Paketa fiskale/ Zbardhen treguesit ekonomik, Qeveria më pak të ardhura se 2013-ta

para - leke–   Rezultate skandaloze të Financave në muajin e parë pas paketës fiskale: 81% më pak investime, 36% më pak të ardhura nga akcizat, 25% më pak nga tatimfitimi

–   50% më shumë pagesë papunësie për shqiptarët jashtë tregut

–   Hakmarrje ndaj pushtetit vendor: 8% më pak fonde

–   Del zbuluar mashtrimi: Tani taksohemi 12% më shumë për pagat

 

Ervin Kaduku

 

Dështon, pa nisur mirë viti i parë fiskal, i mbuluar nga qeveria “Rama”, sistemi i Financave publike. Sipas disa zërave nga ky dikaster, Shkëlqim Cani mund të bëhet “koka e turkut” e parë në ekzekutivin e majtë, po të nisesh nga rezultatet tejet skandaloze, të arritura nga administrata që ai drejton, si në grumbullimin, ashtu edhe në menaxhimin e të ardhurave buxhetore.

Ministria sapo ka përfunduar llogaritjen e statistikave zyrtare të zërave të ndryshëm të buxhetit 2014 për periudhën e muajit Janar. Po të krahasosh shifrat në fjalë me ato të një viti më parë, pikërisht me muajin e parë të 2013-ës, del se të flasësh për “Rilindje”, do të ishte një shaka me inteligjencën e shqiptarëve!

 

Shpenzimet

Në total, qeveria “Rama” ka shpenzuar afro 9 për qind më pak fonde buxhetore, po të krahasohen me fondet, që janë shpenzuar në kohën e qeverisjes së djathtë nga ministria përkatëse, e drejtuar nga ministri Ridvan Bode. Po, për një sy specialisti nuk mund të shpëtojë fakti se çfarë është “kursyer” dhe çfarë është shpenzuar me të tepërt.

Shpenzimet korrente nga ana e Shkëlqim Canit kanë qenë 2.2 milionë euro më të pakta, krahasuar me atë, çka ka shpenzuar qeveria Berisha në muajin e parë të vitit të kaluar. Në këto shpenzime hyjnë pagat e buxhetorëve etj.

Qeveria “Rama” ka goditur rëndë pushtetin vendor, duke kontribuar gjatë janarit të këtij viti me 5.2 për qind më pak fonde nga sa shpenzoi Bode një vit më parë. Kjo, ndonëse shumë bashki apo komuna drejtohen nga të zgjedhur në listat e socialistëve, të cilët praktikisht po shprehen shumë të pakënaqur nga niveli i kontributit prej qeverisë qendrore, por zërat e tyre bien në vesh të shurdhër.

Në sektorin që drejtohet nga ministri Erion Veliaj janë shkurtuar 17 për qind fonde ndihme ekonomike, pikërisht për njerëzit që kanë më shumë nevojë për këtë ndihmë, me sa duket, me paragjykimin politik se ata i përkasin “një partie tjetër”.

Por, nga ana tjetër, duket se në një kohë të shkurtër janë rritur së tepërmi të papunët. Rama ka paguar 50 për qind më shumë pagesë papunësie në janar 2014, nga ç’u pagua një vit më parë.

 

Investimet

Ajo që është me të vërtetë për t’u shqetësuar, është fakti se si janë trajtuar fondet e shpenzimeve kapitale – investimeve me fonde publike. Në rast se gjatë vitit të kaluar në janar janë shpenzuar nga arka e shtetit 3.5 miliardë lekë, apo afro 25 milionë euro, në 31 ditët e para të vitit Rama-Cani kanë nxjerrë për këtë qëllim … 5 herë më pak, ose vetëm 678 milionë lekë, ose 4.8 milionë euro!

Nuk kërkohet patjetër që të jesh specialist i Financave publike, që të kuptosh se, të rritësh shpenzimet korrente, ndërkohë që ul në mënyrë drastike shpenzimet për investime, kjo kë vetëm një përfundim: falimentin e shtetit dhe të ekonomisë!

 

Të ardhurat

Në total, shteti shqiptar gjatë muajit të parë të këtij viti ka arritur të grumbullojë nga taksat e tatimet dhe të ardhura të tjera të llojeve të ndryshme 1.4 për qind më pak se sa arriti të grumbullonte administrata fiskale e Ridvan Bodes. Shifra është 402 milionë lekë më e ulët, çka do të thotë 3 milionë euro më pak se një vit më parë. Natyrshëm, këtu vetëm “Rilindje” nuk duket në horizont!

Cani ka bërë një rrëshqitje totale në tatimfitimin e ndërmarrjeve, që sjellin në janar në buxhet një shifër 25 për qind më të ulët se një vit më parë, Ndërkohë, Akcizat, me të cilat u mburr shumë në dhjetor të vitit të kaluar drejtorja e Doganave, Elisa Spiropali, për një rritje të ndjeshme, doli qartë se dështuan, me 35 për qind më pak se një vit më parë, pasi hyrja e mallrave të akcizës në fund të vitit të kaluar është bërë me shumicë vetëm për të shmangur taksën e re, të vendosur nga Rama me paketën fiskale.

Sa u përket taksave vendore, duket se varfërimi ka ardhur në rritje, duke qenë se tatimi i biznesit të vogël, që u paguhet bashkive e komunave, ka pasur një ulje në masën 3.2 për qind.

Kontributet për sigurimet shoqërore kanë sjellë afro 5 për qind më pak të ardhura krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që ato shëndetësore janë rritur ndjeshëm.

 

*   *   *

 

Nisur nga këto rezultate, duket se “këmbana” e parë në qeveri do të bjerë për Financat.

Po më pas??

 

 

 

JANARI

 

 

2014

2013

Ndryshimi në %

TOTALI TË ARDHURAVE

27,282

27,684

-1.4

Nga Tatimet dhe Doganat

17,042

17,047

-0.2

Tatimi mbi Fitimin

1,007

1,348

-25.3

Akcizat

1,616

2,540

-35.4

Tatimi mbi të Ardhurat Personale

2,569

2,705

-5

Të ardhura nga Pushteti Vendor

796

862

-7.6

Taksë mbi Biznesin e vogël

304

314

-3.2

TOTALI I SHPENZIMEVE

24,962

27,426

-9

Shpenzime Korrente

24,284

23,972

1.3

Shpenzime për Buxhetin Vendor

1,213

1,280

-5.2

Pagesa e Papunësisë

112

75

49.3

Ndihma Ekonomike

2,721

3,277

-17

Shpenzime Kapitale

678

3,454

-80.4

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bode: Qeveria shtyn vendin në recesion

 

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, akuzoi qeverinë se po e shtyn vendin drejt një recesioni për vitin 2014. Sipas Bodes, ekonomia nuk vijon të financohet as në krahun e ofertës në rritjen e investimeve dhe as në krahun e konsumeve.
“Në tremujorin e katërt të vitit 2013, tremujorin e qeverisjes socialiste janë likuiduar, janë paguar fatura për investimet publike vetëm në vlerën 13 miliardë lekëve, ndërkohë që në vitin 2012 në të njëjtën periudhë janë paguar 21 miliardë lekë. Do të thotë rreth 80 milionë dollarë më shumë të paguar një vit më parë edhe pse qeveria shtriu dorën për të marrë një borxh më të madh, për të marrë një hua më të madhe me pretendimin se do të shlyente faturat e investimeve. Në të gjithë parametrat e kreditimit të ekonomisë, biznesit dhe të konsumit kanë rënë në 8 herë, çka do të thotë se ekonomia nuk vijon të financohet as në krahun e ofertës në rritjen e investimeve dhe as në krahun e konsumeve”, – deklaroi Bode.
Ai theksoi se inflacioni ka rënë në nivelet më të fundit. Ndërkohë, sipas Bodes, investitorët e huaj janë të pasigurtë. “Inflacioni ka rënë po ashtu në nivelet më të fundit dhe kjo dëshmon jo për një kontroll të inflacionit, por për një rënie të pulsit të ekonomisë. Në qoftë se periudha 9 mujore pati rreth 700 milionë euro investime të huaja direkte në ekonominë shqiptare, tendenca e tremujorit të fundit flet për nivele tepër të ulëta krahasuar me trendin historik të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare. Çka është një dëshmi për rënien e besimit dhe kredibilitetit të qeverisë aktuale në raport me investitorët e huaj dhe qëndrimet e tyre kaotike për deklarimin e prishjes tërësisht të kontratave, mungesa e sigurisë për investitorët. Dhe qeveria po e fut vendin në një rrënim të shpejtë ekonomik dhe një recesion për vitin 2014”, – theksoi Bode.

Share it :