“Diplomacia ekonomike” e Kosovës

23.09.2012_Takimi_me_Ban_Ki_Munin_1

Dhoma Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me të cilin do të koordinojnë aktivitetet për intensifikimin e diplomacisë ekonomike.

Memorandumi ka për qëllim realizimin e pesë hapave konkretë: sjelljen e investitorëve, emërimin e atasheve ekonomikë, prezantimin e imazhit të Kosovës, prezantimin e produkteve të Kosovës jashtë vendit dhe organizimin e forumeve ekonomike.

Me këtë rast, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj tha se diplomacia ekonomike është prioritet i shumë vendeve të mëdha e jo vetëm i shteteve të vogla dhe të reja siç është Kosova.

“Hapi i parë është prezantimi i produkteve të Kosovës në tregjet jashtë vendit, si në Evropën juglindore, në vendet anëtare të BE-së dhe përtej kësaj. Hapi i dytë është sjellja e investitorëve të huaj në Kosovë, hapi i tretë është organizimi i forumeve ekonomike dhe forumeve të investitorëve brenda dhe jashtë Kosovës, hapi i katërt prezantimi i një imazhi real të Kosovës dhe i pesti emërimi i atasheve ekonomikë, ku në ambasadat kyçe të Kosovës do të kemi nga një të tillë, që do të jenë urë lidhëse mes MPJ-së me të gjitha ministritë dhe komunat e tjera”, deklaroi Hoxhaj.

“Orientimi i Kosovës në të ardhmen do të jetë në fuqizimin e katër E-ve. E para është Evropa, e dyta është ekonomia, e treta është edukimi dhe e katërta është ambientalizmi. Dhe me siguri në këtë drejtim edhe komuniteti i biznesit do të jetë një zë i fuqishëm i përshpejtimit të këtyre proceseve, sepse jemi të mendimit që atë që bën MPJ-ja dhe institucionet vendore në integrim evropian nga këndvështrimi politik, ne duhet të jemi ata që ta përshpejtojmë këtë proces përmes integrimit ekonomik”, tha nga ana tjetër Safet Gerxhaliu, kryetar i OEK-ut.

Një ditë me parë edhe kryeministri kosovar vizitoi OEK-un, nga ku dhe paralajmëroi vendimin për themelimin e Fondit të Punësimit prej një miliard euro

 

Presidentja e Kosovës, Jahjaga takon Ban Ki Moon

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po zhvillon një vizitë në selinë e OKB-së në Nju Jork, ku është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë.

Sipas një njoftimi të Presidencës, gjatë takimit Jahjaga vlerësoi rolin e sekretarit Ban Ki Moon në mbështetje të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me OKB-në në arritjen e përparimit të mëtejshëm të Kosovës.

“Kosova është e përkushtuar që të bëhet partnere e besueshme e OKB-së dhe anëtare me të drejta të plota e organizatës botërore, si shtet i pavarur”, deklaroi Jahjaga.

Presidentja theksoi se rajoni i Ballkanit ndodhet në një moment vendimtar, kur është hapur mundësia për një paqe të qëndrueshme pas fillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ajo nënvizoi se BE-ja ka ndërmarrë hapa konkretë për të fuqizuar këtë moment dhe shtoi se janë arritur marrëveshje të rëndësishme, të cilat gjithësesi duhet të zbatohen në praktikë.

Gjithashtu, zonja Jahjaga vuri në dukje rëndësinë që rruga e Serbisë drejt BE-së të kushtëzohet me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.

“Rruga e hapur për integrimin evropian të Kosovës dhe gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit do sigurojë më shumë stabilitet, zhvillim ekonomik të secilit vend dhe gjithashtu shumë përparim”, tha kryetarja e shtetit.

Jahjaga theksoi më tej se Kosova vazhdon të aspirojë anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në BE, pavarësisht pengesave me mosnjohjen e sovranitetit të saj nga pesë vendet anëtare.

Nga ana e tij, Ban Ki Moon vlerësoi zhvillimet pozitive në gjithë rajonin e Ballkanit, me theks të posaçëm në dialogun e zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Sekretari i përgjithshëm theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE dhe vazhdimin e angazhimit në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan.

Share it :