Florenc Drizari
Deputetët e opozitës marshojnë në këmbë, fjalim mban kreu i PD-së, Lulzim Basha
Opozita shqiptare organizoi dje protestën e paralajmëruar kohë më parë kundër mënyrës së qeverisjes nga mazhoranca e majtë, por edhe në kujtim të ditës së rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës. Protesta e opozitës diktoi edhe punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Pas shkëmbimit të disa akuzave dhe replikave mes krerëve të opozitës dhe Kryeministrit Edi Rama në sallën e seancave plenare, deputetët e djathtë iu drejtuan selisë së Partisë Demokratike dhe më pas sheshit “Skënderbej”, nga ku mijëra protestues i prisnin për minuta të tëra. Fillimisht, protestuesit u mblodhën para selisë së PD-së, duke pritur mbërritjen e kryetarit Lulzim Basha rreth mesditës, orës 12:05 minuta. Pas një qëndrimi të shkurtër para ambienteve të PD-së, qytetarët u nisën për në sheshin qendror të Tiranës në kujtim të ditës së rrëzimit të bustit të Hoxhës. Rreth orës 14:05 minuta në sheshin e rrëzimit të bustit mbërriti edhe kryetari i PD-së, Basha, ndërkohë që pas tij shkuan edhe deputetët e tjetër të opozitës.
Deputetët e PD-së pas braktisjes së punimeve të Kuvendit të Shqipërisë mesditën e djeshme, iu drejtuan sheshit “Skënderbej”, duke iu bashkuar kryetarit Basha dhe protestuesve të shumtë në numër. Pas një qëndrimi të shkurtër disaminutësh në shesh, protestuesit së bashku me deputetët nisen drejtë bulevardit qendror të Tiranës, duke kaluar para hotel “Dajtit” për t’u ndalur para Kryeministrisë.
Pothuajse rreth orës 14:30 qytetarët që ishin mbledhur në shesh u përqendruan përgjatë bulevardit dhe para kryeministrisë, nga ku priteshin edhe fjalimet e rastit. Gjatë protestës së djeshme, organizatorët e PD-së kishin menduar që të fliste vetëm kryetari Lulzim Basha. Para fjalës së tij, mbajtën nga një fjalim të shkurtër disa qytetarë të cilët vunë theksin tek premtimet e bëra të Kryeministrit Edi Rama në fushatën elektorale të 23 qershorit dhe realizimet e tyre pas 5 muajsh qeverisjeje.
Në tërësi protesta e djeshme u zhvillua e qetë dhe pa incidente, ndërsa fjalimi i kreut të PD-së u prit me duartrokitje. Në fjalën e tij, Lulzim Basha, paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama se nëse nuk mban premtimet e bëra në fushatë, atëherë opozita do të vijoi protestat duke kërkuar edhe rrëzimin e qeverisë. Me një fjalim që zgjati rreth 20 minuta, Basha renditi disa nga premtimet kryesore të Ramës, duke filluar me legalizimet falas, shëndetësinë falas, krijimin e 300 mijë vendeve të punës etj. Në përgjithësi këto premtime sipas kreut demokrat jo vetëm që nuk janë bërë realitet nga qeverisja aktuale, por situata ekonomike në vend është përkeqësuar. Kritika ndaj mazhorancës aktuale u bënë edhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku theksi u vu tek refuzimi i statusit të kandidatit që iu bë vendit në javët e para të muajit dhjetor 2013-të. Në lidhje me akuzat e opozitës reagoi edhe Kryeministri Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë. Rama tha se është absurde t’i kërkosh qeverisë në këto pak muaj të mandatit të saj, realizimin e të gjitha premtimeve të bëra në fushatën e shkuar elektorale. Ai akuzoi krerët e Partisë Demokratike që sipas tij, e lanë vendin në një situatë të vështirë financiare.
Protesta e opozitës u mbyll rreth orës 15:05 dhe protestuesit u shpërndanë pa shkaktuar incidente.
Itinerari i protestës së opozitës
12:05 minuta, kryetari Lulzim Basha mbërrin në selinë e PD-së
14:05 kreu i PD-së i drejtohet sheshit “Skënderbej”, ku ishin mbledhur protestuesit
14:15 deputetët e Partisë Demokratike dalin nga Kuvendi dhe i drejtohen sheshit “Skënderbej”
14:25 protestuesit fillojnë marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejtë Kryeministrisë
14:30 protestuesit mblidhen para Kryeministrisë dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”
14:45 Lulzim Basha mban fjalimin në shesh
15 minuta zgjat fjala e z. Basha
15:05 minuta, mbyllet protesta e opozitës
Protesta në Tiranë, në Kryeministri edhe police femra
Policia e kryeqytetit mori një sërë masash organizative për mbarëvajtjen normale të protestës së Partia Demokratike. Për të garantuar sigurim të rendit dhe qetësisë, përgjatë zhvillimit të kësaj proteste, Policia e Tiranës kaloi në shërbim të përforcuar me efektivë të komisariateve të Drejtorisë Tiranë, si dhe Forcës Speciale Operacionale. Mbajtja nën vëzhgim e situatës në pikat kyçe, si tarraca mbi Kryeministrinë, Kryesinë e Kuvendit si dhe dy kullave binjake u realizua nga specialistët e repartit RENEA. Të distancuar mbrapa Kryeministrisë në rrugën “Papa Gjon Pali” qëndronin të dislokuara forcat e ndërhyrjes së shpejtë si dhe makinat gazlotsjellëse, zjarrfikëse dhe ambulanca. Protesta është ndjekur në distancë dhe nga Avokati i Popullit dhe komisionerët e këtij institucioni. Për disa orë u bllokuan të gjitha hyrjet drejt sheshit “Skënderbej”, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe të gjitha rrugët që kanë lidhje me segmentin rrugor nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza” Tiranë. Në rreshtin e parë të policisë ishin të vendosura edhe police femra, një mënyrë kjo që është ndjekur edhe në disa protesta të mëparshme nga qeverisja e majtë.
Këshilla e Ambasadës së SHBA-së: Shmangni vendet e protestës
Ambasada Amerikane në Tiranë këshilloi qytetarët amerikanë për protestën e opozitës që u mbajt dje në Tiranë. Ambasada e SHBA-së i bëri thirrje çdo qytetari amerikan që jeton në Shqipëri të ndjekë planet e sigurisë personale dhe të shmangin vendet e protestës dhe të kenë kujdes kur të qarkullojnë pranë tubimeve të mëdha. “Shmangni vendet e demonstratave pasi ato dhe pse me qëllime paqësore mund të kthehet konfrontuese”, – thuhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane. Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se tubimet e mëdha publike mund të ndikojnë në të gjitha arteriet kryesore hyrëse të Tiranës. “Rishikoni planet tuaja të sigurisë personale, monitoroni stacionet e lajmeve”, – thuhet ne mesazhin e Ambasadës së SHBA-së.




