Megjithatë, duhet thënë se ky tregues vazhdon të qëndrojë thellësisht poshtë mesatares afatgjatë, me mbi 17 pikë përqindjeje. Kontributin kryesor në përmirësimin e tremujorit të fundit e dha sektori i shërbimeve, me një rritje me 9.7 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ky përmirësime erdhi falë rritjes së vlerësimit të bizneseve të këtij sektori për gjendjen e përgjithshme të biznesit, gjendjen financiare dhe punësimin.

Por, edhe në këtë sektor, treguesi i besimit qëndron afro 6 pikë përqindjeje poshtë mesatares afatgjatë. Kontribut pozitiv në rritjen e besimit në ekonomi dha edhe industria, ndonëse në një masë më të vogël. Treguesi në këtë sektor u përmirësua me 1.2% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit. Industritë patën një vlerësim më të mirë për ecurinë e prodhimit dhe të punësimit, ndërsa një përmirësim njohën edhe pritshmëritë për tremujorin e parë 2013.

Sektorët e tjerë

Treguesi i besimit në ndërtim vazhdoi rënien edhe në tremujorin e katërt 2012, me 5.6 pikë përqindjeje, duke prekur një minimum të ri historik.

Aktualisht, ky tregues është 34 pikë përqindjeje poshtë mesatares afatgjatë. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e dha përkeqësimi i mëtejshëm i vlerësimeve për kërkesën dhe për prodhimin e sektorit.

Ndërkohë që besimi i konsumatorëve dhe sektorit të ndërtimit kanë shënuar ulje, duke ndikuar negativisht në këtë tregues.

Besimi i konsumatorëve ra me 3.2 pikë përqindjeje në tremujorin e fundit në raport me atë të tretin, duke qëndruar 4.1 pikë përqindjeje poshtë mesatares afatgjatë. Konsumatorët janë pesimistë lidhur me situatën e tyre financiare, ekonominë dhe të ardhurat e shpenzimet e tyre personale, ndërkohë që vihet një përmirësim i lehtë në blerjet e mëdha.

Konsumatorët kanë vlerësuar në rritje koston e tyre të jetesës gjatë tremujorit të katërt, sipas Bankës së Shqipërisë.

Në një situatë të tillë pritet që të vijojë frenimi i konsumit të brendshëm.

 

Share it :