Dështimi i ‘Paktit për Universitetin’, qeveria uli në 2.6% nga 3.3% të GDP-s buxhetin për arsimin

Më e qartë se kaq nuk bëhet, më shumë se 254 mijë studentë dhe nxënës humbi Shqipëria në një dekadë. Faktet e mësipërme tregojnë se sot universitetet janë kthyer në godina boshe, ku edhe ata pak të rinj që kanë mbetur, presin të marrin diplomën që u shërben si pasaportë “punësimi” jashtë Shqipërisë. Në vijim do t`ju tregojmë se në këtë situatë nuk erdhëm rastësisht. E gjitha ka zanafillën në vitin 2013, kur Edi Rama u bë kryeministër dhe nisi agresionin ndaj arsimit të lartë. Ndiqni të gjitha etapat e shkatërrimit të arsimit në një dekadë.

Shqipëria numëron sot 24 universitete, 6 akademi, 7 Kolegje Universitare dhe 3 Kolegje Profesional të Lartë. Ndër vite ky numër ka ndryshuar, njëjtë si numri i studentëve që ndjekin arsimin e lartë në vendin tonë. Në të gjitha universitetet e vendit, private dhe publike, përfshi kolegjet dhe akademitë, numërohen në total një numër i madh programesh studimi, plotë 1139. Nga këto, vetëm 336 programe studimi janë të akredituara, apo gati 30 përqind e gjithë totalit të programeve të studimit.Sipas Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Shkencat Mjekësore, Shkencat Inxhinierike, shkencat Humane dhe Shoqërore, Shkencat e Edukimit dhe Artet, janë fakultetet me numrin më të madh të programeve të studimit të pa akredituara. Emisioni Plug, ka investiguar situatën në arsimin e lartë, ku ka konstatuar të dhëna tronditëse për gjendjen e arsimit të lartë në vendin tonë.Në vitin 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, Shqipëria numëronte një numër prej 176 173 studentësh në të gjitha universitetet e vendit. Para zgjedhjeve të 2013, Edi Rama u kërkonte votën të rinjve shqiptarë, duke u premtuar se jeta pas universitetit do të ishte më e mirë.

Gjuha e ashpër dhe represive ndaj arsimit të lartë para zgjedhjeve të vitit 2013, duket se pati ndikim të menjëhershme që në vitin e parë të qeverisë Rama, kohë kur kishte nisur edhe debate për ligjin e Arsimit të Lartë. Për vitin 2014-2015, numri i studentëve të regjistruar në universitete pësoi një rënie me 14 mijë studentë, pra nga 176 mijë studentë të regjistruar në vitin 2013, një vit më pas numri i studentëve ishte 162 mijë studentë.

Teksa opozita paralajmëronte dëmet që do të vinin nga ndryshimi i ligjit për Arsimin e Lartë, mazhoranca me forcën e kartonit kaloi në kuvend ligjin për Arsimin e Lartë në 21 korrik të vitit 2015. Në atë kohë, Edi Rama e mbronte ligjin, duke pretenduar se universitetet do të bëheshin më të mira.

Dy efektet e para të ligjit të ri për Arsimin e lartë në vitin 2015, ishin rënia e numrit të studentëve dhe rritja e kostove, ku kjo e fundit do të akumulohej në pakënaqësi deri në shpërthimin e protestave masive të dhjetorit 2018.

Nëse në vitin 2013, një student për të ndjekur një program studimi ‘Bachelor’ në Fakultetin e Shkencave Filologjike në Universitetin e Tiranës, paguante një tarifë vjetore prej 17 mijë lekësh, në vitin 2015, kjo shumë shkoi në 25 mijë lekë, apo një rritje prej 8 mijë lekësh. Kjo ishte vetëm kostoja e parë që rëndoi mbi xhepat e studentëve menjëherë pas miratimit të ligjit të arsimit të lartë.

Barrën më të rëndë financiare për xhepin e prindërve të studentëve, do ta kishte ndjekja e programeve të ciklit të dytë të studimeve, ‘Master’, gjithashtu pësuan rritje deri në 50 përqind në programe të caktuara. Rritja e tarifave ishte demaskimi i parë i deklaratave të kryeministrit Rama, se në universitete do të mbështetej shtresa e varfër e shoqërisë.

Pas miratimit të ligjit të ri të arsimit të lartë në vitin 2015, numri i studentëve të regjistruar në universitetet publike dhe private të vendit ishte 158 339 studentë nga 162 544 studentë që ishin regjistruar vetëm një vit më herët, pra në vitin 2014-2015. Thënë ndryshe, në vetëm dy vjet pasi socialistët erdhën në pushtet dhe ndryshuan rregullat e Arsimit të Lartë, Shqipëria humbi rreth 30 mijë studentë.

Ndryshe nga premtimet e kryeministrit Edi Rama dhe ministres së kohës për Arsimin, Lindita Nikolla, ligji për Arsimin e Lartë, rëndoi gjendjen në universitetet shqiptare. Rritja e kostove të studimeve, kostove të jetesës, cilësisë së universiteteve apo dhe problemit me punësimit pas përfundimit të studimeve, shkaktuan protesta masive në vitin 2018.

Në muajin dhjetor të atij viti, studentët e universiteteve publike në Tiranë dhe rrethe bojkotuan masivisht auditoret, duke protestuar çdo ditë përpara kryeministrisë dhe ministrisë së arsimit. Studentët kishin një listë me 8 kërkesa:

1-            Rritja e bxhetit në 5% e GDP për arsimin

2-            Transparencë për buxhein nga Ministria e Arsimit

3-            Rritja nga 10 deri në 50 % të peshës totale të votës së studentëve në zgjedhjet e Universiteteve

4-            Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjaturës

5-            Barazi në bordet e administrimit të universiteteve

6-            Pajisja e studentëve me kartën e studentit brenda vitit të protestave

7-            Ndërtimi i bibliotekave me standarde Europiane

8-            Vlerësimi i performacës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut

Pas qëndresës së fortë të studentëve, qeveria u tërhoq duke pranuar nënshkrimin e të quajturit “Pakti për Universitetin”, i cili mbante në total 13 pika, veç atyre të sipërpërmendura, shtoheshin dhe ato për:

1-            Transparencë në Vendimmarrje dhe Integritet në Mësimdhënie

2-            Politikat Financiare në Shërbim të Cilësisë së Kërkimit Shkencor dhe Konkurrueshmërisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare të IAL-ve

3-            Punësimi i Studentëve

4-            Stazhet dhe Praktikat Profesionale të Studentëve

5-            Kampusi Universitar i Tiranës

Kërkesa më e rëndësishme e studentëve, në protestat e tyre ishte ajo e rritjes së buxhetit për arsimin. Gjatë protestave, qeveria përdori të gjithë mekanizmat e propagandës dhe joshjes për të bindur studentët në ndaljen e revoltës. Madje ministrja e sapo emëruar e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një deklaratë për mediat, doli dhe u shpreh se qeveria do të tërhiqej nga ndërtimi i rrugës Thuman-Kashar-Milot me PPP, ndërsa fondin qindra milionë euro për këtë aks, do ta dedikonte për ‘Paktin për Universitetin’.

Në vitin 2018 qeveria jepte një buxhet prej 3.2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto për arsimin, ndërsa u angazhua që kjo shifër do të arrinte në 5 %. Mirëpo a ndodhi kështu? Referuar një raporti monitorimi të strategjisë së arsimit 2021-2026, rezulton se buxheti për arsimin jo vetëm nuk është rritur, por pas vitit 2018 ka ardhur në rënie.

SIPAS TË DHËNAVE TË ANALIZUARA NË RAPORT, REZULTON SE:

Për vitin 2019, qeveria shpenzoi 3.3 % të GDP-s për Arsimin

Për vitin 2020, qeveria shpenzoi 3.3 % të GDP-s për Arsimin

Për vitin 2021, qeveria shpenzoi 3.1 % të GDP-s për Arsimin

Për vitin 2022, qeveria shpenzoi 2.9 % të GDP-s për Arsimin

Për vitin 2023, qeveria shpenzoi 2.3 % të GDP-s për Arsimin

Për vitin 2024, qeveria shpenzoi 2.29% të GDP-s për Arsimin.

Për vitin 2025, qeveria do shpenzojë 2.6 % të GDP-s për Arsimin

Shihet qartë se pas vitit 2018, shpenzimet për arsimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, jo vetëm që nuk janë rritur por janë ulur. Madje ato kanë ardhur duke u ulur edhe në një kohë që qeveria pretendon se ka rritur buxhetin me 8.2 miliardë euro. Për vitin 2025, qeveria ka vënë në dispozicion 2.6 % të GDP-s për arsimin, apo gati me 0.6 % më pak se viti 2018, kur studentët protestuan masivisht pasi nuk ishin të kënaqur me fondet që qeveria jepte për arsimin.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :